MENU
klinika

'Bumerangu' i Vuçiçit

Nacionalistët që ushqeu vetë, i kthehen kundër!

30.01.2023 - 13:58

Me pohimin publik se po të mos pranojë propozimin europian për marrëveshjen me Kosovën, Serbia do të përballet me pasja të mëdha politike dhe ekonomike, presidenti serb Aleksander Vuçiç u përpoq të zbuste mesazhin që po i dërgonte popullit, e sidomos njërit prej segmenteve më problematikë të tij për sa i takon lëshimeve për Kosovën.

Ekspertët serbë të zhvillimeve politike thonë se më këtë lëvizje, Vuçiç rrezikon reagime të ashpra nga nacionalistët, reagime këto që në fakt janë pasojë e retorikës anti-perëndimore që vetë presidenti serb ka përdorur prej vitesh.”

Situata në të cilën gjendet tani Vuçiç është një lloj bumerangu. Atmosfera dhe mjedisi, që në masë të madhe është krijuar nga ai vetë, e armiqësoi Serbinë me Perëndimin dhe tani i duhet të merret me këtë problem. Mendoj se kjo mund të jetë e rrezikshme”, thotë për VOA-n Maja Pishçeviç, eksperte nga Beogradi e Këshillit të Atlantikut. “Anëtarët e partisë së tij dhe këtu po flas për 700 000 anëtarë, që presidenti i përmend shpesh me krenari, tani janë në gjendje shoku dhe të hutuar: si ka mundësi që ai i cili u mësonte atyre se Kosova është pjesë e Serbisë, tani po ndryshon politikën e tij. Atij do t’i duhet kohë për të qetësuar këtë gjë.

Nëse ai nënshkruan marrëveshje për Kosovën, kjo do të ishte një lloj drejtësie kozmike që ai i cili aktivisht e krijoi problemin e Kosovës, tani duhet ta zgjidhë atë” tha gazetari serb, Boshko Jakshiç. Analistët megjithatë, vlerësojnë se në këtë moment, politika serbe nuk ka një figurë më të fuqishme se sa Vuçiç që të përballet me këto reagime, ndaj nuk përjashtohet mundësia që pranimi i propozimit europian ta nxjerrë atë fitues në nivel ndërkombëtar.