MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Infeksionet seksualisht të transmetueshme, çfarë shkaktojnë?

20.02.2023 - 09:40

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Infeksionet seksualisht të transmetueshme, cilat janë dhe çfarë shkaktojnë?

Mjeku: IST janë infeksione që transmetohen nga një person tek një tjetër nëpërmjet seksit të pambrojtur  ose kontaktit gjenital me partner të infektuar.

Klamidia është një infeksion bakterial që mund të trajtohet dhe shkaktohet nga bakteri chlamidia trachomatis. Ky bakter sulmon qelizat e mukozës së kapakut të syrit, sipërfaqen e uretrës, pjesën e brendshme të qafës së mitrës, endometrin dhe tubat falopiane. Vende të tjera ku vendoset klamidia janë mukozat e rektumit dhe faringut. Infeksioni nga klamidia akuzohet si shkaktar i infertilitetit.

HIV është virusi i imunodificencës njerëzore, është një virus që sulmon sistemin imunitar, duke çuar në Sindromën e Imunodificencës së Fituar ose AIDS. Është një virus që transmetohet nëpërmjet seksit anal, vaginal dhe rrallë nga seksi oral. Shumica dërrmuese e të infektuarve me HIV  kalojnë në AIDS, çka mund të jetë fatale.

Gonorrea është  infeksion bakterial që shkaktohet nga Neisseria gonorrhea. Bakteri infekton uretrën e burrave dhe grave, sikurse edhe një sërë gjendrash gjenitale, të tilla si gjendrën e Tajsonit tek burrat  dhe gjendrën e Bartolinit tek gratë, kanalin cervikal uterin, tubat, rektumin, konjuktivën e syrit, gojën dhe faringun. Gonorrea transmetohet zakonisht përmes seksit nga goja, vagina dhe anusi, por ky infeksion mund të transmetohet edhe nëse nuk ka shkëmbim të lëngjeve trupore. Gonorrea mund të kalojë edhe nga nëna tek fëmija gjatë momentit të lindjes, kur fëmija kalon nëpër kanalin e lindjes.

Virusi i papilomës njerëzore është një virus që prek lëkurën në pjesën gjenitale, sikurse edhe qafën e mitrës. Në vartësi të llojit të VPNJ simptomat mund të jenë në formën e lythave ose ndryshime të pazakonta të qelizave Lythat genitale mund të trajtohen. Ekzistojnë shumë tipa të VPNJ gjenital.

Vetëm disa tipa të VPNJ lidhen me kancerin e cerviksit. Ato quhen tipa me “risk të lartë”. Tipat që shkaktojnë lytha zakonisht nuk janë onkogene. Një person mund të preket njëkohësisht nga disa lloje VPNJ, e megjithatë shumica e grave që preken nga këto lloj virusesh nuk shkojnë deri në kancer të qafës së mitrës.

Kanceri cervikal zakonisht përveç prezencës së infeksionit të tipave të VPNJ me risk të lartë, domosdoshmërisht kërkon edhe faktorë predispozues për t’u zhvilluar. Ky lloj kanceri mund të parandalohet nëse gruaja ndiqet rregullisht me Pap Teste në intervale të rregullta, si dhe me ekzaminime të tjera plotësuese për të depistuar në kohë çdo ndryshim jonormal të qelizave, ato mund të mbahen në vrojtim ose të trajtohen para se të zhvillohet kanceri i qafës së mitrës.

Herpes Genital (HSV) ose virusi i herpesit simpleks është një gjendje e lëkurës që manifestohet me shfaqjen e fluskave në sipërfaqet e kontaminuara (në gojë zakonisht nga herpes simplex I tipit 1, HSV 1). Po kështu mund të shfaqet në zonën gjenitale që njihen si herpes genital (që shkaktohen nga herpes simplex tip 2 ,HSV2. Ky infeksion mund të jetojë në trupin e njeriut si infeksion latent, zakonisht pa simptoma ose me simptoma periodike. Herpesi shkaktohet nga kontakti direkt lëkurë me lëkurë  ose nëse zona infektuese bie në kontakt me mukozat, kryesisht të gojës dhe gjenitaleve.

Sifilizi është një infeksion që shkaktohet nga bakteri Treponema  pallidum. Sifilizi ka tre faza të ndara.

Faza e parë e quajtur edhe sifilizi primar karakterizohet nga shankeri ose ulcera që shkaktohen 10 deri  90 ditë pas kontaktit me bakterin. Plaga e shkaktuar nga infeksioni mund të zgjasë deri në 5 javë. Sifilizi transmetohet gjatë seksit vaginal, oral dhe anal edhe sikur të mos ketë penetrim seksual.

Faza e dytë zhvillohet nga 17 ditë deri në 6 muaj e gjysmë pas infektimit. Mund të shfaqen në formën e europsionit të lëkurës së duarve, këmbëve që zgjat 2 deri në 6 javë, mund të shfaqen ulcera me ngjyrë gri në të bardhë, që mund të shfaqen në gojë, fyt ose rreth cerviksit, kjo fazë shqoërohet me gjendje të përgjithshme jo të mirë.

Faza e tretë që quhet edhe latente zgjat shumë vite pas infeksionit, mund të shfaqen në formën e tumoreve të vogla në lëkurë, kocka ose organet e brendshme, të shoqëruar me probleme të zemrës dhe të enëve të gjakut, mund të ketë edhe verbim dhe probleme të sistemit nervor qendror.

Vaginitis është një infeksion gjenital që shoqërohet me enjtje, kruaje, djegie dhe shkaktohet nga patogjenë të ndryshëm. Shpesh shkaktohet nga trikomonas vaginalis. Vaginitis është shumë i përhapur në moshën riprodhuese. Shenjat e vaginozës janë: erë e fortë si peshk, veçanërisht pas seksit, rrjedhje vaginale të bardha ose gri, ose rrjedhje në formë shkume të lëngshme. Në disa raste konstatohet prania e infeksionit të shkaktuar nga myku që karakterizohet me sekrecione, si gjizë, dhimbje, kruarje, djegie ose skuqje përreth vaginës.

Trikomoniaza është një infeksion që shoqërohet me shkarkim nga vagina në ngjyrë jeshile, të verdhë ose gri me erë të keqe, kruarje të forta, dhimbje gjatë seksit dhe dhimbje gjatë urinimit.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.