MENU
klinika

Flet i dërguari i SHBA në Beograd

“Duhet të ndalet aktiviteti i grupit ushtarak rus”

13.01.2023 - 13:50

I dërguari i lartë amerikan Derek Chollet shprehu të enjten shqetësimin e fortë për aktivitetin e grupit të kontraktorëve privatë ushtarakë “Wagner Group” dhe për përpjekjet që mendohet se po bën ky grup për të rekrutuar ushtarë në Serbi dhe vende të tjera.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit tha se i ka shprehur këto shqetësime gjatë bisedimeve në Beograd me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

“Kemi parë se Grupi Wagner po përpiqet të rekrutojë ushtarë nga Serbia dhe gjetiu, dhe kjo është diçka që ne mendojmë se nuk mund të vazhdojë”, u tha ai gazetarëve pas takimit.

“Nuk di nëse ekziston shqetësimi (në Serbi); ne folëm për shqetësimet tona dhe dëshirojmë të punojmë me qeverinë këtu në Beograd dhe vende të tjera ku Wagner është aktiv, për t’i dhënë fund të gjitha aktiviteteve të tyre”, shtoi ai.

Grupi Wagner, në pronësi të oligarkut rus Yevgeny Prigozhin, njoftohet se ka qenë aktiv në dhjetëra vende, përgjithësisht të Afrikës, duke bashkëpunuar me qeveritë për propagandën pro-ruse dhe për projekte të tjera ushtarake dhe politike.