MENU
klinika

SONDAZH

Benet Beci rrotull 50-përqindëshit, pavarësisht se kë ka përballë në Shkodër

15.01.2023 - 11:38

Qysh prej rrëzimit të rregjimit komunist, PS-ja nuk e ka qeverisur Bashkinë Shkodër qoftë edhe një ditë të vetme. Me kandidimin e Benet Becit për kryetar të bashkisë më të madhe veriore, ajo shpreson ta kapë atje më së fundi këtë mollë të ndalueme. Shpresa e PS-së është rritur sidomos pas rikthimit në koalicionin e majtë të degës lokale të LSI-së, e cila ka qenë e fuqishme elektoralisht në dekadën e fundit.

Për të parë nëse shpresat e socialistëve për Shkodrën janë të justifikuara, gjatë fundjavës zhvillova një sondazh elektronik, të cilin e kreva duke shpërndarë linkun e pyetësorit krejt rastësisht ndër banorë të territorit të Bashkisë Shkodër. Pyetësorin e plotësuan në mënyrë krejt anonime 1105 banorë të rritur të bashkisë (urbanë e ruralë). Kampionin e ripeshova statistikisht, që ai ta përfaqësonte popullsinë e rritur të bashkisë sa më mirë politikisht, demografikisht dhe gjeografikisht.

Në sondazh testova një garë dyshe dhe një garë treshe: Beci – Spahia dhe Beci – Spahia – Kandidati hipotetik i fraksionit Alibeaj-Basha. Duke ndërthurur rezultatet e këtyre dy testeve me të dhënat historike elektorale të 250 qendrave të votimit që ka Bashkia Shkodër, ndërtova një model simulacioni statistikor, për të llogaritur përafërsisht numrin e votave që do të merrte Benet Beci i PS-së, nëse zgjdhjet do të ishin zhvilluar sot.

Nga 10 mijë simulacione të modelit statistikor (që eksploruan të gjitha mundësitë brenda intervaleve të rezultateve të sondazhit dhe të të dhënave historike elektorale të 250 qendrave të votimit), më rezultoi se Beci i PS-së do të merrte sot 47%-52% të votave, pavarsisht se kë mund të ketë përballë në Shkodër.

Siç është demonstruar në histogramin e mëposhtëm, probabiliteti më i madh për votat e Becit të PS-së është i përqendruar në intervalin 49%-51%. Kuptohet që mbeten edhe katër muaj fushatë deri më 14 maj dhe ende nuk dihet nëse fraksioni Alibeaj-Basha do të paraqesë ndonjë kandidaturë. Sidoqoftë, ky sondazh paraprak tregon se gara do të jetë shumë e fortë në Bashkinë Shkodër.

SHËNIM ELEKTORAL:

Në zgjedhjet e marsit 2022, morën pjesë në votim pothuaj 47 mijë banorë të Bashkisë Shkodër, nga të cilët rreth 43.7% votuan për Bardh Spahinë e përkrahur nga fraksioni Berisha dhe dega lokale e LSI-së, rreth 39.5% për Majlinda Angonin e përkrahur nga PS dhe PSD, e rreth 16.8% për Xhemal Bushatin e përkrahur nga fraksioni Alibeaj-Basha.
Në zgjedhjet e prillit 2021, morën pjesë në zgjedhje pothuaj 70 mijë banorë të Bashkisë Shkodër, nga të cilët 45.2% votuan për PD-AN, 24% për PS, 14.8% për PSD, 11.9% për LSI dhe 4.1% për partitë e tjera të vogla.
Në zgjedhjet e qershorit 2017, morën pjesë në zgjedhje pothuaj 69 mijë banorë të Bashkisë Shkodër, nga të cilët 38.1% votuan për PD-AN, 34.6% për PS, 12.8% për PSD, 12.1% për LSI dhe 2.4% për partitë e tjera të vogla.
Në zgjedhjet e qershorit 2015, morën pjesë në zgjedhje pothuaj 70 mijë banorë të Bashkisë Shkodër, nga të cilët rreth 57.2% votuan për Voltana Ademin e përkrahuar nga koalicioni i djathtë dhe 42.8% për Keti Bazhdarin e përkrahur nga koalicioni PS-PSD-LSI.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN