MENU
klinika

Nga Profesor i asocuar, Dr Përparim Kabo

“Kritika e Etikës Globale”-Thirrje për Vetëdije Globale…

31.01.2023 - 13:27

Jeta e vrullshme është e tillë, sa që shpesh të duket se ajo, me dashje, nuk do të ndërtojë parime, sepse nuk do që të mbajë pengun e përgjegjësisë ndaj tyre. Është fjala për jetën e individit, komunitetit, shoqërisë dhe më gjerë akoma, shoqërisë globale. Vrapon në mënyrë marramendëse tregu, sepse qëllimi është fitimi dhe sigurimi maksimal i tij, e si i tillë, ky fitim është paraja, ndaj e gjithë loja përthyhet në bankë dhe kreditim, është investim dhe fitim, është risk dhe rrezikim, është dështim dhe falimentim. Në shërbim të tyre, për fatin jo të mirë të një zhvillimi gjithëpërfshirës, janë të bashkëngjitura në këtë vrull, gati eruptiv, edhe forma të tjera të organizimit, madje edhe profesionet e lira, që më herët kishin qenë modele të shërbimit dhe qëndrimeve të virtytshme me prirje nga publikja. Fatkeqësisht edhe ato janë tregëzuar, aq sa është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të dallosh se ku fillon e mbaron virtyti moral dhe ku fillon e deri ku shkon virtyti profesional.

Çfarë është e virtytshme dhe çfarë është e përdorshmja për interes?

Jemi në kushtet e një shoqërie globale, që gjithnjë e më tepër i është larguar etikës dhe rregullave morale. Vendin e tyre e kanë zënë parimet dhe amoraliteti i tregut, i cili nuk është as moral e as imoral, është pëtej moralit, është amoral, është i interesave. Kapitalizmi Imperial i Tregut, kjo perandori financiare, më e madhja e të gjitha kohërave, me qendrat e saj imperiale të kreditimit, ka vënë nën një sundim të hapur pjesën tjetër të botës ose, si edhe njihet, periferinë, që është tregu më i gjerë, i cili kreditohet. Aberacioni e ka larguar kapitalizmin e ditëve tona nga parimet e hershme borgjeze të iluminizmit, i cili, si një ideologji ndriçuese dhe humane, me misionin për ta nxjerrë përfundimisht shoqërinë nga errësira e Mesjetës, zgjoi vetëdijen njerëzore, e mëkoi atë dhe edukoi njerëzimin, duke e ushqyer me dijen. Filozofia borgjeze e iluminimit nxiti përmbysjen e madhe në historinë e shoqërisë njerëzore, daljen nga feudalizmi dhe mesjeta përfundimisht.

Immanuel Kant, tek “Formula e Mbretërisë së Përfundimeve” shprehet: “…Veproni sikur të ishit, sipas parimeve tuaja, një anëtar ligjbërës i një mbretërie qëllimesh! Asnjëherë mos e trajtoni një person si një mjet për një qëllim! Njerëzit janë gjithmonë qëllime në vetvete”. Ne kurrë nuk duhet të përdorim ose të shfrytëzojmë askënd për çfarëdo qëllimi.” Kjo është një kredo e dinjitetit njerëzor, si raport i veprimit të moralshëm dhe dialogimit me ligjin. Karakteri i gjerë, jo përjashtues, shprehet në termin “njeriu”, pra, pa adresim specifik të ngushtë dhe të paracaktuar nga kushte materiale apo pushtetore, ideologjike, fetare apo ekonomike. Njeriu në qendër.

Cilat janë dy nga idetë e rëndësishme të Kantit për etikën? Një ide është “universaliteti”: Ne duhet të ndjekim rregullat e sjelljes që mund t’i zbatojmë universalisht për të gjithë dhe kurrë nuk duhet t’i trajtojmë njerëzit si një mjet për një qëllim, por si një qëllim në vetvete. Për Montesquieu-n, shteti i së drejtës do të thotë se përdorimi i pushtetit politik i nënshtrohet kufizimeve formale të rregullave ekzistuese, që janë të kodifikuara në ligjet pozitive të vendit. Do të thotë se askush nuk është mbi ligjin dhe se veprimet e shtetit duhet të jenë në përputhje me standardet e njohura publikisht.

