MENU
klinika

"Ka meritë të pazëvendësueshme"

Subashi drejt rikandidimit në Fier? Balla e konfirmon

05.01.2023 - 19:56

Partia Demokratike i ka konfirmuar të gjithë kandidatët për zgjedhjet lokale të 14 majit, ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka konfirmuar vetëm disa, duke nënkuptuar shumë të tjerë. Deklarata e fundvitit e Sekretarit të Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, la të kuptojë se në Elbasan do të garojë për një mandat të dytë kryetari aktual i bashkisë, Gledian Llatja, ndërsa Shkodra me Benet Becin. Ndërsa në një prononcim për MCN, kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla që mbulon zonën e Fierit ka lënë të kuptohet se për 14 majin në këtë Bashki do të garojë sërish Armando Subashi.

“Bashkia Fier është një bashki model në Shqipëri. Puna e bërë në këtë bashki është mbresëlënëse. Pasi kalova nga Elbasani në Fier, e kam shkelur çdo cep dhe kam pasur mundësi  ta ndjek ndër vite dhe mund t’ju konfirmoj që në bashkinë Fier kryhet një punë serioze në shërbim të komunitetit dhe Subashi ka një meritë të pazëvendësueshme,”- tha Balla në fjalën e tij.

Armando Subashi u zgjodh në krye të Bashkisë së Fierit në zgjedhjet lokale të vitit 2015, e më pas në ato të vitit 2019, ndërsa tani kërkon mandatin e tretë. Por gjatë kohës që ka qenë në detyrë nuk kanë qenë të pakta akuzat ndaj tij. Armando Subashi ka qenë në qendër të kritikave të opozitës dhe konkretisht LSI-së për inceneratorin e Fierit, por më shumë zhurmë ka bërë denoncimi i socialistit Petro Koçi në SPAK. Në deklarata publike, Koçi tha se persona të lidhur me krimin kishin lidhje me pushtetin dhe përfitonin tendera, duke nënkuptuar Subashin, të cilin nuk e përmendi kurrë me emër.