MENU
klinika

Inskenim apo telashe me Daçiçin

A do ta çojë Vuçiç Serbinë në zgjedhje për t’i ikur marrëveshjes?

08.02.2023 - 14:48

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pas shfaqjes dyditëshe në Kuvendin e Serbisë, javën që shkoi, ku u diskutua raporti i Qeverisë së Serbisë për bisedimet me Kosovën, e ka aktualizuar temën e zgjedhjeve të parakohshme. Si arsye për këtë e përmend raportin me partnerin e koalicionit Ivica Daçiq, kreun e Partisë Socialiste, të cilën po e akuzon se nuk e ka mbrojtur në Parlament gjatë sulmeve të partive opozitare kur diskutuan për negociatat e Brukselit. Gazeta opozitare “Danas” mbrëmë raportoi se Daçiq është duke u shantazhuar nga Rusia që të mos e pranojë planin franko – gjerman. A është kjo lojë e radhës e regjimit në Beograd për ta “trembur” Perëndimin që po përpiqet ta bëjë marrëveshjen me Kosovën?

Ditën kur Aleksandar Vuçiq po përballej me opozitën në Parlamentin e Serbisë ku po diskutohej rreth një raporti të Qeverisë për bisedimet me Kosovën, partneri i tij i koalicionit Ivica Daçiq ishte duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas ftesës për pjesëmarrje në Lutjet e Mëngjesit. Gjatë qëndrimit në SHBA Daçiq takoi zyrtarët që po merren me Kosovën e Serbinë, Këshilltarin Dereck Cholet e Emisarin Gabriel Escobar për të cilët tha se i kanë thënë që Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po shfaqet konstruktiv në bisedime. Ajo që ra në sy është injorimi që kryediplomati serb i bëri njeriut të Vuçiqit në Uahsington, Ambasadorit Marko Gjuriq. Në fotografitë e takimeve që i postoi në kryeqytetin amerikan Ministria e Punëve të Jashtme, Gjuriq “u fsheh” nga këto aktivitete të Daçiqit, të cilin Gjuriq formalisht e ka shef.

Por, edhe pse Daçiq u kujdes ta përmendte në intervistat e tij partnerin e madh të koalicionit, Aleksandar Vuçiq nuk u nda i kënaqur. Pasi përfunduan debatet në Kuvendin e Serbisë ai lansoi një video në Instagram në të cilën sipas shumëkujt në Serbi, ishte i dehur. Aty për herë të parë sulmoi SPS’in që nuk i doli në ndihmë në Kuvend. Ndërsa fjalia se “njohjen reciproke vetëm mund ta ëndërroni”, në Serbi u interpretua se ishte një mesazh për amerikanin Gabriel Escobar që Daçiq e kishte takuar në SHBA. Presidenti nuk bëri ndonjë ndërlidhje të kësaj deklarate me takimin Escobar-Daçiq.

“Popull serb, qytetarë të Serbisë, agjentja e Perëndimit Rada Trajkoviq po thotë se po kërkoj abolicion për familjen time e jo shpëtim për popullin serb në Kosovë dhe Metohi. Po gënjen. Po gënjen, sikur të gjithë ata në Kuvend që i thanë ato gjëra të pakuptimta. Po më “mbron” taman sikur partnerët e mi të koalicionit. Kështu që popull vec ta keni parasysh, familja ime është këtu, do të qëndrojë në Serbi sikurse edhe unë. Askujt si frikësohem sepse asgjë s’kemi vjedhë. Kemi faj që e kemi mbrojtur Serbinë dhe që po e mbrojmë Serbinë. Njohjen reciproke vec mund ta ëndërroni. Rroftë Serbia”.

Fill pas kësaj, në mediat e afërta me të, doli lajmi se Vuçiq ka paralajmëruar zgjedhje duke e sulmuar Daçiqin.

“Më mirë të shkojë në opozitë se sa interesat private dhe partiake të na udhëheqin vendin. Jam i gatshëm të shkojë në zgjedhje si kandidat për Kryeministër, por nuk do të lëshojë pe ndaj shantazheve – as të Perëndimit e as të të djathtëve të rrejshëm”, citoi Vuçiqin mediumi beogradas i afërt me të “Vecernje Novosti”.

Ky mesazh u tha se doli nga takimi që Vuçiq pati me partinë e tij, SNS.