“Ashtu si shumë filozofë europianë në periudhën e hershme moderne, Baruch Spinoza zhvilloi një filozofi morale, që shkriu njohuritë e teorive të lashta të virtytit me një konceptim modern për njerëzit, vendin e tyre në natyrë dhe marrëdhënien e tyre me Zotin. Megjithatë, ndryshe nga shumë autorë të tjerë në këtë periudhë, Spinoza ishte fuqimisht kundër antropocentrizmit dhe nuk kishte asnjë përkushtim ndaj pikëpamjeve tradicionale teologjike. Metafizika e tij unike motivoi një filozofi morale intriguese. Spinoza ishte një antirealist moral, në atë që mohonte se çdo gjë është e mirë apo e keqe, pavarësisht nga dëshirat dhe besimet njerëzore. Ai gjithashtu miratoi një version të egoizmit etik, sipas të cilit secili duhet të kërkojë avantazhin e tij; dhe, ashtu si ndodhi me Thomas Hobbes, kjo nga ana e tij e shtyu atë të zhvillonte një version të kontraktuarizmit. Megjithatë, versionet e Spinozës për secilën prej këtyre pikëpamjeve dhe mënyra se si ai i pajton ato me njëra-tjetrën, ndikohen në mënyra magjepsëse nga tabloja e tij metafizike, jo shumë ortodokse.”
* * *
Kur studimi me titull “Kritika e Etikës Globale”, e autorit Dritan Abazoviq, më erdhi në duar dhe u promovua në Shqipëri, m`u besua të flas për të në mënyrë oponenciale. Ishte fat, sepse punimi shkencor gjeti te unë një studiues, që, së paku, për rreth 30 vite është marrë teorikisht me globalizmin dhe me krizën e kapitalizmit global. Në një farë kuptimi, librat janë si anijet: ka të vogla dhe të ujërave të cekëta, që lundrojnë afër brigjeve, ka të mëdha, që shkojnë ujërave të thella dhe ndeshen krenarisht me dallgë të larta e të fuqishme, dhe, pasi e kanë përballuar stuhinë në det, vijnë e futen në porte, duke kërkuar ditë të qeta dhe vend të mirë ankorimi. Pra, libri i doktor Dritan Abazoviq mbërriti në “brigjet” e mia të hulumtimit, pasi unë kisha skeduar në mënyrë të plotë, për interesa botimi, studimin e Kantit; “Kritika e Arsyes Praktike”, që ka të bëjë me arsyen e moralit të sjelljes. Termi “praktike” është përdorur prej filozofit gjerman në këtë këndvështrim. Këtu Kanti zbulon ç`është vullneti i lirë si “imanencë” e brendshme, që shpreh raportin e moralit me ligjin, ai argumentoi pse sjellja e njeriut duhet të bazohet në përvojën á priori, e cila shmang subjektivizmin dhe interesin e ngushtë të individit.

Tek shfletova librin e autorit Dritan Abazoviq, që në leximin e titullit dhe në faqet e para, më erdhi natyrshëm në mendje! “Kritika e Arsyes së Kulluar”, e Kantit. Gjithashtu, sapo kisha përfunduar një pjesë të rëndësishme të punimit tim në proces, një punë gati 15-vjeçare, që titullohet “Antropologjia e Turmës”. Kisha përmbyllur kapitullin me titull; “Kuptimi për veten si vetëreferim”. Për këto arsye ideore, leximi i librit “Kritika e Etikës Globale”, ishte një kënaqësi erudite, një lloj dialogu me veten dhe me autorin. Lënda shkencore, referimet e bollshme e të begata dhe metodologjikisht të përzgjedhura, si edhe i gjithë sistemi konceptual, i përdorur dhe i shpjeguar; si të thuash, gjetën një strehë të habitatit të tyre organik në ndërgjegjen time shkencore.

