MENU
klinika

Analiza

Rusët janë ende të lidhur shpirtërisht me Leninin…

30.01.2023 - 12:10

Kur mendojmë mbi mumiet, mendja na shkon menjëherë te qytetërimet e lashta, që i ruanin trupat e të vdekurve, për t’u siguruar atyre një kalim të qetë në botën e përtejme. Megjithatë, edhe shoqëritë e epokës moderne kanë traditat e tyre të mumifikimit.

Më kryesoret janë regjimet komuniste të shekullit XX-të, të cilat mumifikuan shumë nga udhëheqësit e tyre më të famshëm për arsye shumë më të ndryshme.

Më 24 janar 1924, vdiq në moshën 53-vjeçare pas shumë goditjeve në tru Vladimir Lenin, organizatori i revolucionit komunist të Rusisë. Kreu i Rusisë komuniste kishte qenë në një gjendje të rënduar shëndetësore për disa vite përpara vdekjes së tij, gje që i dha mundësi Stalinit të niste herët rrugëtimin e tij drejt pushtetit.

Thuhet se edhe në shtratin e vdekjes, Lenini kritikoi shumë nga pasardhësit e tij të mundshëm që konkurronin për pushtet. Por kritika më e ashpër ishte ndaj Stalinit, të cilin ai donte ta mënjanonte nga postet e tij të larta në parti.

Edhe pse Stalini ishte i informuar mbi sulmet e Leninit, kjo nuk e pengoi që ta respektonte sa ishte gjallë, për të mos sabotuar qëllimet e tij. Menjëherë pas autopsisë, një komision mjekësh ra dakord që truri i ish-udhëheqësit komunist t’i nënshtrohej një studimi të detajuar shkencor, me synim identifikimin e “materialit” që do të shpjegonte gjenialitetin e tij si udhëheqës.

Marksizmi përshkruhej si një shkencë me një botëkuptim të rreptë materialist. Për të nuk kishte shpirtra që jetonin në botën tjetër apo një Zot. Prandaj truri që e drejtoi Revolucionin Bolshevik duhej kuptuar si puna e brendshme e një motori.

Pse rusët janë ende sot të fiksuar pas trupit të mumifikuar

Studimi i trurit të Leninit, është përshkruar si “një nga kapitujt më emocionues dhe në të njëjtën kohë më të diskutueshëm në historinë e mjekësisë”. Megjithatë, ky projekt i çuditshëm kërkimor kishte të bënte më shumë me propagandën dhe krijimin e miteve sesa me mjekësinë.

Gjetjet e tij projektit u shtrembëruan nga fraksioni stalinist në Byronë Politike, i cili donte të krijonte një kult personaliteti, që e vlerësonte Leninin si një mbinjerëzor të pavdekshëm, ndërsa në të njëjtën kohë tregonte edhe suksesin e shkencës sovjetike. Në këtë mënyrë, ata mund ta mbanin Leninin si një figurë të padiskutueshme, të ngjashme me Zotin dhe Stalinin si pasardhësin e tij të pashmangshëm.

Procesi i studimit të trurit të liderit bolshevik, filloi në vitin 1925 kur studiuesit e hoqën organin nga kafka e tij, bënë matje të formës dhe madhësisë së tij, dhe më pas e ruajtën në një kavanoz qelqi të mbushur me një lëng formaldehidi.

Nën mbikëqyrjen e neurobiologut gjerman Oskar Vogt, truri u pre në mijëra copëza të holla dhe u përgatit për një analizë mikroskopike. Më pas, truri i Leninit u krahasua me trurin e 10 “njerëzve mesatarë” të marrë së bashku, si dhe me trurin e mendimtarëve dhe shkencëtarëve të tjerë të mëdhenj rusë, duke përfshirë Ivan Pavllovin.

