“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Si mund të parandalohet shfaqja e strijave gjatë shtatzanisë?
Mjeku: Gjatë shtatzanisë është e rëndësishme që të ruhet pesha, të mos teprohet. Gruaja shtatzënë të mos marrë mbi 13 ose 14 kilogram. Sa më e madhe të jetë pesha, aq më e madhe është prirja për t’u formuar strijat. Jo të gjitha gratë shtatzanë kanë tendencë për të formuar. Ndikojnë ndryshimet hormonale gjatë shtatzanisë. Nuk ka asnjë medikament që mund ta parandalojë nëse femra është e predispozuar.
E kemi hasur edhe në praktikën tonë të punës ku mjaft femra pas lindjes së fëmijës vijnë tek dermatologu dhe thonë që gjatë shtatzanisë kanë përdorur kremra të ndryshëm por sërish u janë bërë strijat.
Edhe literatura thotë se nuk ka asnjë krem që jep siguri për të parandaluar strijat. Studimet e ndryshme kanë konfirmuar se femrat që lindin në moshë të re dhe femrat që lindin fëmijë me peshë të madhe, janë më të prirura. Megjithatë, prirja gjenetike është faktor shumë i rëndësishëm.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.