Autorin Abazoviq e njihja si politikan aktiv dhe atipik, nëse do ta krahasoja me të tjerë, më të hershëm, në rajonin e Ballkanit, por nuk e njihja si studiues mirëfilli. Që në krye të shfletimit të librit, më goditi pozitivisht struktura e lëndës dhe deri në mbyllje të studimit të tij( ka libra që lexohen dhe ka që studiohen, “Kritika e Etikës Globale”- vetëm studiohet, gjithfarë leximi tjetër do ishte një sjellje shumë shumë sociologjike, por jo filozofike dhe sigurisht e pamjaftueshme për të përfituar nga ky punim dinjitoz) më shoqëroi një dhënie-marrje me autorin dhe me gjithë problematikat që ai ngre në punimin e tij doktoral, tashmë të botuar edhe në gjuhën shqipe. Nuk është për t’u habitur, nëse përballë një imperialiteti global, në kushtet e ethshme të zhvillimit, të kurajosh të shohësh në thellësi, të kqyrësh në strukturë e të shkosh deri në kapilare të moralitetit të tij.

Jezu Krishti këtë kuptoi, fëlliqësirën se ku kishte rënë Perandoria Romake dhe ia nisi punës me njeriun për një ringritje morale. Është mëse e drejtë ajo që diskutohet prej disa dekadash në lidhje me krizën morale të globalizmit. Studiuesi Abazoviq i është bashkuar mendimit më të përparuar sociologjik, filozofik dhe ekonomik, por edhe atij etik e socio-liturgjik në analizën që i bën globalizmit si koncept, si karakter dhe si etikë. Qartazi, autori ka nënvizuar se, kur flasim për globalizmin, duhet të mbajmë në vemendje një sërë procesesh që fshihen pas këtij termi, për të cilat ka qendrime dhe shpjegime të ndryshme. Globalizmi si konceptim, nisur nga struktura, raportet, marrëdhëniet, sundohet prej tregut global, nga autoriteti, mekanizmat dhe parimet e tij, qe karakterizohen nga një paqëndrueshmëri turbulente.

Përballë pyetjes: A ka një ideologji apo ideologjizim në shoqërinë globale?… autori druhet të pranojë se ka, sepse turbokapitalizmi (termi që përdoret aktualisht) ,- nënvizon ai, me dinamikat tejet të larta, prish ekuilibrat në të gjitha fushat e jetës dhe aktivitetit dhe nuk lë mundësi për parime në gjuhën e një metafizike globale. E vetmja ideologji është ajo e tregut.

Çështja shtrohet. Kjo ideologji është iluministe, humane dhe në shërbim të interesave publike, të tolerancës dhe dialogut, është e tillë që nxit përgjegjshmërinë dhe vetëkontrollin apo është një ideologji gati – gati pagane, si edhe ka vënë në pah Erich Fromm, kur fliste për njeriun në treg?

Nuk ka rëndësi, -thotë ai,- se çfarë besimi ai ka, hindu apo kristian, ortodoks apo mysliman. Njeriu, kur del në treg, si ai pagani i dikurshëm, që mendonte: “Vrite, para se të të vrasë”, është ethshëm, i përfshirë sipas motos: “Fito ti, para se të fitojë ai, pa çka se ai mund të humbë apo të falimentojë”.

Ka autorë që, bazuar tek ideologjia e tregut, kanë avancuar edhe termin “fondamentalizmi i tregut”, që në thelb është procesi i rirreshtimit të tregjeve, si pasojë e humbjes së tyre në rastet e kreditimeve që nuk ke fuqi t`i kthesh më. Kujdesin më të madh duhet ta bëjnë vendet e vogla, me ekonomi të brishta dhe me probleme që lidhen me mungesën e një stabiliteti politik. Kreditimet e pamotivuara dhe të keqllogaritura, të shpien herët ose vonë tek humbja e sovranitetit mbi tregjet e brendshme.

