Kaosi ka shpërthyer në Rusi, pas përhapjes në internet të dokumentit me udhëzime zyrtare ku thuhej se ishte e ndaluar për mediat që të përmendin grupin mercenar Wagner ose themeluesin e tij Yevgeny Prigozhin.
Deklaratat e Prigozhin kanë qenë në krye të mediave muajt e fundit pasi ky i fundit themeloi një grup ushtarak privat që është aktiv ende në Ukrainë, Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Forcat Wagner kanë udhëhequr sulmet në Ukrainën Lindore si pjesë e asaj që Moska e quan ‘operacion i saj special ushtarak’. Prigozhin ka kritikuar publikisht Ministrinë e Mbrojtjes ruse për taktikat e luftës ku ndër të tjera u vu në pah se Kremlini zyrtar po përpiqet të frenojë ndikimin e tij të tepruar politik. Pak ditë më parë kanali Gray Zone që është i lidhur me Wagner publikoi përmes mediave sociale një dokument udhëzues për mediat shtetërore ku theksohej se ato nuk duhet të përmendin emrin e individit të këtij të fundit apo dhe të vetë grupit.
Dokument ky që mendohet të jetë më burim nga Kremlini zyrtar. Në dokument theksohet gjithashtu në vend të emrit Prigozhin apo Wagner sugjerohet të përdorin fraza të përgjithshme kur përshkruajnë forcat e tij, ku disa media shtetërore e ndiqnin këtë rregull dhe para publikimit të kësaj shkrese zyrtare. Ish-këshilltari i Kremlinit Sergei Markov u shpreh për Reuters se atij i ishte kërkuar të mos promovonte liderin mercenar.“Më thanë këtë: “Nuk të ndalojmë, por më mirë të mos e bësh”, tha Markov, duke mos deklaruar personat të cilët u shprehën në këtë mënyrë. Ndërsa javën e kaluar lideri i Wagner theksoi se atiji ishte hequr e drejta për të rekrutuar të dënuar nga burgu, të cilët janë çelësi i ndikimit të tij. Falë këtyre rekrutimeve forcat ushtarake të tij kanë korrur fitore të rëndësishme në Ukrainë. Prigozhin u shpreh se sistemi i rekrutimit të burgjeve deri më tani funksionoi me sukses por ai mendon se pas këtij ndalimi numri i forcave luftëtare të Wagner-it do të ulet në mënyrë të pashmangshme tani e tutje. Si rrjedhojë grupi i tij nuk do të jetë në gjendje të arrije qëllimet dhe fitoret që kishte planifikuar.
Ndërsa Markov tha se ai besonte se Presidenti Putin e këshilloi Prigozhin në një takim të mbajtur në Shën Petersburg më 14 janar që të ndalonte kritikat publike ndaj udhëheqjes ushtarake. Që atëherë, Prigozhin ka zbutur kritikat dhe për momentin shmang sulmet personale, por ai ende ankohet për atë që ai e quan burokraci të tepruar ushtarake.
Forcimi i ndikimit të Yevgeny Prigozhin, një oligark rus, i besuar i Putinit dhe kreu i kompanisë famëkeqe ushtarake private Wagner, është një shenjë e erozionit të shtetit ligjor në Rusi. Ai tregon se shteti është i gatshëm ta tolerojë dhunën ekstreme dhe të papërgjegjshme, për sa kohë ajo u shërben interesave të tij. Pikërisht analistët mendojnë se për të ndaluar një gjë të tillë Kremlini do të marrë masa akoma më të rrepta në lidhje me grupin e tij. Në vitin 2014, ai bashkë-themeloi Grupin Wagner së bashku me ish-pjesëtarë të ushtrisë ruse, dhe që nga ajo kohë është bërë një lojtar kryesor në fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë.
Muajt e fundit ai ka marrë disa kompetenca që zakonisht rezervohen për zyrtarët e lartë të qeverisë apo vetë presidentin.
E megjithatë ai nuk ka asnjë funksion zyrtar ligjor as në qeveri dhe as në ushtri. Vetë kompania Ëagner është teknikisht e paligjshme, pasi kompanitë private ushtarake janë të jashtëligjshme në Rusi. Madje ajo është akuzuar si organizatë terroriste nga SHBA- ja. Kur Prigozhin nisi të rekrutonte ushtarë në burgjet ruse në fund të verës së vitit të kaluar, duke u ofruar atyre një falje në këmbim të shërbimit 6-mujor në Ukrainë, ligjvënësit rusë nuk ishin në gjendje ta shpjegonin se mbi çfarë baze ligjore po vepronte ai. Sipas ligjit rus, vetëm presidenti mund të falë kriminelët e dënuar, dhe lirimi i tyre para përfundimit të dënimit kërkon një proces ligjor që zgjat në kohë.
Ai gjithmonë dëshironte të bënte një karrierë politike duke shfrytëzuar këtë luftë, duke u përpjekur të udhëheqë partinë e armikut dhe duke demonstruar besnikëri ndaj Putinit.