MENU
klinika

Java Botërore e Harmonisë Ndërfetare

“Harmonia në një botë në krizë”

01.02.2023 - 14:16

Sot nis Java Botërore e Harmonisë Ndërfetare. Ky është një event i përvitshëm, për kremtimin e të cilës vendosi Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në 20 tetor të vitit 2010. Ai që propozoi i pari dedikimin e kësaj jave, harmonisë ndërfetare, ishte mbreti Abdullah II i Jordanisë.

Rezoluta e OKB thotë se kjo javë ka qëllimin të nxisë eliminimin e të gjitha formave të intolerancës dhe diskriminimit me baza fetare. Gjithashtu njeh nevojën thelbësore të dialogut ndërfetar dhe të mirëkuptimit reciprok si hallka qendrore të një kulture pro paqes.

Kombet e Bashkuara inkurajojnë shtetet që të shpërndajnë mesazhin e harmonisë ndërfetare në të gjitha vendet e kultit përgjatë javës së parë të muajit shkurt. Kjo ftesë vjen për të gjitha kishat, xhamitë, sinagogat, tempujt dhe objektet e tjera fetare ku adhurohet Zoti, sipas traditave dhe bindjeve të gjithkujt.

Tema e këtij viti në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara do të jetë “Harmonia në një botë në krizë”, referuar katastrofave mjedisore dhe pandemive që me gjasa mund të vijnë në të ardhmen.