Dritan Abazoviq i referohet disa nga mendjeve eminente të mendimit shkencor, që kanë përpunuar këtë problematikë. Takojmë në punimin e tij Ulrich Beck, sociologun e shquar gjerman, i cili ka nënvizuar se “tregu ka zëvendësuar veprimin politik”, nënvizohet teza e Manfred Steger, një studiues i shquar për globalizmin, tejet i njohur në SHBA dhe Australi, se “tregu është në qendër dhe autoriteti i tij urdhërues e orientues qendron mbi pushtetet e tjera”.

Citohet me të drejtë Joseph Stiglitz (fitues i çmimit Nobel), kur shpehet se: “Ky lloj sistemi që po favorizon pasurimin e një pjese të shoqërisë dhe varfërimin e shumicës, nuk është moral.” Ajo çka bie në sy në punimin në fjalë, është korrektesa e qasjes ndaj koncepteve. Flitet për globalizëm dhe për globalizim, për pacifizëm dhe pacifizim, etj; në të gjitha rastet ky lloj sqarimi është mëse i nevojshëm për të ndërtuar arkitekturën e mendimit dhe të argumenteve. Shpesh ndodh që, përdorimi jo adekuat i koncepteve, e ngrys arsyetimin dhe e shpie në shpjegime të mjegullta. Kjo qartësi konceptuale në librin që po analizojmë, është në një farë kuptimi edhe një lloj enciklopedie e globalizmit dhe etikës globale. Autori bashkohet hapur me shqetësimin, nëse globalizmi do të sjellë emancipim dhe zhvillim gjithëpërfshirës apo sundim authoritarian të qendrave imperiale të tregut. Si edhe ka mëtuar herët, qysh në krizën financiare të vitit 2008 ish kryeminstri anglez Gordon Brown, globalizmi nuk mund t’i zgjidhi krizat, duke ia hedhur ato vendeve në zhvillim apo të varfra. Pra, globalizmi nuk është (“one way”) rrugë me një kalim, ai duhet konceptuar dhe zbatuar si një udhë e gjërë me dy korsi, vajtje dhe ardhje.

Në një vend, autori Abazoviq shkruan se ka rëndësi “gjetja e njeriut si bartës i vlerave në shoqëri.” Por çfarë ka ndodhur tek njeriu në shoqërinë globale? Mes homo etikus, homo politikus, homo religious dhe homo economicus, ky i fundit ka marrë komandën brenda njeriut. Pra, ka ndodhur edhe aberacioni i njeriut të tregut, është rimoduluar në mënyrë mutatike vetë struktura e qënies. Homoetikus po shkon sërish në kryq, jo në atë të Jezusit, por në kryqet e bankave, bursave dhe kreditimeve që e kanë shndërruar njeriun e tregut në një antropoindivid egoist, të papërsosur dhe pa interesa për të qenë i tillë. Globalizmi i tregut zotëron dhe kontrollon të gjitha format e tjera të globalizmit. Shoqëria globale, si shoqëri e tregut, e ka të vështirë të mbajë strukturën mbi parime etike, ndaj ajo dorëzohet herë – herë përballë parimeve të tregut. Ulrich Beck ka ndërtuar tezën e tij “Shoqëria e rrezikut” dhe shprehet se “shoqëria e rrezikut” është një kusht strukturor i pashmangshëm i industrializmit të avancuar. Shoqëria moderne është bërë një shoqëri me rrezik, në kuptimin që ajo është gjithnjë e më e zënë me debatimin, parandalimin dhe menaxhimin e rreziqeve që ajo vetë ka prodhuar.” Manfred Steger, ka nënvizuar se “globalizmi është një matricë e proceseve shoqërore, që po transformon gjendjen tonë aktuale shoqërore dhe kombësinë konvencionale në një gjendje të globalitetit.”

