MENU
klinika

Sfidat e informimit

Gazetashitësi, në zhdukje

02.02.2023 - 11:47

Në një botë teknologjike, e cila po përparon me shpejtësi të madhe, Dashamir Fëlluza vijon të sfidojë mënyrën e informimit mediatik. Ka një jetë që punon si gazetashitës në Tiranë. Këtë punë e nisi si të përkohshme, por që për 30 vite mbeti brenda saj, duke u kthyer në burimin e vetëm të të ardhurave familjare.

“Çohem herët në mëngjes, në orën 4:00, dhe shkoj marr furnizimin te makinat e redaksisë. Më pas, vij këtu që nis shitjet. Nga kjo punë nuk marr më shumë se 30 mijë lekë të reja në muaj”, thotë gazetashitësi.

Numri i shitjeve ka rënë nga viti në vit. Për të rinjtë, gazeta është një informacion shumë i vonuar, për të cilin as që interesohen për sa kohë kanë telefonat në duar: “Interneti ka bërë punën e vet. Pa hyrë teknologjia, kishte shumë shitje. Edhe vetë e përdor telefonin se nuk i shmangesh dot, por gazeta është më e besueshme. Portalet nganjëherë abuzojnë, nxitohen të nxjerrin lajmin e shpejt”.

E megjithatë, lexuesi i rregullt i gazetës mbetet aty. Kryesisht janë moshat mbi 45 vjeç dhe kryesisht të moshuarit që e kanë të përditshëm leximin.

Në 30 vite si gazetashitës, Dashamiri është bërë dhe si një kritik i medias, ku njeh mënyrën e raportimit dhe pasqyrimin e lajmit: “Ka shumë gazetarë të zot, sinqerisht, por varet nga vlerësimi që i bëhet. Ka disa gazetarë që i kapin problemet shumë qartë, ato që duhet”.

Ecurinë e gazetës e sheh me pikëpyetje, ndonëse dëshiron që informimi nëpërmjet saj të vijojë. Por, në këto kushte që sot Dashamiri po jeton, e sheh detyrim gjetjen e një pune: “Gazeta mbetet gazetë. Ka shumë gazeta që janë mbyllur, nuk e kanë përballuar tregun. Do ishte keqardhje të shkonte drejt mbylles. Por, edhe mua kjo situatë më ka kapur në një moment ku po mora një ofertë për punë, do e lë këtë punë. Nuk ia vlen më të dalësh”.

Vetëm vitet e fundit, afro 10 gazeta kanë dalë nga tregu i printit, duke mbetur vetëm në informimin online të lexuesve. Në kioskat e kryeqytetit gjen pak gazetashitës. Me uljen e numrit të lexuesve dhe tirazhit të gazetave, edhe ky profesion, si të tjerët, do të zhduktet./ A2CNN