MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Ekokardiograma, ç’duhet të di për ekzaminimin e zemrës

30.01.2023 - 11:42

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Ekokardiograma, ç’duhet të di për ekzaminimin e zemrës

Mjeku: Ekokardiograma (ose EKO siç thuhet shkurt në gjuhën e përditshme) përbën në vetvete një ekzaminim i cili synon filmimin e zemrës e të rrjedhjes së gjakut në të apo të aortës nga pika të ndryshme. Gjithashtu, bën të mundur matjen e presioneve nëpër dhomat e zemrës.

Ky ekzaminim bazohet në përpunimin e informacionit që na jepet nga një aparat i cili lëshon ultratinguj. Kështu, bëhet e mundur marrja e pamjeve të brendshme të zemrës. Këto pamje mund të jenë dy ose tre përmasash.

Ekokardiograma tashmë përdoret si vegël e përditshme në kardiologji dhe në kardiokirurgji. Ndihmon për vendosjen e diagnozës, për trajtimin e rasteve të veçanta (si p.sh. punksionet e ndryshme ose drenimet), por edhe për ndjekjen e të sëmurëve përpara dhe pas ndërhyrjes kardiokirurgjikale.

Është një metodë e thjeshtë, e pamundimshme dhe pa shpenzime të larta materialesh. Prandaj si e tillë ka hyrë kaq gjerësisht në mjekësinë e sotme dhe zbatohet kudo. Nëpërmjet saj mund të shikojmë hollësisht jo vetëm përmasat, formën apo funksionimin e dhomave të zemrës, por vërejmë edhe probleme të ndryshme të valvulave apo të mureve të brendshme të organit.

Në duart e mjekut sot ka disa lloje ekokardiogramash për të ndihmuar saktësinë e diagnostikimit.

Ekokardiograma transtorakale. Është më e përdorshme pasi është e thjeshtë. Bëhet në krevat dhe i sëmuri gjendet i zgjuar. Por ka raste kur për arsye të ndryshme anatomike (p.sh. mbipesha e tepërt), pengohet marrja e pamjeve të qarta të zemrës dhe ky është një ndër problemet që haset në zbatimin e kësaj metode.

Ekokardiograma transezofageale. Ky është një ekzaminim që nuk përdoret tek çdo i sëmurë. Ai zbatohet në rastet kur EKO transtorakale nuk jep informacionin e kërkuar mbi detaje të nevojshme që ndihmojnë diagnostikimin. Është një metodë më e saktë se e para, por përdoret kur është e domosdoshme, pasi i sëmuri duhet të marrë një narkozë të lehtë për disa minuta.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.