Studiuesit sovjetikë, pretenduan se truri i tij tregoi nivele të larta organizimi në rajonet e lidhura me fushat e të folurit, njohjes dhe veprimit. Po ashtu ata theksuan se truri i tij kishte një lob temporal shumë më të trashë – i lidhur me mbajtjen e kujtesës vizuale, gjuhës dhe të kuptuarit të emocioneve – sesa truri i njerëzve të tjerë, përfshirë artistë dhe poetë të mëdhenj.

Megjithatë, pjesa më e madhe e këtij studimi ishte pseudoshkencor. Sepse besimi se struktura e trurit dhe inteligjenca janë të lidhura ngushtë midis tyre është hedhur poshtë nga studime të mëvonshme. Vlerësohet se madhësia e trurit përbën vetëm 9-16 për qind të ndryshueshmërisë së përgjithshme tek inteligjenca.

Pse rusët janë ende sot të fiksuar pas trupit të mumifikuar

Pra është një çështje shumë më komplekse sesa ajo e madhësisë. Po ashtu, është e dukshme që hulumtimi mbi trurin e Leninit ka prodhuar një sasi mikroskopike të literaturës shkencore të botuar pas rezultateve të përkohshme në vitin 1929, pavarësisht se është ndoshta një nga sistemet nervore më të studiuara në histori.

Megjithatë, në aspektin politik, mitologjizimi i mendjes së Leninit ishte një sukses. Pavarësisht nga dëshirat e tij, Lenini ishte subjekti qendror i një kulti të fuqishëm të personaliteti brenda Bashkimit Sovjetik deri në shpërbërjen e tij në vitin 1991.

Historia e mendjes së tij të “jashtëzakonshme”, u bë një pjesë kryesore e narrativës, që u përdor shpesh për të justifikuar autoritarizmin brutal nën sundimin e Stalinit. Çuditërisht kjo narrativë vazhdon ende sot. Pas funeralit të tij, trupi pa tru i Leninit u ekspozua publikisht në mauzoleumin e tij në Sheshin e Kuq pranë Kremlinit.

Ai u zhvendos për pak kohë gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe ka përjetuar disa rikonstruksione gjatë dekadave, duke mbetur për gati 100 vjet në zemër të Moskës. Por kjo ka kushtuar jo pak. Në vitin 2016, qeveria ruse njoftoi se do të shpenzonte rreth 200.000 dollarë për ruajtjen e trupit të balsamosur të Vladimir Leninit.

Sipas disa raporteve, kufoma është trajtuar me një koktej kimikatesh duke përfshirë glicerinën, formaldehidin, acetat kaliumin, alkoolin, peroksidin e hidrogjenin, acidin acetik dhe natrium acetik. Për të ndihmuar në ruajtjen e pamjes së tij, shumë nga tiparet e tij të lëmuara të fytyrës u riformuan me parafinë, glicerinë dhe karoten.

Kur u shpërbë Bashkimin Sovjetik në vitin 1991, Boris Jelcin mendoi të mbyllte mauzoleumin dhe ta varroste Leninin pranë nënës së tij, si për të simbolizuar shkëputjen e Rusisë nga e kaluara e saj komuniste. Sepse përveç të gjithave, mirëmbajtja e tij kushtonte jo pak.

Por pasardhësi i tij, Vladimir Putin, nuk ishte dakord. Ai e ndjeu se shumë rusë kishin ende një lidhje të thellë me kufomën e Leninit.

Në përpjekjen e tij për të rindërtuar Rusinë nga rrënojat e sundimit komunist dhe për të rivendosur lavdinë e saj të mëparshme, Putin tha se legjenda e vjetër e Leninit nuk mund të vdiste. “Për mendimin tim, ne nuk duhet ta prekim mauzoleumin e Leninit, sepse shumë njerëz e lidhin jetën e tyre me të… e lidhin me arritjet e së kaluarës, të epokës sovjetike”- deklaroi Putini në vitin 2019.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Të thëna e të pathëna...

Kush është Vladimir Putin?

Një libër i një dëshmitari okular

Ja si ishte dita e fundit e Bashkimit Sovjetik…

Nga Brian D. Taylor, Foreign Affairs

Lufta për pushtet pas largimit të Putinit