MENU
klinika

Çfarë ka deklaruar e fejuara e Çervanakut

SPAK merr në pyetje të “zotët” e kokainës së Frakullës

16.01.2023 - 11:19

SPAK ende nuk i ka përfunduar hetimet në lidhje me zbulimin e laboratorit të kokainës që u gjend në shtëpinë e një zyrtari të lartë të administratës publike. Edhe pse është pretenduar se është hedhur dritë mbi gjithë mekanizmin se si ka mbërritur në Frakull të Fierit sasia prej gati gjysmë toni kokainë, grupi hetimor ka nisur rimarrjen e në pyetje të të gjithë personave që janë vënë në pranga në lidhje me këtë sasi lënde narkotike që u tha se kishte destinacion fshatin e Fierit dhe se ishte kontraktuar si pleh kimi që duhej të përdorej për bimët.

Nga informacionet e fundit tregohet se janë pyetur deri më tani vetëm të prangosurit, ndërkohë që prokuroria ka një listë të gjatë të personave që pritet të dëshmojnë dhe që mendohet se kanë të dhëna të vlefshme për hetimin e ngjarjes, ku u kap një nga sasitë më të mëdha të lëndës narkotike që kishte mbërritur në vendin tonë.

MARRJA NË PYETJE
Prokuroria e Posaçme ka nisur marrjen e dëshmive të të gjithë personave të arrestuar si porositës dhe organizatorë të trafikut të 430 kg kokainë nga Kolumbia në Shqipëri, të kapur në Frakull të Fierit. Ndër të parët që u pyet nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ishte shtetasja Enxhi Ferhati, e cila sipas SPAK-u, dyshohet se ndihmonte të dashurin e saj Denilson Çervanaku, të kontaktonte me bashkëpunëtorët e trafikut në Kolumbi.

Megjithatë, Ferhati ka pranuar para hetuesve se ajo ka rënë në dijeni të aktivitetit kriminal vetëm kohët e fundit, por nuk ka pasur asnjë rol aktiv dhe shkresat e përkthyera nga ajo lidhen vetëm me transportin e plehut kimik. Denilson Çervanaku sipas SPAK-ut ka pasur një nga rolet kryesor në transportin dhe ruajtjen e lëndës në Shqipëri. Në ditët në vijim, do të merren në pyetje edhe personat e tjerë, nga të cilët hetuesit do të kërkojnë bashkëpunim në zbardhjen e rrethanave të linjës së trafikut. SPAK-u mbajti për 3 muaj në hetim personat duke zbuluar itinerarin e trafikut të lëndës narkotike, kamuflimin e saj mes thasëve me pleh kimik dhe implikimin e shtetasve kolumbian, në ndarjen e kokainës nga plehu.

NGJARJA
Edhe PS-ja, Gjykata mori vendimin për të lënë në burg të akuzuarit Enxhi Ferhati, Bledar Matoshi, Klajdi Matoshi, Redin Meshi dhe Julian Malaj, hetimet në lidhje me atë rast trafiku ndërkombëtar droge vijojnë. Laboratori i drogës në Fier u zbulua në nëntor të vitit të kaluar, ku u sekuestrua edhe 430 kg kokainë. Laboratori u zbulua pas një operacioni të DEA-s në bashkëpunim me SPAK dhe policinë malazeze, ndërkohë u tha se lënda e kushtueshme narkotike ishte fshehur në një ngarkesë me pleh kimik që rezultoi e porositur nga vëllai i ish-kryeplakut të Frakullës, Viktor Çervanaku.

Droga u nis nga Kolumbia në muajin maj të vitit të kaluar dhe mbërriti në Shqipëri me kamion nga Mali i Zi në shtator. Ngarkesa u tha se u shoqërua nga katër persona, të gjithë të armatosur, të cilët më pas u kapën në rrugën e Arbrit teksa lëviznin të gjithë në të njëjtin automjet. Arrestimi i të rinjve të armatosur bëri bujë të madhe në Tiranë, pasi u dyshua se ata po shkonin për të kryer ndonjë vrasje apo vepër tjetër penale, por më pas rezultoi se arrestimi i tyre ishte bërë me urdhër të SPAK-ut, për llogari të dosjes së bujshme të sekuestrimit të qindra kilogramëve kokaine dhe zbulimit të laboratorit në vilën e zyrtarit lokal.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zenel Çerveniku: Unë porosita vetëm pleh kimik

GJJKO lë në burg 10 të arrestuarit për kokainën në Fier