Kriza e Etikës Globale apo Kriza Morale e Globalizmit?

Do ishte e vështirë që të gjenim të formuluar një etikë globale, e cila, pasi ishte vënë në provë, të kishte hyrë në krizë. Ndaj autori na ndihmon, duke gjetur një formulim më të kuptueshëm dhe më të afërt, kur nënvizon se nuk mund të bëhet fjalë për një etikë universale, por së paku për një marrëveshje globale për minimumin e disa standardeve të caktuara. Studiuesi Dritan Abazoviq, ka sjellë qartazi, me shtjellime ndër kapituj të veçantë, disa vlera në kushtet e politikës globale, që ai i çmon edhe si parime morale, dhe njëherësh edhe si udhërrëfime të sjelljes. Dhe këto parime janë: Dialogu-Toleranca-Solidariteti-Përgjegjësia-Ndërkulturalizmi-Pacifizmi-Filozofia e Gjelbër. Shtrimi i këtyre çështjeve, analiza gati didaktike e tyre, rekomandimet e autorit, personale apo të referuara tek autorë të tjerë, ku ai gjen rrënjët dhe mbështjetjen, shprehin ndjenjën e përgjegjësisë të këtij studiuesi, njëherësh edhe politikani tejet aktiv dhe i vlerësuar

Shkurt, parimet e tij studimore janë edhe parime të sjelljes së tij politike. Ja si shkruan autori:”…Që të zbatohet çdo gjë në praktikë, shkencat shoqërore duhet të formësojnë, të paraqesin dhe të vërtetojnë atë teorikisht dhe metodologjikisht. Çdo zgjidhje fillon me identifikimin e problemit. Të vetëdijshëm se nuk duhet të qëndrojmë symbyllur ndaj asaj që po ndodh, shtjellime të tilla multidisiplinare veshin një domethënie kuptimplote.”

Një studiues serioz ka nevojë për etos-logos-patos. Etosi ka të bëjë me autoritetin për të folur mbi këtë temë. Logos është argumenti logjik për temën. Patosi është përpjekje për të tronditur emocionalisht audiencën. Kur e studion këtë punim doktoral, që na ka ardhur si botim, i ndien realisht të tri këto tipare thelbësore të një studiuesi serioz. Etosi i zotit Abazoviq demonstron erudicion dhe ekspertizë. Logosi i tij është i thellë dhe argumentues.

Pathosi i tij është qartazi, tejet bindës. Psh: autori insiston gjatë gjithë studimit për krijimin e një shoqërie të denjë, që do të vërë në qendër dinjitetin njerëzor. Të barabartë në dinjitetin njerëzor! Kjo thirrje vjen që nga Dhjata e Vjetër të “lirë nga frika”. Është gjithashtu edhe parim universal i shpallur edhe në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, të OKB. Autori e shtrin këtë parim duke mëtuar se, edhe popujt, dhe kombet duhet të trajtohen të barabartë në dinjitetin e tyre, duke mbajtur në vemendje dhe duke respektuar aspekte të sfondit të tyre historik, si dhe duke korrigjuar me maturi gabimet që mund të jenë bërë në të shkuarën e largët dhe të afërt.

Në rastin kur flet për “Pacifizmin”, autori, me një qartësi të admirueshme e nis udhëtimin e argumentit nga Konfuci, Turkiditi, Platoni, Makiaveli, Erazmi Roterdamit dhe ndalet te Kanti, jo pa qëllim. Tek Kanti ai shtjellon luftën si ngjarje dhe luftën si institucion dhe zbret natyrshëm tek dy koncpetet: pacifizëm dhe pacifizim, duke nënvizuar se pacifizmi është individual, pacifizimi është institucional. Si i tillë, ai ka të bëjë me institucionet politike, por edhe me ato ndërkombëtare. Autori përmend studiuesin britanik, Martin Ceadel, që njihet gjërësisht për botimin e tij studimor të titulluar:”Duke menduar për luftën dhe paqen.”

