Ish-kreu i Bandës famëkeqe të Lushnjës, Aldo Bare do të çojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Lartë që la në fuqi dënimin e tij me burg të përjetshëm.
Avokati mbrojtës deklaroi nga Gjykata e Elbasanit, se vendimi i dhjetorit të vitit të shkuar nga dhoma këshilluese e Gjykatës së Lartë ishte absurd dhe se u mor pa praninë e palëve në proces duke paralajmëruar edhe kallëzim në SPAK.
Krahas hapave ligjor kundër dënimit me burg përjetë, Alfred Shkurti i njohur edhe si Aldo Bare i është drejtuar edhe me një kërkesë Gjykatës së Elbasanit për ulje dënimi për shkak të sjelljes së mirë. Avokati akuzoi administratën e burgjeve se nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për dhënien e një vlerësimi për klientin e tij.
Ish-speciali i forcave RENEA, Alfred Shkurti hyri në botën e krimit gjatë trazirave të vitit 1997 pasi i vranë vëllanë nga anëtarët e bandës së Artur Dajës. Pas vrasjes se Ramadan Shkurtit, u krijua edhe e ashtuquajtura Banda e Lushnjës, mbi të cilën rëndojnë mbi 20 vrasje dhe një sërë akuzash të tjera. Bare u dënua me burg të përjetshëm në vitin 2012 dhe 10 vite më vonë ai bëri rekurs në Gjykatën e Lartë.