MENU
klinika

Karburanti nga vendet me embargo, malli u porosit nga Piro Bare

Kapet naftë ruse pa leje, Policia ndalon anijen me 22 500 tonë

21.02.2023 - 12:38

Ditën e djeshme, teksa Policia e Shtetit bënte me dije se ishte bllokuar një anije me mijëra tonë naftë, del sërish në skenë emri i Piro Bares.

Biznesmeni i hidrokarbureve prej shumë vitesh është bërë i njohur teksa ndaj tij u tha se ishte organizuar një atentat nga “njeriubombë” i atyre viteve, Julian Sinani. Po ndërsa kohëve të fundit emri i tij nuk u lakua më, anija e bllokuar dje thuhet se është porositur konkretisht nga ai dhe malli që u sekuestrua ishte nga Rusia. Policia dha detaje për veprimin e ndërmarrë, ndërkohë që u tha se janë shoqëruar 22 personat që përbënin ekuipazhin e anijes së një kompanie libane dhe flamur liberian.

BLLOKIMI
Një anije cisternë me 22.500 tonë naftë është sekuestruar nga Policia në Durrës, e cila bllokoi dhe ekuipazhin e saj prej 22 personash. Anija “Grace Felix” me flamur të Liberisë do ta shkarkonte karburantin në Romano Port, porti i hidrokarbureve në zonën e Porto Romanos. Nisur nga një informacion i inteligjencës policore u organizua operacioni “Embargo” nga i cili rezultoi se nafta ishte porositur nga kompania “AV International Group” me pronar Piro Baren dhe se nuk kishte certifikatën e origjinës së mallit.

Menjëherë nisën hetimet që çuan në dyshimin e arsyeshëm se nafta vjen nga vendet me embargo dhe konkretisht nga Rusia. Anija ishte nisur nga Azerbajxhani dhe pretendohet se më pas është ngarkuar me naftë ruse në ujërat greke, pranë portit të Kallamatës, nga një anije tjetër. Një praktikë kjo e njohur kohët e fundit në Greqi për të cilën ky vend është kritikuar shpesh nga BE për thyerjen e embargos me Rusinë.

Aktualisht, anija e sekuestruar “Grace Felix”, me flamur të Liberisë, ndodhet 5 milje larg nga bregu i Durrësit dhe Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet e thelluara, me qëllim dokumentimin sa më të plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari, qofshin ata persona fizikë apo juridikë.

REAGIMI I POLICISË
Zhvillohet operacioni policor i koduar “Embargo”, bazuar në inteligjencën policore. Operacioni është në vijim, për goditjen e futjes në Shqipëri, të naftës kontrabandë që vjen nga Rusia. Bllokohet një anije që transportonte 22 500 tonë naftë.

Në operacion, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Policia Kufitare e Portit Durrës, Drejtoria e Antikontrabandës, autoritetet doganore të portit, roja bregdetare dhe Kapitaneria e Portit Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Bazuar në këto informacione është organizuar dhe është në vijim operacioni policor i koduar “Embargo”, në kuadër të të cilit është bllokuar një anije me flamur liberian, e cila transportonte 22 500 tonë naftë, me dokumentacion të falsifikuar, që do të kontrabandohej në Shqipëri.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se kjo ngarkesë nafte është marrë nga vendet me embargo për naftën, konkretisht nga Rusia. Anija ishte nisur nga Azerbajxhani dhe pretendohet se më pas është ngarkuar me naftë në portin Kallamata, Greqi, nga një anije tjetër, në një sasi prej 22 500 tonë lëndë djegëse naftë. Në vijim të veprimeve, bazuar në dyshime të arsyeshme se kjo sasi nafte e kishte origjinën nga vendet me embargo dhe ishte e kontrabanduar, pasi nuk disponohej dokumentacion i rregullt, u bë sekuestrimi i saj dhe i dokumentacionit të lundrimit të kapitenit, si dhe bllokimi i ekuipazhit që përbëhej nga 22 shtetas, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bllokohet anija me 22 500 tonë karburant

Operacion kundër naftës kontrabandë nga Rusia