MENU
klinika

Përjashtohen Tirana dhe Elbasani

Aksione në të gjithë vendin për kamerat e krimit

30.01.2023 - 11:27

Ajo që nisi si një shkëndi operative se në Shkodër ka kamerave të vendosura nëpër rrugë dhe zona që mbikëqyren nga organizata kriminale, tashmë është kthyer në një aksion policor.

Policia e Shtetit, prej ditësh jep shifra të punës së suksesshme të efektivëve që kanë arritur të identifikojnë dhe të shkulin nga shtyllat e qyteteve dhe të zonavebastione me dhjetëra kamera, të cilat sipas tyre i kanë vënë eksponentët e krimit të organizuar në vend. Deri ditën e djeshme numri i kamerave të bllokuara dhe të sekuestruara nga Policia ka shkuar në 185 copë, ku ende në listë nuk ka hyrë Tirana dhe Elbasani, dy kryeqendrat e krimit në vend. Policia ka bërë me dije gjatë gjithë kësaj kohe se kamerat janë vendosur nga organizatat kriminale për të mbikëqyrur Policinë në lëvizjet e saj drejt bastioneve të tyre, ndërkohë që Policia e Shtetit ende nuk ka një përgjigje se kur janë vendosur këto kamera, të cilat janë menaxhuar nga elementët e organizatave kriminale. Ndonëse në disa rrethe janë shoqëruar një mori personash si të dyshuar për zotërues të pamjeve që vinin nga ato kamera, por Policia ende nuk ka një person në pranga pavarësisht numrit të madh të kamerave vëzhguese.

Jo vetëm që nuk është bërë e mundur të arrestohet ndonjë person, por madje ende nuk është mundësuar as gjetja e ndonjë serveri nga bëhet këqyrja e pamjeve filmike që vijnë nga kamerat e instaluara nga krimi. Por, përveç Tiranës dhe Elbasanit me rrethina, Policia ende nuk ka ndërmarr aksion për Lezhën e Laçin, dy zona të tjera të nxehta, në të cilat vlon krimi i vrasjes dhe i trafikut të drogës. Po ashtu, Kukësi dhe Tropoja janë lënë në heshtje, ndonëse si zona nuk gjenerojnë krimin në formën dhe sasinë që e kanë qytetet e tjera. Megjithatë, Policia pretendon se do të bashkëpunojë me Prokurorinë për të bërë të mundur hedhjen dritë mbi personat që i kanë poseduar këto mjete vëzhgimi.

OPERACIONI NË SHIFRA
Operacioni “Hijet” ka tashmë 15 ditë që ka nisur, i shtrirë në të gjithë vendin për çmontimin e kamerave të sigurisë të vendosura në mënyrë të paligjshme për të vëzhguar rivalët dhe Policinë e Shtetit, një pjesë e autorëve të tyre, të informuar për kontrollet, po i tërheqin vetë. Ndërkohë, deri në këtë fazë, Policia e Shtetit ka zhvilluar 8 aksione në 7 qarqe të ndryshme, teksa akoma nuk ka një bilanc të rezultateve në Tiranë, Elbasan, Kukës, Berat dhe Lezhë, të cilat priten me interes të lartë për të kuptuar mbi zonat e survejimit dhe numrit të kamerave që do të sekuestrohen.

Në veçanti priten rezultatet për Tiranën dhe Elbasanin, duke parë përqendrimin e disa grupeve kriminale në këto zona. Sipas burimeve nga Policia, në kryeqytet janë kryer disa kontrolle, por akoma pa detaje konkrete. Në qarqet që tashmë ka përfunduar operacioni bie në sy çmontimi i një numri modest të tyre në qytete që konsiderohen me përqendrim të lartë të atentateve me natyrë mafioze si Vlorë dhe Fier, përkatësisht me nga 16 dhe 5 kamera.

Surpizë në kontrollet e deritanishme konsiderohen Korça dhe Pogradeci, në të cilat në total janë çmontuar 39 kamera dhe lehtësisht të pritshme numri modest në Gjirokastrës dhe Dibër me vetëm 3 dhe 1 kamerë. Në krye të listës vijon të jetë Shkodra dhe burimet e policisë pohojnë se numri 59 që është aktualisht mund të rritet pasi në Kryeqendrën e Veriut ka akoma “survejim” nga eksponentë kriminal. Në total, deri në këtë fazë të operacionit “Hijet” janë sekuestruar 185 kamera sigurie, për të cilat po hetohen në gjendje të lirë 24 persona, kryesisht persona me të shkuar kriminale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Merren nën hetim pesë persona

Policia heq kamerat në Fier dhe Lushnjë

Nëntë persona vëzhgonin përmes kamerave

Priten të tjera “fije” të krimit në Korçë e Pogradec