Le të shohim një argument tjetër të shtjelluar nga autori, Interkulturalizmin. Në fjalorin e globalizmit takohen shpesh, -nënvizon autori i punimit, -gati – gati ka një lloj trafikimi inflacionist të termave multikulturalizëm (lexo kultura në shumës) dhe interkulturalizëm (ndërkulturalizmi), por termat nuk janë identikë, pa çka që, në çdo rast të interkulturalizmit, kultura është në shumës. Multikulturalizmi shpreh bashkëjetesën e disa kulturave në të njëjtën shoqëri, por jo domosdoshmërisht ndërveprimin mes tyre. Interkulturalizmi ka të bëjë me njohjen e vlerave, stilit të jetesës së individëve dhe shoqërisë, njohjen e shumëllojshmërisë dhe ndërvperimin mes kulturave, që shpie në një dialog ndëraktiv, në dhënie e marrje dhe në një pasurim reciprok.

“Kur flasim për aspektet etike në politikën globale,-mban qendrim autori,-para së gjithash nënkuptojmë globalizmin dhe mënyrat e transformimit pozitiv të tij.”

Dilema është: “A do të duhet të dorëzohemi, duke pranuar se globalizmi është vetëm ekonomik apo duhet të përpiqemi që ai të shpërfaqet edhe në forma të tjera, që na shpien në thelbin etik të raporteve, marrëdhënieve dhe marrjes së vendimeve?”

Më thjesht: “A do të kemi njerëz dhe shoqëri me skrupuj dhe me ndjenjë përgjegjësie apo vetëm një bashkësi transaksionale të individëve të tregut?”

Autori shkon në skaje, kur bashkohet me të gjithë ata studiues, politikanë, njerëz të kulturës, shkencës, besimit fetar, të cilët kërkojnë dhe përpiqen që shoqëria globale dhe globalizimi si proces, të jenë dhe etikë. Është urdhëruese një globalizëm me fytyrë njeriu, bazuar dhe udhërrëfyer nga humanizmi. Nëse e pranojmë globalizmin si një proces gjithëfaktorial, atëherë pasojat e tij nuk duhen ndarë në të favorshme për një pakicë dhe jo të favorshme për shumicën e njerëzimit. Ky është njëri nga përfundimet që nxjerr në punimin e tij studiuesi Dritan Abazoviq. Një strukturë e tillë, ku konfliktualiteti social-ekonomik priret nga mosgjetja e zgjidhjeve, por nga antagonizmi, do ta çajë vetveten dhe pasojat do të sjellin një tektonizëm në të gjithë ngrehinën. As edhe vetizolim apo krijimi i shteteve të mbyllura nuk e zgjidh problemin.

E para, se vetëpërjashtim absolut nuk ka, sa kohë që në tregun global operohet me monedhat kryesore: Dollar Amerikan, Euro, Paund dhe Jenin japonez. Kështu që, do apo nuk do, në shitje-blerje do përdorësh këto valuta ndërkombëtare. Gjithashtu, edhe rasti tjetër ekstrem, që shtyn për ta hedhur krizën dhe pasojat e saj vetëm mbi shumicën e varfër, nuk e zgjidh dhe as e tejkalon atë. Çdo vend duhet të mbrojë tregjet e tij, duhet të ndërtojë instrumente për të garantuar sovranitetin mbi tregjet e veta. Përndryshe, humbja e tyre do të thotë shitja e ekonomisë kombëtare në treg ose atdheu i humbur.

