MENU
klinika

Ikin emigrantët pas festave!

Fluks udhëtarësh në të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendit

04.01.2023 - 12:53

Me ikjen e festave, emigrantët të cilët zgjodhën që t’i kalonin ditët e fundit të vitit pranë familjarëve ne vendin e tyre, tashmë po largohen në vendet ku jetojnë e punojnë.

Një numër i lartë regjistrohet edhe në hyrje të pikave kufitare, për shkak të personave të shumtë të cilët kaluan festat e fundvitit pranë të afërmve të tyre jashtë vendit.

Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës vijon një fluks normal, ku gjatë 24 orëve të fundit janë larguar drejt Greqisë 5015 persona ndërsa edhe ritmi në hyrje vijon të jetë disi më i lartë krahasuar me periudha të zakonshme, me gati 3300 hyrje të regjistruara.

Të dy palët po punojnë kapacitet të plotë sportelesh, ndërsa koha e pritjes në radhë është rreth 40 minuta. Pritet që deri në fund të javës të dalin nga kjo pikë kufitare gati 30 mijë persona.

Gjatë 24 orëve të fundit në Kapshticë kanë hyrë 2591 persona dhe kanë dalë 5192 të tjerë. Në Qafë Thanë, kanë hyrë 2634 dhe kanë dalë 2848 persona.

Gjatë ditës së dytë dhe të tretë Vitit të Ri nga porti i Vlorës kanë dalë 952 pasagjerë, 163 makina të vogla dhe 21 kamionë dhe autobusë. Ndërkohë hyrjet nga Italia për në portin e Vlorës kanë qenë 446 pasagjerë, 61 mjete të vogla dhe 10 kamionë.

Ndërkohë pritet që ditën e sotme të nisen drejt Italisë dy tragete.

Po ashtu i udhëtarëve që shfrytëzojnë linjat e trageteve mes Durrësit dhe porteve italiane të Barit e Ankonës është shtuar ndjeshëm. Ndryshe nga dy javët e fundit të dhjetorit, fluksi këtë herë është në kahun e kundërt të lëvizjes.

Dy ditët e fundit janë larguar nga vendi përmes kësaj pike të kalimit kufitar 3 300 persona, shumica e të cilëve emigrantë dhe shtetas të huaj që u kaluan festat e fundvitit në Shqipëri e Kosovë. Pasi kanë festuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, ata nxitojnë të kthehen në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Sipas të dhënave nga porti detar i Durrësit, numri i personave të regjistruar në dalje është më i lartë se ai në hyrje dhe gjatë tri ditëve në vazhdim do të dyfishohet numri i lundrimeve për të përballuar fluksin e atyre që largohen nga vendi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Vijon kthimi normal për në vendet e punës"

Emigrantët erdhën për festat, reagon Policia