Hayley Mortimer dhe Paul Kenyon, dy gazetarë të medias britanike BBC, kanë ardhur personalisht në Shqipëri dhe kanë zhvilluar një tur në disa qytete të vendit. Ata kanë vizituar nga afër Kukësin, Hashin dhe Elbasanin, si dhe kanë biseduar me të rinjtë në këto qytete.
“Javën e kaluar Paul Kenyon dhe unë, udhëtuam në të gjithë Shqipërinë për të zbuluar të vërtetën pas polemikës më të madhe të migracionit që ka goditur Britaninë e Madhe prej vitesh. Ja çfarë gjetëm”, shkruan Mortimer, teksa ndan foton e një lokali me emrin e Britanisë së Madhe.
“Shqipëria është e qëndrueshme, por e varfër në krahasim me Evropën Perëndimore. Shifrat e fundit tregojnë se paga mesatare mujore është rreth 440 £. Gjetja e një pune është e vështirë dhe vazhdimisht na kanë thënë se nuk ka shumë investime të huaja për shkak të korrupsionit”, vijon gazetarja.
“Në Elbasan, në jug të kryeqytetit, takuam një grup studentësh që planifikojnë të aplikojnë për viza dhe të punojnë jashtë vendit. Ata janë mjekë praktikantë, juristë, inxhinierë. Ëndrra është Britania…por vitin e kaluar Home Office dha vetëm 267 viza pune për shqiptarët. Këtu qëndron problemi i parë.”
Dy gazetarët kanë mbërritur dhe në Kukës, vendi që mban numrin më të lartë të të rinjve të larguar drejt Britanisë. Dokumentari është realizuar dy muaj më parë, më 9 Nëntor 2022, dhe Hayley Mortimer ndan në Twitter copëza të tij.
“Ne vizituam Kukësin, në veri të Shqipërisë. Një nga pjesët më të varfra të vendit. Papunësia e të rinjve është e lartë, pagat janë të ulëta dhe ka shumë pak për të bërë këtu për adoleshentët. Qindra të rinj tashmë janë larguar për të udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar me varkë të vogël.”
Atyre u kanë rënë në sy dhe lokalet që mbajnë emrat e qyteteve angleze, të cilët janë të shumtë në Kukës dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
“Kudo ku shkuam në Kukës kishte kujtime për Britaninë. Liverpool House është një vend i njohur për adoleshentët. Një faltore për qytetin dhe Liverpool FC. Të gjithë të rinjtë që pinë këtu na thanë se planifikojnë të udhëtojnë në Mbretërisë së Bashkuar ilegalisht.”
“Na jepni viza, duam të punojmë legalisht”. Këta njerëz na thanë se duan të punojnë në ndërtim. Ata nuk duan të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm nëpër kanal, por thonë se janë të gatshëm të rrezikojnë sepse nuk u ka mbetur asgjë në Shqipëri.”
“Kudo që shkuam në veri të Shqipërisë kishte makina me targa britanike. Vendasit i quajnë “targa të verdha” dhe është një simbol statusi për të treguar se keni bërë para në Mbretërinë e Bashkuar.”
“Ne vizituam një shkollë të mesme në veri të Shqipërisë. Çdo adoleshent me të cilin folëm njihte dikë që kohët e fundit kishte udhëtuar në MB me një varkë të vogël. Mësuesi i tyre thotë se ata janë duke u infektuar nga ajo që shohin në mediat sociale.”