Një 22-vjeçar nga Fier është arrestuar ditën e sotme pasi kërkohej nga Spanja. Mësohet se në pranga ka rënë Xhovalin Aliaj, i cili ishte shpoallur në kërkim ndërkombëtar nga Spanja për disa vepra penale. Aliaj kërkohej për “Trafikimi i narkotikëve”, “Mashtrime tregtare”, “Vandalizmi”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, të kryera në formën e organizatës kriminale. Pas arrestimit po punohet për ekstradimin e tij drejt Spanjës.
Njoftimi i Policisë:
Kapet në Shqipëri shtetasi i tretë i shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të Spanjës. I akuzuar nga autoritetet spanjolle, si pjesëtar i një organizate të dhunshme kriminale me aktivitet në krime të shumta, vihet në pranga me qëllim ekstradimin, 22-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Member”. Në kuadër të këtij operacioni, si rezultat i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, u kap në fshatin Cakran, dhe u arrestua përkohësisht, për t’u ekstraduar drejt Spanjës, shtetasi Xhovalin Aliaj, 22 vjeç, banues në Fier.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore spanjolle i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Mashtrime tregtare”, “Vandalizmi”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, të kryera në formën e organizatës kriminale dhe të parashikuara nga legjislacioni penal i Spanjës. Nga hetimet e kryera në këtë shtet, ka rezultuar se 22-vjeçari, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, përshtatnin ambiente të mbyllura, në qytete të ndryshme të Spanjës, për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.