Kur analizon anatominë e moralit bashkëkohor, autori ngre një shqetësim: “Në çfarë bote jetojmë dhe a kemi çfarë të dëshirojmë? Është një pyetje e hapur që mbetet për t’u përgjigjur. Shpjegimi i autorit është tërheqës, sepse ai, jo pa qëllim kapet me tezën e postmodernizmit, e cila mëton se: “Në këtë shoqëri ka një lloj pluralizmi të përgjithshëm”. Në të nuk ka kuptim koncepti i subjektit apo shpërbërja e vlerave. Njeriu jashtë përgjegjësive, kjo është çështja. A mund t’i iki ai këtij detyrimi historik? Pra, a mund të quajmë postmodernitet një shoqëri globale apo të pjesshme, ku mbajtja e përgjegjësisë nuk ekziston? Termi “postmodernizëm”, si edhe vë në dukje Dritan Abazoviq, e ka prejardhjen nga një filozofi kulturore. Ishte Arnold J. Toynbee, historian i filozofisë, që parashtroi se stilet e reja relativizojnë dhe shfuqizojnë konceptet klasike dhe që shpien në heqjen dorë nga gjithçka metafizike, pra, kalojmë kështu në një shoqëri pa parime. Në vend të simetrisë dhe hierarkisë, që ishin tipare të modernitetit, postmodernizmi flet për jashtëqenësoren, dallimin, pabarazinë, distancimin.

Shkohet pa pengesa drejt një relativizmi gati – gati cinik, i cili përpiqet të përligjet me krizën e së arsyeshmes. Slogani është: “Liria pa Përgjegjësi”, që ka shpënë tek “Qytetërimi i Spektaklit dhe Publicitetit”. Nëse moderniteti i ka rrënjët e veta gnoseologjike dhe ato etike te iluminizmi i shekullit 18-të dhe fillimshekullit 19-të , po postmodernizmi që nxit dhe propagandon ndryshimin e stilit, jo vetëm të krijimit, por edhe të qëndrimit, sjelljes, raporteve në familje dhe në shoqëri; madje deri edhe në kuptimin për veten dhe lirinë personale, a e mban të lidhur tërësinë e vet me hallkat e zinxhirit njerëzor ndër shekuj dhe epoka, apo kemi të bëjmë me një këputje të kësaj lidhjeje me kryepasojë, mosmbajtjen e përgjegjësisë?

Në një këndgjykim tjetër, që nuk largohet nga çështja, është: Çfarë është posmoderniteti? Të gjesh dhe trashëgosh një shoqëri njerëzore të ndërtuar dhe të zhvilluar nga përgjegjësia dhe ta zëvendësosh atë me një shoqëri globale jashtë dhe pa mbajtjen e përgjegjësisë? Autori ndalet te studiuesi amerikan, Frederic Jameson, i njohur për studimet e tij qendërzuar te “Postmodeniteti dhe Kapitalizmi” dhe të përmbledhura në botimin me titull: “Postmodenizmi ose Logjika Kulturore e Kapitalizmit të vonë”, si edhe te punimi me titull “Pavetëdija Politike”; dhe përpunon tezën, nëse duhen apo nuk duhen parime të gjithëpranuara në trajtën e vlerave të përbashkëta në atë që njihet si shoqëri postmoderne.

Autori Dritan Abazoviq rreshtohet me argumentet e tij, krahas të gjithë atyre studiuesve që argumentojne se: “Ekzistojnë vlera të përbashkëta ose përgjithësisht të pranuara” dhe me shumë sqimë, arsyetimin e tij e lexojmë përbri Fromm, Adler dhe të tjerë, tashmë, të mirënjohur dhe konsideruar. Në gjurmët e John Lock, zoti Abazoviq e nis me vlerën e parë, me jetën. Herët, Lock kishte përcaktuar se marrëveshja e besimit mes shtetit, shoqërisë dhe individit, lidhej me tri të drejta parësore: Respektimi i jetës, i pronës dhe i lirisë. Nëse jeta është e rrezikuar, e shpërfillur apo si edhe po ndodh, e trajtuar si mall tregu, atëherë shoqëria është tejet e rrezikuar.

Këmbana e autorit të këtij studimi është: “Nëse jeta e njeriut është mall, atëherë dalja e saj në treg e shndërron atë në një mall, si edhe mallrat e tjerë.” E citoj:” Duhet të pranojmë, se në epokën moderne dhe postmoderne, në epokën e kapitalizmit të fuqishëm dhe të fundamentalizmit të tregut, jeta si vlerë është kthyer në një ‘ lëndë e parë ‘ ose ‘ burim ‘ që mund të përdoret dhe konsumohet pa kufi dhe pa mëshirë. Ky vlerësim, mbase duket pak sa i ashpër, por atëherë le të kujtojmë historinë dhe vuajtjet masive të njerëzimit…Do të përmendim vetëm problemet e varfërisë dhe vdekjet e vazhdueshme nga ky fenomen, kequshqyerjen e fëmijëve apo, në rastin më të keq, konfliktet e luftërat aktuale në shekullin e 21-të. Nuk do të flasim për torturat e dukshme të punëtorëve në vendet e botës së tretë, as për preokupimin e qytetarëve me punën, që mundëson dehumanizimin si fenomen modern epidemiologjik dhe sëmundje të epokës postmoderne.” Në vijim, autori me një kthjelltësi që të entuziazmon, merret qartësisht me ‘biopolitikën” dhe shtetin e biopolitikës si kontroll dhe një lloj represioni mbi jetën. E vlerësoj përfundimin e autorit, kur shkon në përcaktimin se:” Procesi shoqërohet me dëshirën që biopolitika të bëhet pjesë e kulturës së të jetuarit dhe historia e saj të përfshihet në relativizmin kulturor. Biogjenetika: si pjesë e biopolitikës, po përpiqet ta skllavërojë medoemos natyrën.”
* * *
Çdo lexues, i kualifikuar apo modest, natyrshëm që do shtronte pyetjen: “Ç`është Etika Globale, me pak fjalë?

Është ajo një tërësi normash të përfunduara që anashkalohen dhe nëpërkëmben apo është diçka tjetër?” Autori shkon krejt logjikisht në këto pyetje dhe nuk na lë asnjë peng mjegullimi. Ai është i qartë dhe shterues. Etika globale,- nënvizon ai me argumente dhe analiza, me konceptualitet dhe me arkeologji historike, me referenca dhe me mendim të mëvetshëm,- është ajo ku duhet të arrijmë, nuk është universale, që do të thotë se nuk është ende përfundimtare dhe e finalizuar, është një proces i vështirë, që i nënshtrohet ndryshimit.”Etika e globalizmit nuk është një projekt politik, megjithëse zotëron elementet e saj, ajo është një proçes i ndryshimit të vetëdijes së përgjithshme të njerëzimit, i cili me veprimet dhe veprat e tij ka rrezikuar të ardhmen e vet.” Përballë një realiteti të tillë, autori i studimit ka marrë përsipër pozicionin e marrjes së përgjegjësisë. Gjithçka ai shkruan në librin e tij, nuk është një vel idilik komunikimi libror. Përkundrazi, është përshfaqje dinjitoze sipas moralit, se çka unë mendoj është edhe çka unë përpiqem të realizoj. Veprimi im politik ka në sfond kuptimin tim për botën dhe shoqërinë globale. Politikanë të tillë janë të rrallë në Ballkanin Politik, por edhe më gjërë. Sa thjesht dhe solemnisht e mbyll studimin e tij Dritan Abazoviq, tek shprehet;” Secili prej nesh mban një pjesë të përgjegjësisë për të ardhmen e vetvetes, por edhe për të ardhmen e gjithë komunitetit global, ndaj sjellja jonë duhet të bazohet në vlerat universale, etikën globale dhe kërkimin e së mirës. Vetëm në këtë mënyrë mund të kemi një qytetar të përgjegjshëm të botës.”