MENU
klinika

Shoferi...viktima që s'i mbijetoi dot plumbave

3 vite u deshën! Si ndodhi atentati ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj u kap me “të fortin e Sukthit”

20.01.2023 - 18:26

Atentati ndaj Aleksandër Lahos dhe Arjan Ndojt, ku mbeti i vrarë edhe shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku, dyshohet se është organizuar nga grupi i Plarent Dervishajt. 5 persona u arrestuan dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim nga SPAK, pjesa më e madhe e tyre anëtarë të bandës së Durrësit, të dyshuar në përfshirjen dhe organizimin e atentatit ndaj prokurorit të shkarkuar tashmë nga Vettingu më 1 nëntor të vitit 2019 në mbikalimin e Shkozetit. Në kuadër të operacionit “Komploti” u arrestuan Genti Nerjaku alias Akil Nerjaku, 40 vjeç, i cili i ka shpëtuar një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në zonën e plazhit në Durrës, Marsel Deçka, 38 vjeç, agjent doganor (i afërm i Plarent Dervishaj), Endrit Sinani, 29 vjeç, Julian Pjetri, 45 vjeç dhe Bashkim Haxhija, 54 vjeç.

Por si ndodhi atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja?

Më 1 nëntor të vitit 2019, rreth orës 16:30 të pasdites, u raportua për të shtëna me armë zjarri në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes, Ndoj ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”, Landi Muharremi dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.

3 vite u deshën! Si NDODHI atentati ndaj ish-prokurorit të

Pak para atentatit

Makina ‘Benz’ me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut, një tregtar dhe i afërm i ish-prokurorit) dhe në përdorim nga prokurori Ndoj, u qëllua me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së plumbave, makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private në spital. Arjan Ndoj ia doli që t’i mbijetonte plagëve të marra, ndërsa disa ditë më pas, në spital ndërroi jetë shoferi i tij për shkak të plumbave që kishte marrë në kraharor, të cilët i kishin dëmtuar organet vitale. Ndryshe nga dy të tjerët, Aleksandër Laho mori lëndime më të lehta.

Atentatorët kanë qenë dy dhe që kanë qëlluar me dy armë të ndryshme, njëri ishte Redjan Rraja dhe bashkëpunëtori i tij ishte Arjol Halilaj, të cilët pasi qëlluan shkuan në Ishëm, ku edhe dogjën mjetin me të cilin po qarkullonin në momentin e vrasjes. Por brenda ndodheshin dy armët e përdorura në këtë atentat, përkatësisht dy kallashnikovë AK-47. Dosja.al ka raportuar më parë se emri i Halilajt ka dalë nga telefoni që iu sekuestruar Redjan Rrajës. Por thelbësore kanë qenë edhe shenjat e gishtave të Halilajt, që janë gjetur në mjetin që u përdor në krim. Përputhja e ADN-së me mbetjet biologjike ka bërë që Halilaj të vihet në pranga.

Por pse u shënjestrua ish-prokurori?

Arjan Ndoja mund të ishte si gjithë prokurorët e tjerë në Shqipëri, hetonte dosje kriminale, vjedhje, vrasje apo grabitje pronash. Por u vendos në vëmendje kur kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe nisën sulmet ndaj tij. Atëherë emri i mori një jehonë tjetër.

“Javën e kaluar, një rast flagrant i shkeljes së ligjit, transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë në përfaqësues të interesave të krimit që sigurisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit. Fatkeqësisht po shohim që pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ të përkohshëm por shumë të rëndë mbi qytetarët, sepse shumë prokurorë dhe gjykatës që janë të zhytur deri në fyt dhe që e dinë shumë mirë që s’kanë asnjë shans që ta kalojnë Vettingun, po e shfrytëzojnë pushtetin që ju jep ligji me moton ‘të kapim ça të kapim’. Ndërtimi i një sistemi të ri drejtësie kërkon kohë,”-tha kryeministri Edi Rama.

Asokohe Arian Ndoja ishte prokurori që po hetonte dosjen e (asokohe) drejtorit të Agjencisë së Kadastrës në Durrës, Liridon Pula, ndaj të cilit Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”. Ndërsa ish-zv/kryeministri Erjon Braçe thoshte se Liridon Pula ishte viktimë e prokurorit Arian Ndoja. Edhe opozita u përfshi në deklarata. Partia Demokratike akuzonte kryeministrin Edi Rama se është kryetari i të ashtuquajturës KÇK, (kap ça të kapësh), duke shtuar se atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja ishte prishje pazari mes bandave që sollën në pushtet Ramën.

Kujt po i tunden prangat?

Sot, Prokuroria e Posaçme njoftoi arrestimin e pesë personave por në kërkim janë 4 të tjerë, mes tyre Ramazan Rraja nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja dhe një prej eksponentëve kryesore të bandës së Durrësit, Plarent Dervishaj. Ndryshe nga Rraja që po kërkohet kudo në Shqipëri, Dervishaj së fundmi është raportuar se ndodhet në Dubai e deri më tani nuk ka asnjë shpresë për ekstradimin e tij.