Anëtarët e dy bandave, që u përplasën me armë mbrëmjen e së martës, mbërritën në lokalin në Athinë me makina të ndryshme, një prej të cilave me targa shqiptare.
Pas shkëmbimit të zjarrit, ku u vra gabimisht i riu Pëllumb Islami që po pinte kafe në lokal, ata janë larguar nga vendi i krimit, duke “braktisur” dy prej mjeteve të tipit Cadillac Escalade dhe Mercedes-Benz me targa greke.
Të dy mjetet rezultojnë të marra me qira në qendër të Athinës.
Policia ka siguruar emrat e shqiptarëve që kanë marrë makinat me qira.
Ndërkohë makina me targa shqiptare, e një prej pjesëtarëve të bandës, është larguar nga vendi i krimit.
Anëtarët e bandave të trafikut të drogës rezultojnë me precedentë të shumëfishtë penal dhe bazën e kanë në sheshin “Karaiskaki” dhe në zonën e Agio Pavlos në Athinë.
Përplasja me armë
Dy grupet raportohet se janë përplasur për larje hesapesh. Në lokalin në pjesën e zonës VIP kanë mbërritur fillimisht 4 shqiptarë dhe më pas 3 të tjerë.
Ata janë përleshur me njëri-tjetrin aty dhe më pas sherri është zhvendosur në pjesën tjetër të lokalit ku ndodheshin klientë të tjerë.
Gjatë debatit, kanë nxjerrë armët duke qëlluar gabimisht bashkëatdhetarin e tyre, i cili ndërroi jetë në spital.
Në shkëmbimin e zjarrit dyshohet se janë përdorur 2 armë.
Pas përplasjes anëtarët e dy bandave janë larguar nga vendi i krimit.