MENU
klinika

Nga Artan Fuga

Prindi 1, prindi 2, dhe lojërat e maskarenjve!

03.01.2023 - 17:35

Nga Artan Fuga

Kam dëgjuar se disa institucione arsimore parashkollore kanë bërë fillime eksperimentesh sociale me zarar, për të zëvendësuar terminologjinë “baba”, “nënë” me termat, prindi 1 dhe prindi 2.

Veç një maskarallëku, është edhe një eksperiment i paligjshëm! Është njësoj si të vrasësh dikë për të bërë eksperiment dhe parë se çfarë bën i vrari momentin e fundit të jetës!

Eksperiment i bukur në vetvete, por krim megjithatë!

Veç maskarallëk është edhe antiligjor sepse bie ndesh me kodin e familjes, pra indirekt edhe me Kushtetutën ku ky ligj bazohet. Prandaj eksperimentuesit duhet të vihen para përgjegjësisë ligjore!

Veç antiligjor është edhe një budallallëk logjik. Ja pse: Gjoja për të vendosur barazinë midis nënës dhe babait, për ta shuar dallimin midis sekseve. Por prind 1 kush quhet? Ta zëmë se baba! A nuk privilegjohet përsëri babai? Pse të quhet 1 dhe jo 2? A nuk mbetet edhe dallimi mes sekseve vetëm se tani i shprehur numerikisht? Prindi 1 – babai, prindi 2 – nëna! Jo ush po gomar! Këta matematikë nuk dinë se përgjithësisht janë pa shkollë, por nuk dinë as logjikën e thjeshtë! Ku i shuan dot matematika dallimet reale? 1 dhe 2 janë po aq të ndryshëm sa babai dhe nëna, dhe për ta quajtur 1 ose 2 prindi ka nevojë të tregojë seksin, se përndryshe kush do të quhet 1 dhe kush 2?

Pra, kemi një vërë në ujë!

Veç një eksperimenti debil, kemi edhe një gomarllëk nga ana operacionale.

Pse?

Unë jam gati të pranoj se në shumë fusha dallimi midis burrit dhe gruas është kot, i tejkaluar. Madje nuk ka fare vlerë të vihet në dukje. Ta zëmë se kalon kufirin me pasaportë! E ç’vlerë ka nëse je burrë a grua?! Por, kur shtrohesh në spital për ndonjë operim, bëni shaka nëse jeni burrë të thoni se jo, nuk ka rëndësi çfarë jam, ose më keq: jam grua! Shkoni në një bankë dhe hapni një llogari rrjedhëse, pikë rëndësie nuk ka nëse jeni burrë a grua. Por, nëse bëni synet fëmijën, kujdes! – duhet ta provoni se është djalë, se ndryshe nuk ecën!!! Shkoni të merrni pensionin ose të regjistroheni në zyrën e punës, e ç’ju duhet atyre se jeni burrë a grua? Pikë rëndësie nuk ka. Por, kujdes, kur është fjala të qenë këngëtar lirik, nuk mund të thoni se unë nuk jam as burrë as grua sepse jam 1,2,3 e kështu idiotësira. Do jepni gjak? Nuk ka rëndësi jeni burrë a grua, bëhuni 1,2,3… sa të doni! Por kujdes nëse kërkohet qumësht për bebet, ka shumë rëndësi nëse jeni burrë a grua.

Për familjen në disa raste nuk ka rëndësi a je burrë a grua, por në raste të tjera thelbësore ka shumë rëndësi. Je bashkëshort 1 ose 2, ose 3, ???? kur paguan taksat e bashkisë sado të kripura të jenë, por kur merr leje barre je grua se burrë nuk mbetesh dot shtatzënë! Nuk ka 1,2,3, nuk ka tërci e vërci!

Për fëmijët dallimi nënë – baba është shumë thelbësor, nuk bëhet dot prindi 1 dhe prindi 2. Pse? Sepse është nëna që e mban beben në trupin e saj dhe jo babai! Se është nëna që mban embrionin dhe jo babai! Le të jetë edhe homoseksual, e drejtë e tij! Se është nëna që e ushqen me qumësht, jo babai, se ky qumështin veç në dyqan mund ta blejë! Se në muajt e vitet e para bebja është lidhur me trupin e nënës kryesisht, me aromën, frymën, zërin, e saj, dhe më pak me të babait! Se fëmija sheh që nëna ka dy gjinj kurse babai jo, se babai ka përkundrazi diçka të fryrë poshtë mbathjeve, kurse nëna e ka ndryshe, mos duhet Frojdi të ngjallet që t’ua shpjegojë? Fëmija sheh që babai rruan faqet, kurse nëna jo! Babait mund t’i bien edhe flokët, nënës jo! Se fëmija pak më i rritur do kuptojë se dikur nëna si ai kishte menstruacione, kurse babai si ai nuk kishte, etj, etj.

Si t’u themi fëmijëve që për ju nuk ka më nënë e baba, por ka idiotizma: prindi 1 dhe prindi 2? Se kush i ndihmon për mësimet, asnjë rëndësi s’ka seksi i njërit dhe i tjetrit. Se kush bën punët në shtëpi, etj., pa rëndësi. Se kush është deputet dhe tjetri biznesmen, fare!

Unë nuk kam asgjë me sjelljen seksuale të 1 dhe 2. Le të ketë qejf burri me burrin dhe gruaja me gruan. Por edhe homoseksualët, mesa njoh literaturën, duan ta dinë se me cilin seks kanë të bëjnë: lesbiket duan grua partneren, homoseksualët përgjithësisht burrin. Nuk mund t’u thuash nuk ka rëndësi, keni dikë pa seks!!!

Transeksualët janë gjë tjetër pastaj. Flasim njëherë tjetër!

Por, mos bëni idiotizma, maskarallëqe, shkelje ligji, shkelje të të drejtave të fëmijëve nëpër shkolla, kopshte dhe çerdhe!

Drejtësia ka fushë veprimi krejt të legjitimuar për t’ua vënë këmbët në një këpucë pastaj prindit 1 dhe prindit 2, madje në këpucë uniseks po deshët!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Opozitë e varfër, të dalin kandidatura të reja”

Akademiku Fuga flet për protestën e 7 korrikut

"Deklaratat “populli i dy marsit, dalja në miting” nuk kanë lidhje...

“Mungon kultura juridike”/ Fuga komenton shkarkimin e Metës

Artan Fuga: Ishte shkarkim!

Analiza: Z.Lulzim Bashën e dorëhoqën

"Berisha ka “nxjerrë shejtanin nga shishja”, prit të hyjë në lojë Meta se… "

Analiza/ Artan Fuga zbërthen qëndrimet në Kuvend


Kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës

Gjykata e Lartë merr vendimin për Fredi Belerin

Arrestohet disa orë pas daljes nga burgu “Buzëderri”!

Sokol Simonati përfitoi nga amnistia, por…

"Të rikthehen koalicionet dhe lista të hapura"

Bylykbashi prezanton qëndrimin për reformën zgjedhore