MENU
klinika

Konferenca shkencore “Shqiptarët dhe hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”

Gjinushi: Holokausti të mos mbetet vetëm në histori, në Shqipëri gjendet një bankë e vërtetë të dhënash

25.01.2023 - 13:10

Ditën e sotme, më 25 janar, Akademia e Shkencave dhe organizata Israeli House Albania, zhvilluan një konferencë shkencore, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit (Shoah).

Kjo konferencë, me temë “Shqiptaërt dhe Hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”, mblodhi parlamentarë, ministra dhe zyrtarë të lartë nga Shqipëria dhe Izraeli, përfshirë studiues dhe influencues.

Në fjalën e tij z. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave theksoi që fatkeqësisht dhuna, agresioni e deri pushtimet në formë klasike, janë shfaqur sot në zemër të Europës.

Po ashtu ai shtoi se nuk e konsiderojnë Holokaustin si çështje të arkivuar apo të mbetur në histori.

 “Në Shqipëri gjendet një bankë e vërtetë të dhënash për praninë këtu të hebrenjve ndër shekuj, që prej inkuizicionit deri sot. Mbi 20 mijë fletë dokumente presin thellimin e studiuesve për nxjerrjen e të vërtetave. Akademia e Shkencave do të mbështesë me përparësi programet dhe nismat shkencore në këtë fushë”, tha ndër të tjera ai.

Ky është aktiviteti i parë, në kuadër të Javës së Izraelit, pasi do të ndiqet nga disa të tjerë, organizuar nga ‘Israeli House Albania’, deri më 27 janar.

‘Israeli House Albania’ është një organizatë joqeveritare, jofitimprurëse, e themeluar në vitin 2021 nga shumë drejtues publikë dhe akademikë nga Shqipëria dhe Izraeli, me objektiv kryesor të forcojë lidhjet midis izraelitëve dhe shqiptarëve, si dhe vendeve tona.

*Fjalën e plotë të z.Gjinushi, mund ta lexoni KËTU.