Partia Demokratike firmosi sot koalicionin parazgjedhor me PBDNJ për zgjedhjet lokale të 14 majit. Në fjalën e tij, ish kryeministri Sali Berisha deklaroi se ishte një kënaqësi për PD të firmoste marrëveshje me një aleat të hershëm “kundër monizmit të Edi Ramës”.
Berisha deklaroi gjithashtu se në zgjedhjet e 14 majit bashkitë do t’i kthehen qytetarëve me të gjitha burimet njerëzore dhe financiare.
“Shpreh kënaqësinë time dhe të PD për këtë marrëveshje me një aleat të hershëm të PD me të cilën ne vendosim të bëjmë një betejë të përbashkët kundër monizmit të vendosur nga regjimi më i korruptuar në Evropë, ai i Edi Ramës. Përmbytja e këtij monizmi është përparësi absolute dhe në këtë kontekst ne sëbashku me PBDNJ bashkojmë forcat me bindjet se në 14 maj do i japin një goditje fatale sistemit monist por nga ana tjetër ne synojmë tu kthejë bashkitë qytetarëve, t’i kthejmë bashkitë në shtëpitë e përbashkëta që të kenë përgjegjësinë e plotë, gatishmërinë për të funksionuar si shërbëtorë të këtyre qytetarëve për të përdorur në mënyrën më transparente të gjitha burimet njerëzore dhe materiale, financiare të bashkisë për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e mëdha që çdo bashki ka së pari në interesin e qytetarëve të atyre bashkive”, tha Berisha.