MENU
klinika

Vlora mbetet në pikëpyetje

Kandidatët e parë të PS për “Lokalet 2023”

06.02.2023 - 11:42

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka nisur zyrtarisht procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të 14 majit. Demokratët kanë bërë publik që vitin e shkuar kandidatët e tyre për kryetar bashkie, emra këta të dalë nga procesi i Primareve.

Socialistët ndërkohë po marrin kohë dhe kanë deklaruar që do të respektojnë afatet zyrtare për të bërë të ditur listat me kandidatët e tyre, të cilët do të merren vesh vetëm pak ditë përpara se t’i dorëzojnë emrat në KQZ.

Kandidatët e tyre do të dalin nga një proces konsultimesh, anketash e sondazhesh me komunitetet e çdo bashkie, e më pas fjalën e fundit do ta ketë Kryesia. Por pavarësisht se selia rozë ka vendosur të jetë diskrete në këtë proces, emrat e atyre që do të rikonfirmohen për një kandidim të dytë apo të tretë janë mësuar nga media.

I padiskutueshëm është rikandidimi i Erjon Veliajt në Tiranë, po ashtu i Gledian Llajtjas në Elbasan. Pavarësisht se për Durrësin ka jo pak debate brenda PS-së së këtij qyteti, duket se kryebashkiakja aktuale do të jetë emri që do të zyrtarizohet për garën e 14 Majit.

Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, burime të Tv Klan pohuan se kryesocialisti ka deklaruar se në të 5 bashkitë ku PS fitoi në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, do rikandidohen kryetarët aktual.

Në Shkodër nuk mbahet më sekrete nga socialistët se do të kandidojnë deputetin Benet Beci. Në turin që Rama zhvilloi në Vjeshtë në disa bashki la të kuptohej se do të rikandidonte kryebashkiakun e Korçës, Pogradecit, Gjirokastrës, Përmetit, të Lezhës, Kamzës dhe disa bashki të tjera të vogla.

Vlora është ajo që ka debat të madh në gjirin e PS. Ajo që dihet me siguri është që Dritan Leli nuk ka asnjë mundësi për një shans tjetër pas përplasjeve që Kryeministri ka patur me të që para zgjedhjeve të 25 Prillit 2021 kur nuk pranoi ofertën e tij për t’u bërë pjesë e listave të deputetëve.

Tv Klan mëson se tre janë emrat që po diskutohen aktualisht; zv.ministrja e Turizimit Vilma Bello, kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj dhe Avokati i Shtetit Odise Moçka. Ky i fundit, thonë burimet e Tv Klan, ka më shumë shanse që të jetë kandidatura zyrtare e PS për Vlorën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Raporti i CIA-s: Edhe vetë serbët u çuditën...

“Komunizmi në Kosovë s’ka lidhje me ideologji, por…”