Për shkak të raporteve të acaruara, në Beograd, mediat njoftuan se Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ivica Daçiq anuloi të gjitha aktivitet e tij ndërkohë. Vuçiq, të martën, në një intervistë për mediat që i kontrollon tha se me Daçiqin ka pasur takime ndërsa paralajmëroi se do ta shohë edhe gjatë së mërkurës.

Një arsye tensioneve mes Vuçiq e Daçiq, sipas gazetës “Danas” është që lideri i Partisë Socialiste të Serbisë, Daçiq, është duke u shantazhuar nga Rusia dhe nuk guxon të qëndrojë prapa propozimit franko-gjerman për marrëveshjen me Kosovën.

Sipas Danas-it, ky është i vetmi “shkas” i tensioneve mes presidentit të Serbisë dhe të SNS-së, Aleksandar Vuçiq dhe kreut të socialistëve.

Mirëpo bashkëbiseduesit e “Danas” besojnë se Ivica Daçiq, megjithatë, më parë do të dorëzohet nën presionin e Aleksandar Vuçiqit, sepse, siç thonë ata, “nuk ka zgjidhje”.

Në pyetjen se pse Ivica Daçiq po i ekspozohet këtij konflikti me Aleksandar Vuçiqin nëse është e qartë se në fund do të dorëzohet, bashkëbiseduesit e “Danas” thonë se lideri socialist serb “synon të rrisë pazarin”.

Më tej ata shpjegojnë se ashtu siç Vuçiq e mban Daçiqin në grusht, njëjtë e mban edhe Rusia.

“Rusët sigurisht kanë dosje komprometuese për Daçiqin, dhe është pothuajse e sigurt se bëhet fjalë për para”, besojnë bashkëbiseduesit e “Danas”-it, të cilët nuk kanë dashur të flasin publikisht për këto pretendime, si pasojë e natyrës së punës që bëjnë.

Sipas “Danas”-it, Partia Socialiste e Serbisë është e sigurt që merr para nga Federata Ruse, përveç faktit të qartë se partia financohet përmes marrëveshjeve të naftës në Serbi.

Nuk dihet nëse kjo është farsa më e re në skenën serbe, kur bashkësia ndërkombëtare është duke bërë presion që të arrihet një marrëvshje dhe Vuçiq është duke e luajtur viktimin pasi i ka thënë një “po” në parim planit franko -gjerman. Por ai mbrëmë ka vazhduar t’i qërojë hesapet me Daçiqin.

Në në televizion ku ka zgjedhur të flas ai ka përmendur se ka qenë pikërisht Daçiq që ka firmosur marrëveshje me Kosovën.

Për të treguar se është shumë i saktë, Vuçiq ka thënë se marrëveshja e Brukselit është përmendur 190 herë në seancë në mënyrë negative.

“Dhe çdo herë jam përmendur unë si fajtor, jo ai që e ka firmosur”.

Ai tha se dje dhe sot ka folur me Ivica Daçiqin dhe do ta bëjë nesër.

“Asgjë nuk do të ndodhë brenda natës dhe ajo që ndodhi dëmtoi ndjeshëm marrëdhëniet tona. Padyshim që nuk na kanë besuar, as unë personalisht nuk kam besim, por shteti është mbi marrëdhëniet personale, ne e respektojmë atë parti, por tani e dimë që në kohë të vështira mund të mbështetemi vetëm te vetja” ka thënë Vuçiq.

Daçiq po ashtu konfirmoi se ka diskutuar me partnerin e madh duke theksuar se “absolutisht e mbështesim Aleksandar Vuçin sepse ai udhëheq një politikë të një rëndësie vitale për interesat kombëtare dhe shtetërore dhe të ardhmen e Serbisë.

Pasi e lansoi lajmin për zgjedhje, Vuçiq e demantoi duke thënë se nuk është koha për zgjedhje dhe se nuk do që të bëhet Kryeministër.

Megjithatë ai paralajmëroi vizita nëpër Serbi dhe se një Kuvend i Partisë së tij do të mbahet më 27 maj dhe se aty do të merren të gjitha vendimet.

Raportet mes dy subjekteve i rëndoi edhe një skenë qesharake në Kuvendin e Serbisë kur një deputet i SPS’së u kap në flagrancë duke shikuar video pornografike në telefonin e tij. Pasi doli në media, deputeti me origjinë nga Graçanica e Kosovës dha dorëheqje.

Vuçiq pati një përgjigje edhe për këtë temë. Këtë deputet ai e quajti si njërin nga më të mirët nga radhët e SPS’së.

“Po flas për probleme me të gjëra, e jo për atë që bëri ky deputet në ata 30 sekonda”.