MENU
klinika

Tërmeti

Fatkeqësia që përkeqësoi gjendjen e mjerueshme të sirianëve

08.02.2023 - 11:05

Radha e gjatë e njerëzve të lënduar ngjan me një lumë që derdhet në një spital të stërmbushur në qytetin Darkush në Sirinë veriperëndimore. Nënat u rrinë përsipër fëmijëve që qajnë pandërprerë.

Në mes të këtij kaosi, një burrë ishte i ulur, i hutuar, me fytyrën plot gërvishtje.

Burri Osama Abdul Hamid, mezi doli i gjallë me gruan dhe katër fëmijët e tij nga ndërtesa ku banonin në fshatin e afërt të Azmarinit. Shumë nga fqinjët e tyre nuk e patën të njëjtin fat.

“Ndërtesa është katër kate, dhe askush nuk doli nga tri prej tyre”, tha Abdul Hamid, duke shpërthyer në lot. “Zoti më dha një mundësi të re për jetën”.

Në një spital tjetër, po aq të mbingarkuar, në qytetin e Idlibit, Shajul Islami, një mjek britanik që punon me disa organizata joqeveritare, po kalonte ditën më të keqe në shtatë vjetët prej kur punon në Siri.

“Unë jam duke hequr një pacient nga një ventilator oksigjeni, për t’i dhënë shans një pacienti tjetër, duke vendosur se cili pacient ka më shumë gjasa të mbijetojë”, tha Islami.

Spitali, tashmë i përballur me infrastrukturën e dobët shëndetësore dhe shkurtimet financiare, tha ai, është i mbingarkuar pas tërmetit, sepse spitalet e tjera në zonë janë jashtë funksionit.

“Ne kemi shumë spitale që janë goditur më parë në luftë”, tha ai duke treguar se me goditjen e tërmetit janë të paktën tri ose katër spitale, për të cilat ai e di se kanë dalë jashtë funksionit.

Pas vitesh lufte dhe bombardimesh, tërmeti i fortë me magnitudë 7.8 ballësh të Rihterit që goditi mëngjesin e së hënës shkaktoi shkatërrime dhe mjerim të ri në territorin e fundit të Sirisë të kontrolluar nga rebelët opozitarë.

Miliona sirianë të zhvendosur që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës civile, tani jetojnë në këtë territor, i cili ndodhet në provincën e Idlibit. Shumë nga njerëzit që kanë lënë shtëpitë e tyre janë vendosur në kampe me kushte të mjerueshme.

Shumë të tjerë atje, por edhe në zonat e afërta të kontrolluara nga Qeveria e presidentit Bashar al-Assad, banojnë në struktura të brishta nga bombardimet e mëparshme, duke i bërë vendbanimet edhe më të ndjeshme ndaj goditjeve sizmike.

Sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, një monitorues i luftës me seli në Britani, tërmeti shkaktoi dëme të plota ose të pjesshme në ndërtesa në të paktën 58 fshatra, rrethina e qytete në Sirinë veriperëndimore.

Në Turqi dhe Siri, janë shënuar mbi 5.000 viktima, teksa pritet që ky numër të rritet.

Të paktën 450 vdekje janë dokumentuar në territorin e kontrolluar nga opozita siriane, por shumë të tjerë ka të ngjarë se janë nën rrënojat e shtëpive të shembura.

Drejtori i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve për Lindjen e Mesme, Carsten Hansen, tha se “kjo fatkeqësi do të përkeqësojë gjendjen e mjerueshme të sirianëve që tashmë po përballen me një situatë të rëndë humanitare”.

“Miliona njerëz kanë ikur nga zona për shkak të luftës, dhe tani shumë të tjerë do të zhvendosen nga tragjedia”, tha ai.

Abdel Hamid rrëfeu se familja e tij ishte në gjumë në banesën e tyre kur u zgjuan nga një dridhje e fortë dhe e zgjatur.

Ata më shpejtësi ia mbathën nga banesa, por “para se të arrinim te dera, e gjithë ndërtesa u rrëzua mbi ne”, tha ai.

Një derë druri i mbrojti nga shembja dhe e gjithë familja mbijetoi. Ai, gruaja e tij dhe fëmijët kanë pësuar lëndime në kokë, por të gjithë janë në gjendje stabile.

Numri i viktimave e mposhti shpejt kapacitetin e spitalit, tha Majdi al-Ibrahim, një kirurg i përgjithshëm që punon aty.

“Kemi nevojë për ndihmë urgjente. Kjo është përtej kapacitetit tonë”, tha ai.

Shoqëria Mjekësore Siriano-Amerikane, e cila drejton spitalet në Sirinë veriore dhe Turqinë jugore, tha në një deklaratë se objektet e saj janë “të mbingarkuara me pacientë që mbushin korridoret” dhe bëri thirrje urgjente për “furnizime dhe një përgjigje gjithëpërfshirëse e urgjente për të shpëtuar jetë dhe për të trajtuar të lënduarit”.

Territori i opozitës në cepin veriperëndimor të Sirisë është mbajtur për vite me radhë edhe pasi forcat qeveritare siriane rimorën shumicën e zonave të kontrolluara nga rebelët në të gjithë vendin.

Herë pas here rinisin luftimet me forcat siriane të mbështetura nga Rusia, aty pranë. Disa pjesë të territorit drejtohen nga grupe rebele, duke përfshirë një fraksion dominues të lidhur me Al-Kaidën, ndërsa pjesë tjera janë nën një administratë të mbështetur nga Turqia, e njohur si Qeveria e Përkohshme Siriane.

Fatkeqësia natyrore ndodhi mes stuhish të forta të dimrit, duke shtuar më tej mjerimin e atyre që mbetën pa strehë.

“Ka shi dhe moti është shumë i ftohtë, ka borë në disa zona”, tha për Associated Press Abdel Hakim al-Masri, ministër i Ekonomisë në administratën rajonale të mbështetur nga Turqia.

Ai bëri të ditur se disa nga kampet e refugjatëve në këtë zonë ishin shkatërruar tërësisht nga tërmeti.

Al-Masri tha se kanë filluar përpjekjet për të gjetur strehim të përkohshëm për njerëzit tani të zhvendosur për të dytën herë, porse nevoja për një gjë të tillë i tejkalon burimet që janë në dispozicion.

“Kjo çështje kërkon veprim të shpejtë nga të gjitha vendet e botës”, tha ai. /REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Dëgjojmë zërat e tyre, janë gjallë, por si nxjerrim dot nga rrënojat”

Katastrofë me mijëra viktima në Turqi, por situata më dëshpëruese në Siri!

Mediat e huaja: Pacientët në spitale po i lënë të vdesin

Më shumë se 4.900 viktima nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë