Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi deklaron se ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal ka marrë urdhëra për të shantazhuar dhe sulmuar fillimisht Ilir Metën, në kohën kur ky i fundit ishte President i Shqipërisë. Teksa ishte e ftuar mbrëmjen e sotme në një lidhje ‘Skype’ në emisionin ‘5 Pyetjet’, Kryemadhi tha se inidicia e parë në gusht të 2017-ës ishte Meta e më pas kontrolli në Gjykatën Kushtetuese.
‘Janë përdorur dhe instrumenta të tjerë. Në dijeninë time, Mcgonigal është kontaktuar për të shantazhuar dhe sulmuar presidentin e asaj kohe, Ilir Meta. Ka qënë indicia e parë në gusht të 2017, për Metën, për të vazhduar më pas e për të kontrolluar Gjykatën Kushtetuese.’- tha ndër të tjera Kryemadhi.
Çfarë ndodhi me dosjen McGonigal në Shqipëri?
Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal.