MENU
klinika

Intervista e Zef Mazit

“Asociacioni pa njohje të ndërsjellë, i rrezikshëm!”

09.02.2023 - 12:24

Intervistë me Z. Mazi, ish-Ambasador, ish-Kryenegociator per integrimin e RSH në Bashkimin Evropian

Pyetje: Para një muaji na dhatë një intervistë për zhvillimet në Kosovë. Ju keni përvojë të gjatë si objekt dhe subjekt direkt, në diplomaci dhe politikën ndërkombëtare. Janë bërë disa deklarata, edhe publike, nga zyrtarë të lartë mbi çfarë mendojnë se duhet bërë, ndonjë edhe në formë urdhëri. Cili është komenti juaj?

Përgjigje: I kam lexuar disa prej tyre. Unë i qëndroj çfarë kam thënë në intervistën që ju përmendni. Përvoja në fushë të politikës ndërkombëtare ndihmon, si thonë, të ”kapësh në ajër“, të lexosh ndërmjet rreshtave, të parashikosh zhvillimet, ndoshta jo 100%, por mjaft afër saj. Jo rrallë janë shënuar pasaktësi, ndryshime kursesh (edhe 360 gradë), gabime, janë thënë të vërteta dhe të paverteta, siç ka dëshmuar koha, zhvillimet, etj. Sot nuk mundet të të bëjnë për budalla, nuk kemi lindur dje! Interesit i shërbehet më mirë kur ai është i ndërsjelltë, jo njëkahësh. Interesat mund të mos jenë identike. Mund të kenë edhe ndryshime. Për ndryshimet ulet e bisedohet, degjohen e arsyetimet dhe argumentat dhe, në respekt të plotë, gjendet gjuha e mirëkuptimit. Dimensioni, gjeostrategjia, politikat, interesat, etj., kanë rëndësinë e tyre. Ato shihen nga kënde, pikënisje të ndryshme.

Kosova po përballet me presione jo të vogla, nga jashtë dhe nga brenda. Ky është fakt. Kosovës, ose Qeverisë të saj, i kërkohet të ndërmarrë disa hapa selektivë. Qeveria gjykon se ndonjeri prej tyre bie ndesh me germën dhe frymën e Kushtetutes. Presioni nga jashtë nuk shihet qartë përse bëhet, cili është motivi dhe objektivi, çfarë kërkohet të arrihet në aspektin afatgjatë, pavaresisht retorikës dhe si paketohen gjërat. Bien në sy disa ravijëzime me nuanca të një spostimi kursi. Presioni nga brenda – nga vetë ne, të keqen e kemi ndërmjet nesh – mund të bëhet nga moskuptimi, mungesa e përvojës, egocentrizmi, protagonzmi, ambicia për pushtet, dëshira fals për t’u dukur si ”bashkëpunues, djalë i mire, i kuptueshëm”, afer ose totalisht në linjë.

Në një vend normal, qeveria ka mbi kurriz besimin e shumicës të popullit që e ka votuar për menaxhimin e shtetit. Ajo është zgjedhur për këtë. Ajo është përgjegjëse për çfarë bën, ose nuk bën. Nëse humbet besimin e popullit, qeveria nuk votohet më. Është lehtë të flasësh, edhe në formën e “leksionit“, të bësh analiza ashtu si e mendon, etj. kur nuk je në pushtet, kur je në opozitë, ku je një OJQ, ose nje invdivid. Për çështje me rëndësi kaq të madhe kombëtare, për çka shqiptarët në Kosovë kanë luftuar ndër breza për mbi 100 vjet, lipset urtësi, zgjuarsi, qetësi, kalkulime të mira, unitet mendimi, qëllimi dhe veprimi, jo partizanllëk, protagonizem.

Pyetje: Çfarë aspekti problematik, konkretisht, shikoni tek vendimi për krijimin e Asosiacionit? Për këtë ka një marrëveshje që në vitin 2013.

Përgjigje: Për këtë çeshtje kam folur në intervistën e mëparëshme, prandaj do ta përmbledh shkurt përgjigjen: germa dhe fryma e Kushtetutes duhet respektuar plotësisht, në linjë të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese; asosiacionet monoetnike përbëjnë problem jo të vogël: krijohet precedent për të krijuar asosiacione të ngjashme për minoritetet e tjerë; hapet oreksi për të ndjekur atë rrugë në situata të tjera, edhe jashtë territorit të Kosovës, siç ka ndodhur dhe mund të ndodhë përsëri; ai duket se do të jetë vetëm hapi i parë drejt një objektivi, ku shkohet duke ndërmarrë hapat pasues, njëri pas tjetrit, në kohë të ndryshme, të përshtatëshme.

Ato hapa janë:
a) krijohet asosacioni
b) kërkohet autonomia
c) kërkohet zbatimi i parimit të vetë-vendosjes: zgjedhje në atë asosiacion, me rrugë paqesore, nga rezultati i zgjedhjeve, kërkohet shkëputja (lexo: bashkimi me shtet tjetër).
Duket gjithçka shumë e ngjashme me Republikën Serbe të Bosnjë-Hercegovinës!

Nëse ndodh, ose lejohet të ndodhë, ajo do kishte impakt direkt, do të cënonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Kërkohet të bëhet kujdes maksimal, sepse kemi të bëjmë me një çështje të madhe kombëtare. Gjeopolitika është si loja e shahut. Loja e shahut nuk fitohet me emocione. Fiton ai shahist i cili bën sa më shumë kalkulime të sakta, i cili parashikon sa më shumë lëvizje më përpara dhe me gjakftohëtsi.

Do ishte gabim të ushqehej iluzioni se do bëhet për vete Serbia dhe ajo do ashpërsojë marrëdhëniet e vjetra tradicionale me Rusinë, e gjitha kjo përmes politikave lëshuese në kurriz të Kosoves. Kjo do të thoshte te mos njohësh historinë, të shohësh përsëritjen e saj, të ripërballesh me krizë e tensione.

Pyetje: Propozimi franko-gjerman është në tryezen e Serbisë dhe Kosvës. Besoj i keni ndjekur qëndrimet mbi të.

Përgjigje: E kam lexuar me kujdes planin, i kam ndjekur qëndrimet, aq sa është e mundur nga deklaratat në publik. Nuk i takon atyre që janë jashtë të japin gjykime, aq më pak publikisht. Ato mund të jenë shumë të ndryshme dhe mund të përfundojnë të mos jenë ndihmuese.

Ai është një propozim i mirë, një bazë e mirë, për të çuar përpara dialogun, për të zgjidhur një numër çështjesh edhe të mprehta, si antarësimi i papenguar në organizata ndërkombëtare, etj. Janë njëkohësisht dhe disa pika që do të kërkonin diskutime dhe sqarime.

Pavarësisht sa i mirë është dokumenti, nënvizoj se ai është i mirëmenduar për këtë fazë, që do e quaja kalimtare, por thelbi duket se është gjetiu: mungesa e njohjes reciproke. Këtu është celësi. Njohja reciproke është thelbi ku fillojnë të gjitha marrëdhëniet ndërshtetërore. Nëse njohja reciproke mungon së qenuri objektivi themelor, thelbësor, nëse nuk arrihet ai moment, çështjet e tjera mund të ndihmojnë, por deri në një farë kufiri të caktuar. Aty mbetesh në pikë të vdekur.

Njohja reciproke do të mbyllte një herë e mirë krejt kapitujt e deritanishëm të vuajtjeve të shqiptarëve dhe të mitologjive dhe ideve hegjemoniste serbe. Problemi pengues madhor për të arritur këtë objektiv është kushtetuta e Sërbisë. Ajo kushtetute, unilateralisht, në mesin e bisedimeve dypalëshe, sanksionoi Kosovën si pjesë të Serbisë. Kjo përjashtoi, që në kohën kur u miratua ajo kushtetutë, çdo mundësi dhe përpjekje, kombëtare dhe ndërkombëtare, për njohjen e Kosovës.

Ajo kushtetutë duhet ndryshuar. Kjo do hapte rrugën për të tjerat. Pra, është një pikë kyçe. Asaj i duhet mëshuar me forcë, duke e bërë atë prioritetin numër një, duke ushtruar presion madhor, nga të gjithë krahët. Sa më i fortë krahu dhe sa më e madhe pesha, aq më shpresë ka për rezultat në këtë drejtim. Fatmirësisht Kosova ka aleatë të mëdhenj. Unë vetëm mund të shpresoj dhe të uroj që do bëhet dicka.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës

Albin Kurti në Berlin më 25 prill, zbardhet axhenda

Inskenohet “pushtimi i Serbisë”

Vuçiç bën prova lufte në kufi me Kosovën

"Duhet ta forcojë prodhimin"

Raporti i FMN: Kosova e varur nga importi

Bllokimi i kosovarëve në kufi dhe tensionet në veri

O’Brien sot në Beograd për takime me krerët e Serbisë!