MENU
klinika

Analiza

Çfarë do të ndryshojë në vitin e dytë të luftës?

07.01.2023 - 12:25

Philipp Ther 

Ndërsa viti i parë i luftës po i afrohet fundit, tërheqja e ushtrisë ruse nga Kherson i ka dhënë Ukrainës një rritje të besimit. Për të kompensuar dështimet ushtarake, Kremlini ka zgjedhur të sulmojë infrastrukturën civile. Shkatërrimi i termocentraleve dhe rrjetit elektrik në të gjithë vendin ka lënë miliona ukrainas në errësirë, pa ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm.  Në shumë qytete, energjia elektrike dhe uji i ngrohtë janë të racionuar dhe jemi vetëm në fillim të një dimri të gjatë lufte.

Me kalimin e ditëve, i ftohti mund të dobësojë trupin dhe mendjen. Fronti i brendshëm rezultoi vendimtar në shumë konflikte, përfshirë Luftën e Parë Botërore. Në vitin 1917 Rusia u mund edhe për shkak të protestave popullore, ndërsa Gjermania u detyrua të kërkonte një armëpushim nga presioni i brendshëm. Morali civil është dimensioni i dytë i luftës, po aq i rëndësishëm sa zhvillimet ushtarake që monopolizojnë vëmendjen mediatike. Por ka edhe një dimension të tretë: ai ekonomik. Në këtë rast Perëndimi është i përfshirë drejtpërdrejt: sanksionet perëndimore kundër Rusisë përbëjnë një luftë ekonomike, edhe pse nuk shpallet kurrë zyrtarisht.

Këto tre dimensione janë të ndërlidhura, por për të bërë një bilanc të vitit të parë të luftës është e nevojshme që ato të shqyrtohen veç e veç. Mediat perëndimore shpesh përdorin termin “luftë ukrainase”, por është pothuajse po aq mashtruese sa “konflikti ukrainas”.

Lufta nuk filloi më 24 shkurt 2022, por në 2014, kur Putin përfitoi nga kaosi pas “revolucionit të dinjitetit” në Ukrainë për të aneksuar Krimenë dhe për të pushtuar Donbasin. Që në fillim kjo ishte një luftë ruso-ukrainase. Është një sqarim shumë i rëndësishëm, sepse e bën të qartë se problemi kryesor nuk është Ukraina, por Rusia.

Lufta e parë ruso-ukrainase filloi në 2014 dhe nuk përfundoi kurrë plotësisht. Që atëherë, më shumë se 15 mijë njerëz kanë vdekur në frontin e Donbassit. Putini përdori konfliktin e pazgjidhur territorial për të bllokuar hyrjen e Ukrainës në NATO, e cila nuk mund të pranojë një vend në luftë si një anëtar të ri. Me kalimin e viteve, konflikti i ka larguar investitorët dhe e ka dobësuar ekonomikishtUkrainën. Por ndërsa strategjia ruse ishte mjaft e qartë, sanksionet perëndimore kundër Moskës kanë qenë të çala. Dhe ato janë dobësuar më tej nga Gjermania me gazsjellësin Nord Stream 2, i ndërtuar kryesisht pas agresionit rus të vitit 2014.

Objektivat e humbur

Lufta e parë ruso-ukrainase u transformua drejtpërdrejt në luftën e dytë ruso-ukrainase, e cila shpërtheu në shkurt 2022. Megjithatë, ky konflikt paraqet një zhvillim të ri në të tre nivelet e përmendura më sipër.

Ushtarakisht, ushtria dhe shoqëria ukrainase bënë një rezistencë kokëfortë dhe ishin në gjendje të zmbrapsnin sulmet ruse në Kiev dhe Kharkiv në veri, Mikolayiv dhe Odessa në jug dhe Donbass në lindje. As Putini dhe as inteligjenca ruse nuk e kishin parashikuar një kundërshtar kaq efektiv. Që në mars ishte e qartë se diktatori rus nuk do të arrinte objektivin e parë të luftës: të pushtonte një pjesë të madhe të territorit ukrainas dhe të krijonte një regjim kolaboracionist.

Objektivi i dytë, pushtimi i Ukrainës jugore dhe lindore (i quajtur “Rusia e Re” nga propaganda e Kremlinit), dështoi me ofensivën e madhe të Donbasit. Në verë, ushtria ukrainase arriti të ndryshojë situatën dhe të çlirojë të gjithë rajonin e Kharkivit, ndërsa në nëntor, ushtria ruse u detyrua të tërhiqej nga bregu i djathtë i lumit Dnieper dhe të braktiste Chersonin.

Megjithatë, pavarësisht dështimeve, Rusia ka arritur një qëllim minimal: krijimin e një lidhjeje tokësore me Krimenë. Duket se në jug ushtria ruse po forcohet përgjatë vijës së frontit dhe kjo mund të krijojë një situatë të ngjashme me atë që është shfaqur në Donbass vitet e fundit. Moska mund ta pranonte një rezultat të tillë, por jo Ukraina, e dobësuar ekonomikisht dhe demografikisht dhe nën presionin e pushtimit të përhershëm dhe kërcënimit të vazhdueshëm të agresionit të mëtejshëm.

Ndërsa ushtria e saj doli të ishte çuditërisht e dobët, Rusia ia doli më mirë në luftën ekonomike. Ky dimension ka implikime më të gjera, për shkak të përfshirjes së drejtpërdrejtë perëndimore. Rusia e sheh të gjithë Bashkimin Evropian si një palë ndërluftuese në luftën ekonomike. Në planin afatgjatë, sanksionet do të dëmtojnë rëndë ekonominë ruse, por që në fillim dy faktorë e kanë kufizuar ndikimin e tyre: para së gjithash, dy vendet më të populluara në botë, Kina dhe India, nuk u janë bashkuar sanksioneve; dhe së dyti, Turqia (një anëtare e NATO-s) dhe Hungaria (kali i Trojës së Putinit në Bashkimin Evropian) vepruan për t’i dobësuar ato.

Ashtu siç pritej, kundërmasat ruse kanë dëmtuar kryesisht Gjermaninë dhe shtetet e Evropës Lindore. Industritë me varësi energjetike tashmë kanë probleme serioze dhe ekziston rreziku i një eksodi prodhimi dhe madje, deri edhe deindustrializimi.

Ashtu sikurse i ashtuquajturi “operacion special” i Moskës kundër Ukrainës nuk i është shpjeguar kurrë popullatës ruse, lufta ekonomike nuk u është shpjeguar kurrë perëndimorëve. Nga ana tjetër, nëse kjo luftë do të ishte shpallur publikisht, Bashkimi Evropian do të duhej të bojkotonte gazin dhe naftën ruse me iniciativën e tij, ndërsa deri më tani sanksionet janë justifikuar mbi të gjitha, në aspektin moral.

Nga ana pozitive, kriza e çmimeve të energjisë paraqet një mundësi për të përshpejtuar kalimin drejt energjisë së rinovueshme. Por, sado i domosdoshëm ky transformim, qytetarët dhe ekonomitë evropiane po paguajnë një çmim konkret, ndonëse të vogël në krahasim me sakrificën e ukrainasve. Recesioni po rrit presionin e brendshëm në shtetet e BE-së, ndërkohë që Rusia po përfiton nga rritja e çmimeve të energjisë.

Evropa përbëhet nga shumë vende, dhe për rrjedhojë nga shumë fronte të brendshme. Nëse shtetet anëtare dështojnë të përmbushin angazhimet e tyre në lidhje me sanksionet, ekziston rreziku për të shkaktuar një efekt domino. Dhe kjo është ekzaktësisht çfarë shpreson Putini.

Kjo është arsyeja pse ne nuk mund të shpresojmë për një përfundim të shpejtë të konfliktit ushtarak. Deri më tani, lufta është zhvilluar pothuajse ekskluzivisht në tokën ukrainase, kështu që në parim popullsia civile ruse mund të vazhdojë të jetojë siç jetonte përpara 24 shkurtit. Për momentin, pasojat kryesore negative për Rusinë janë viktimat midis ushtarëve dhe mobilizimi ushtarak që nuk ka mbështetje popullore, por këto aspekte mund të neutralizohen nga propaganda.

Për më tepër, shoqëria ruse mund të llogarisë disa avantazhe në funksion të dimrit të dytë të luftës, duke filluar nga përvoja e saj në aspektin e mungesave. Për shkak të kufizimeve ekonomike të epokës socialiste dhe depresionit të viteve nëntëdhjetë, rusët kanë asimiluar teknika të mbijetesës, që në Evropë i mbajnë mend vetëm të moshuarit që kanë jetuar Luftën e Dytë Botërore. Midis tyre është aftësia për të improvizuar dhe përshtatur kur ka mungesë dritash dhe ngrohje, një ushtrim që tani karakterizon jetën e përditshme të ukrainasve, por tmerron pjesën tjetër të kontinentit, madje edhe në vendet ku klima është mjaft e butë.

