MENU
klinika

Shqiptarët “ekspertë” të përpunimit të heroinës

Dosja e SPAK për trafikun e drogës në Milano

29.01.2023 - 20:17

Në apartamente që ndryshonin shpesh për të shmangur kontrollet e autoriteteve, Gernard Ago, një prej drejtuesve të grupit kriminal të goditur nga autoritetet italiane dhe SPAK në një operacion të përbashkët në kuadër të hetimeve të nisura që në 2019, krijonte laborator të përpunimit të heroinës.

Sipas dosjes hetimore, lënda narkotike përpunohej dhe ndahej nga shqiptarë të tjerë, bashkëpunëtorë të Agos dhe më pas i jepej atyre personave të thërritur në kod si “Mushka”, apo shpërndarësit.

Pasi policia italiane i gjeti bazën e parë në 2017 në Castelverde, Gerndard Ago arriti të lëvizte në një tjetër bazë në Milano dhe kishte ngritur një tjetër laborator, i zbuluar nga përgjimet e kryera nga pala shqiptare 2 vite më vonë në 2019.

Historiku i ndryshimit të apartamenteve vijoi deri në goditjen e grupit, teksa hetuesit italian arritën të vendosnin përgjues dhe të shikonin e dëgjonin planet për përpunimin dhe shpërndarjen.

Në përgjime dëgjohen biseda edhe për grupe rivale që fitonin terren në Milano, një treg që mbizotërohej nga shqiptarët në bashkëpunim me komunitete të tjera që kontrollonin zona për shpërndarje me sasi të vogla.

Droga e qarkulluar nga ky grup dhe e trafikuar nga Spanja dhe Shqipëria, në episodet e dokumentuara nga hetuesit kapte vlerën e 1.3 milionë Eurove, teksa në dosje renditen edhe episode, të cilat janë goditur ndër vite nga autoritetet dhe droga është sekuestruar.