MENU
klinika

Favorizoi kompaninë italiane për të marrë tenderin

Si u vu në pranga ish-drejtuesja e OSHEE-së

09.12.2022 - 10:38

Policia e Tiranës, ditën e djeshme në një njoftim të gjatë për mediat, bëri me dije se kishte arrestuar një person të shumë kërkuar.

Bëhej fjalë për një grua, e cila ishte në kërkim prej kohësh për shkak të marrjes së një ryshfeti që lidhej me favorizimin e një kompanie të huaj në një tenderim. Tenderi ishte zhvilluar në vitin 2016 dhe Prokuroria ka gjetur shkelje e për pasojë janë nisur hetimet, duke bërë të mundur arrestimin e disa personave dhe duke shpallur në kërkim drejtoreshën, e cila sipas Policisë dhe Prokurorisë akuzoi për përfitimin e një shume prej 131 mijë eurosh.

Policia e Tiranës njoftoi dje se ndaj të prangosurës, 48- vjeçare, është caktuar masa “Arrest në burg”, pasi akuzohet se ka marrë shumën 131 mijë euro si ryshfet, për të favorizuar një kompani italiane, për një tender të zhvilluar në vitin 2016.

“Ish-drejtoresha e OSHEE-së, Albana Ferraj, 48 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’”, njofton policia. 48-vjeçarja dyshohet se ka marrë shumën 131 mijë euro si ryshfet, për të favorizuar një kompani italiane, për një tender të zhvilluar në vitin 2016. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

PROCEDURA PROKURUESE E 2016-s
Referuar dosjes hetimore mësohet se procedura e prokurimit është zhvilluar në vitin 2016 nga shoqëria aksionare “Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike group” sh.a., shoqëri aksionare me aksionar të vetëm Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë.

“Nga veprimet hetimore të kryera janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasit Elis Bushati, Athinta Papa dhe Irma Dërguti, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, që kanë marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi dhe që kanë shqyrtuar dhe vlerësuar ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nr.9643, datë 20.11.2006 ‘Për prokurimin publik’, të ndryshuar dhe me V.K.M Nr.914, datë 29.12.2014 ‘Për miratimin e rregullave të prokurimit publik’, të ndryshuar, duke favorizuar në mënyrë të padrejtë shoqërinë tregtare “’OM METODI’ S.P.A, me seli në Milano, Itali”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Sipas Prokurorisë, për këtë ishshefja e kabinetit e drejtorit të OSHEE-së, Albana Ferra, ka përfituar 131 mijë euro. “Njëkohësisht, nga veprimet hetimore të kryera janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasja Albana Ferraj, e cila gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi dhe zbatimit të kontratës për të cilën është kryer prokurimi ka kryer funksionin e drejtorit të Divizionit Tregtar dhe drejtorit të Kabinetit në shoqërinë tregtare OSHEE sh.a, ka marrë përfitime të parregullta, në shumën prej 131.880 euro, me qëllim për të favorizuar shoqërinë tregtare ‘COM METODI’ S.P.A në procedurën e prokurimit të zhvilluar në vitin 2016.

Me qëllim marrjen dhe përfitimin e kësaj shume monetare, që përbën njëkohësisht produkt të veprës penale të korrupsionit pasiv, shtetasja Albana Ferraj ka krijuar një marrëdhënie fiktive midis saj dhe shoqërisë ‘COM METODI’S.P.A., duke përdorur edhe një shoqëri tjetër me seli në Shqipëri, duke fshehur dhe mbuluar natyrën e kundërligjshme të origjinës së shumës monetare të mësipërme, duke e ditur që shuma monetare përbën produkt të veprës penale”.