Në shkencat politike kjo aftësi quhet ‘rezistencë’, një cilësi që Rusia e ka demonstruar vazhdimisht gjatë historisë. Ukrainasit kanë pasur përvoja të ngjashme në vitet post-sovjetike dhe ata sigurisht kanë motive të forta, sepse po luftojnë për të shpëtuar vendin e tyre. Megjithatë, ata kanë disavantazhin e luftimit në terrenin e tyre dhe ekonomia kombëtare, tashmë e zvogëluar me rreth një të tretën, është prekur më tej nga sulmet ndaj infrastrukturës civile. Nuk është e qartë se si Ukraina mund të vazhdojë të financojë përpjekjet e luftës, përveçse duke shtypur para, një zgjidhje e cila megjithatë do të rriste më tej inflacionin.

Si çdo diktator, Putini mund të mbështetet në kontrollin e medias. Ndërsa Moska vazhdon të përhapë lajme të rreme, pothuajse asnjë informacion rreth luftës nuk mbërrin në shoqërinë ruse. Edhe pse Rusia ende nuk ka hequr dorë nga asnjë prej qëllimeve të saj dhe vazhdon të kryejë krime lufte, në Gjermani dhe në vende të tjera të BE-së flitet shumë për mënyrën se si të rivendoset paqja. Duket një detyrë e ndaluar, sepse Putini nuk synon vetëm Ukrainën, por dëshiron të rivendosë epërsinë ruse brenda ish-sferës së influencës të Bashkimit Sovjetik. Kjo ide e “botës ruse” (ruskij mir) kërcënon veçanërisht shtetet balltike.

Russian recruits take a bus near a military recruitment center in Krasnodar, Russia, Sunday, Sept. 25, 2022. Russian President Vladimir Putin on Wednesday ordered a partial mobilization of reservists to beef up his forces in Ukraine. (AP Photo)

Kush paguan për riarmatimin

As objektivat e Ukrainës dhe Perëndimit nuk janë pa tensione. Në fillim të luftës, kur situata dukej e pashpresë, Volodymyr Zelensky kishte lënë të kuptohej për mundësinë e heqjes dorë nga Krimea dhe pjesë të Donbasit. Por pas verës Ukraina filloi të kërkojë çlirimin e të gjitha territoreve të pushtuara. Këto pretendime presupozojnë riarmatim të mëtejshëm, të cilin megjithatë Kievi nuk mund ta përballojë. A janë të gatshme vendet perëndimore ta financojnë atë, pavarësisht recesionit dhe inflacionit? Nga pikëpamja e sigurisë, do të ishte në interesin e tyre, por do të kërkonte konsensus të gjerë politik dhe social. Për më tepër, mbështetja e riarmatimit të Ukrainës do të nënkuptonte pranimin e përfshirjes në konflikt.

Sot, mbështetësit e Putinit ende mund të hyjnë në disa vende evropiane si turistë. Ekziston nevoja për një sistem më gjithëpërfshirës sanksionesh, i cili gjithashtu përfshin stimuj për oligarkët dhe zyrtarët që vendosin të kundërshtojnë regjimin. Për më tepër, nevojitet një qasje e re diplomatike ndaj shteteve që varen nga tregtia dhe ndihma perëndimore, por vazhdojnë të shkelin sanksionet. Diplomacia do të jetë gjithashtu thelbësore për t’u përballur në mënyrë më inteligjente me lojtarin kryesor të mbetur në prapavijë, Kinën. Është për t’u habitur që Pekini nuk e ka përdorur ende peshën e tij për t’u ofruar si ndërmjetës. Ndoshta perspektiva e një rritje të prestigjit ndërkombëtar të vendit mund ta shtyjë presidentin Xi Jinping të distancohet më tej nga Putini.

Së fundi, vendet e Bashkimit Evropian kanë një mision urgjent në nivel kombëtar: të bëjnë gjithçka që është e mundur për të kursyer energjinë, qoftë edhe vetëm sepse eksportet e gazit vazhdojnë të financojnë luftën e Putinit. Mund të tingëllojë e rëndomtë, por ia vlen të përsëritet: ukrainasit po luftojnë për lirinë e Evropës. Duke mbrojtur demokracinë e tyre, ata po mbrojnë edhe tonën.

*Philipp Ther është Profesor i Historisë së Evropës Qendrore në Universitetin e Vjenës. / Der Spiegel 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Rebelët rrëzojnë nga pushteti Bashar al-Assadin

Analiza: Çfarë pritet të ndodhë në Siri?

“Urdhërova ushtrinë të marrë në kontroll …“

Kryeministri izraelit përshëndet rrëzimin e Assad: Ditë historike!

Avioni me të cilin ai u arratis u zhduk nga radarët!

A ka vdekur Bashar al-Assad? Çfarë dyshohet?