13 persona, mes tyre 3 shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë për 62 mijë litra naftë kontrabandë nga Libia që kishte destinacion Shqipërinë. Një sasi prej 62 mijë litra naftë u sekuestruar nga policia bashkë me 2 mjete lundruese peshkarexha. Anijet u konstatuan më 12 janar dhe një ditë më pas u krye operacioni i policisë shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanza italiane që arrestoi pjesëtarët e ekuipazhit të anijes “Geni” dhe anijes libiane “Abobakr 124”.
Ata janë identifikuar si: Elton Qevani, 31 vjeç, Klajdi Kapxhiu, 30 vjeç, Selim Gaba, 65 vjeç, banues në Durrës dhe Muhamet Eltawargy, 50 vjeç, shtetas i huaj, pjesë të ekuipazhit ‘Geni’.
Ndërsa në ekuipazhin e anijes libiane Muhamed Arafe, 48 vjeç, Ahmed Zantawi, 34 vjeç, Ahmet Abdurrabu, 32 vjeç, Said Nwegi, 38 vjeç, Muhamed Mahmut, 61 vjeç, Eshref Kahlife, 34 vjeç, Islam Ashkar, 34 vjeç, Ali Hadad, 43 vjeç dhe Adil Badawi, 55 vjeç.
Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”,
dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Njoftimi i plotë
Vijojnë operacionet e përbashkëta me partnerët, nga toka, ajri dhe deti, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, trafiqeve të paligjshme dhe kontrabandës.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Geni”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me GDF-në dhe rojën bregdetare.
Goditet një tjetër rast i tentativës për futjen kontrabandë të naftës në vendin tonë, nëpërmjet mjeteve lundruese.
Sekuestrohen rreth 62.000 litra naftë të kontrabanduara, të ardhura nga Libia, si dhe 2 mjete lundruese peshkarexha.
Vihen në pranga 13 shtetas, 10 prej tyre shtetas të huaj.
Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Drejtues i Lartë Saimr Boshnjaku, së bashku me Drejtorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Gentian Ndoi, Kapiten Pascale Paolo dhe Lougotenente Prosdocimo Marco të Nuklit Detar të GDF-së në Durrës, si dhe përfaqësuesin e zyrës së Interforcës Italiane në Shqipëri Ferdinando Rucco, në konferencë për shtyp për finalizimin e një tjetër operacioni të përbashkët me qëllim goditjen e një rasti të tentativës për futjen kontrabandë në vendin tonë, të një sasie të madhe karburanti.
Përshëndetje,
Jemi këtu së bashku me përfaqësuesit e GDF-së dhe të Zyrës së Interforcës italiane në Shqipëri, për të bërë prezente rezultatet e një tjetër operacioni të përbashkët për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, trafiqeve të paligjshme dhe kontrabandës.
Në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, midis strukturave të Policisë së Shtetit, Zyrës Ndërlidhëse italiane Interfocë, GDF-së, QNOD-së dhe rojës bregdetare, bazuar në inteligjencën informative të siguruar nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, se në hapësirën detare mund të kryhej veprimtaria e paligjshme e kontrabandimit të naftës për në Shqipëri, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Geni”.
Bazuar në këto informacione të siguruara nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, lindi nevoja e përfshirjes në operacion edhe të një avioni të GDF-së, e Barit të Italisë.
Në operacion u përfshinë shërbimet e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, në bashkëpunim me shërbimet e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, DVP Durrës, Delta Forcë, shërbimet e Nuklit Detar të GDF-së në Durrës, shërbimet e QNOD-së dhe roja bregdetare.
Si rezultat i koordinimit të shërbimeve u bë i mundur identifikimi i dy anijeve të peshkimit të cilat dyshohet se po realizonin këtë veprimtari të kundërligjshme, në det.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 2 anijet e peshkimit, konkretisht anijen shqiptare “Geni” dhe anijen libane “ABOBAKR 124”, të cilat në përfundim të veprimeve të para hetimore u sekuestuan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 62.000 litra naftë pa dokumentacionin përkatës.
Në vijim të veprimeve hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, më datë 12 janar 2023, u bë arrestimi në flagrancë i pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes “Geni”, konkretisht:
E. Q., 31 vjeç, K. K., 30 vjeç, S. G., 65 vjeç, banues në Durrës dhe M. E., 50 vjeç, shtetas i huaj.
Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat
paguhet akcizë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”,
dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.Po në vijim të veprimeve operacionale dhe hetimore, më datë 13 janar 2023, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve të huaj, pjestarëve të ekuipazhit të anijes libiane “Abobakr 124”, e cila dyshohet se ka furnizuar me naftë të kontrabanduar anijen shqiptare, konkretisht shtetasit:
M. A., 48 vjeç, A. Z., 34 vjeç, A. A., 32 vjeç, S. N., 38 vjeç, M. M., 61 vjeç, E. K., 34 vjeç, I. A., 34 vjeç, A. H., 43 vjeç dhe A. B., 55 vjeç.
Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabande” dhe “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”.
Operacioni policor dhe veprimet hetimore kanë zgjatur 48 orë, në det dhe në tokë. Gjatë operacionit u bllokuan 2 anijet dhe u arrestuan pjesëtarët e ekuipazheve të tyre.
Struktuarat hetimore, nën Drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Duhet theksuar fakti se gjatë këtij operacioni pati një koordinim dhe veprim të shkëlqyer mes strukturave të Policisë së Shtetit, GDF-së, Zyrës Ndërlidhëse italiane me qendër në Shqipëri dhe rojës bregdetare.
Ky operacion dhe operacionet e tjera të përbashkëta të zhvilluara më parë me partnerët italianë, tregojnë qartë besueshmërinë, profesionalizmin dhe bashkëpunimin mes strukturave policore të të dyja vendeve.
Policia e Shtetit është shumë e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe kontrabandës.
VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN
“Pazari” u bë në mes të detitDetaje nga sekuestrimi i 51 mijë litrave naftë në Durrës