Është caktuar masa “arrest me burg” për Fredi Krasniqin, i cili u arrestua pasi u kap me ‘shtëpi bari’ në Durrës. 46-vjeçari i arrestuar dhe i dalë para Gjykatës gjatë marrjes në pyetje ka mohuar se armët dhe kanabisin t’i kishte për llogari të grupeve kriminale.
Sipas të dhënave të hetimit bëhet me dije se sa u takon armëve, Krasniqi ka deklaruar se i ka ruajtur që prej trazirave të vitit 1997. Ndërsa për kanabisin, 46- vjeçari ka deklaruar se e kishte mbjellë pasi i duhej që të fitonte para shpejt për shkak se nuk ka mundësi për të paguar një ndërhyrje kirurgjikale. “Armët i kam ruajtur që prej kohës së trazirave që përkon me vitet ‘97 dhe i kam ruajtur që në atë periudhë brenda një muri të dyfishtë. Bimët narkotike i kam mbjellë për të përfituar para të shpejta për shkak të disa problemeve shëndetësore dhe kjo ishte e vetmja mënyrë për t’ia arritur. Kam nevojë për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk mund ta përballoj koston në formë tjetër. Çdo impiant që është vendosur në shtëpi, është bërë nga unë dhe nuk ka financuar asnjë grup kriminal”, ka dëshmuar Fredi Krasniqi.
Pas seancës gjyqësore, avokati i tij mbrojtës, Aleksander Ndrejaj, deklaroi se klienti i tij është i sëmurë e për këtë arsye i kërkuan gjykatës një masë më të lehtë, “Arrest shtëpie”, gjë që nuk u pranua. Ashtu si klienti i tij, edhe avokati Ndrejaj deklaroi se arsenali i armëve i sekuestruar i përket vitit 1997 dhe Krasniqi po priste një amnisti për t’i dorëzuar ato në polici dhe se ishte lehtësisht e verifikueshme që objektet ishin prej kohësh në këtë godinë pa u prekur.
Avokati Ndrejaj përjashtoi mundësinë e implikimit në këtë çështje të vëllait tjetër Selman Krasniqi, i cili është shpallur në kërkim prej disa ditësh dhe ende nuk është bërë i mundur ndalimi i tij nga ana e policisë, pasi ky i fundit ndodhet jashtë shteti. Ndër të tjera i pyetur nga gazetarët në lidhje me investimin që kishte kryer Krasniqi në banesën e tij për kultivimin e kokainës, vlera e së cilës arrin 20 mijë euro dhe faktin që Fredi Krasniqit i duheshin të ardhura për operacionin që duhej të kryente, avokati deklaroi se paratë e investuara në këtë laborator, ishin një shumë e pakonsiderueshme dhe se operacioni kushtonte më shumë.