MENU
klinika

Çështja e ish-drejtorit të FBI Charles McGonigal

Interpelancë urgjente me Edi Ramën, Kuvendi pranon kërkesën e Alibeaj

30.01.2023 - 18:25

Konferenca e Kryetarëve ka pranuar kërkesën e depozituar nga grupi i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, për çështjen e ish0-drejtorit të FBI Charles McGonigal.

Kërkesa erdhi menjëherë pas fakteve publikuan mediat amerikane dhe ato shqiptare, për arrestimin e McGonigal në SHBA dhe përfshirjen e dy shtetasve shqiptarë, ish-agjenti Agron Neza dhe këshilltari i jashtëm i Ramës, Dorian Duçka.

Arrestimi i ish-drejtorit të FBI dhe përmendja një dokumentet e drejtësisë amerikane për disa takime me Edi Ramën, ka bërë që politika shqiptare të përfshihet në një valë akuzash dhe kundërakuzash, për “lidhje” të pretenduara të kryeministrit shqiptar.

Deri tani nuk ka një njoftim nga Kuvendi, sepse kërkesa është miratuar mesditën e sotme, por interpelanca duke qenë se ka natyrë urgjente, mund të zhvillohet në seancën plenare të ditës së enjte.

Ndërkohë, në mbledhjen e sotme përfaqësuesja e PD në Konferencën e Kryetarëve, Flutura Açka ka ngritur më forcë shqetësimin për mënyrën se si u mbyll seanca e shkuar, duke shmangur kështu debatin për skandalin McGonigal. Açka e quajti fashizëm Parlamentar atë që ndodhi në Kuvend.

“Po ndodh fashistizimi i Parlamentit. Në nuk jemi as prokurorë dhe as inkuizitorë por jemi mandatuar të kërkojmë llogari dhe mbyllja e seancës është shkelje e Rregullores së Parlamentit dhe Kushtetutës së Republikës”, mësohet të ketë thënë deputetja demokrate.