Del akti i ekspertimit për ngarkesat me pleh kimik të ardhur nga Kolumbia që u sekuestruan në banesën e ish-kryekomunarit të Frakullit Viktor Çervanaku.
Ndryshe nga verifikimet paraprake ku u përllogarit se bëhej fjalë për rreth 430 kg, burimet e PANORAMA TV bëjnë me dije se ekspertiza ka treguar se bëhet fjalë për 485 kg kokainë.
Në operacionin e finalizuar disa muaj më parë të koduar “Konsistenca”, ranë në pranga 10 persona, mes të cilëve edhe ish-kryekomunari i Frakullës së Madhe Viktor Cervanaku dhe familjarët e tij, përfshirë vëllain, djalin dhe të fejuarën e këtij të fundit.
Policia shqiptare realizoi më 24 nëntor 2022 një operacion ku zbuloi kokainë në thasë brenda të cilëve kishte pleh kimik.
Laboratori i drogës ishte ngritur në fshatin Fratar të Fierit në banesën në pronësi të ish-kryetarit të Komunës Frakull e Madhe, Viktor Çervanaku.
Kokaina ishte vendosur brenda plehut kimik për bimë.
Në thasët me pleh kimik kamuflohej edhe transporti i kokainës, e cila vinte nga Amerika Latine.
Burimet thanë se plehu kimik ishte porositur nga kompania e regjistruar në emër të Zenel Çervenakut.