Sigurisht që kur lexon titullin duket sikur në rreshtat e këtij shtjellimi ka diçka që nuk shkon. Se pyetja që lind natyrshëm është çfarë lidhje ka Aldo Bumçi një figurë e njohur politike në Partinë Demokratike me një patronazhist anonim i cili në përfytyrimin e gjithkujt prej nesh është dikush që të ndjek si hije për të të gjurmuar jetën që bën apo gërmon për të dhënat personale? Po ka një lidhje por edhe dallim esencial mes Aldo Bumçit dhe një patronazhist, ose më saktë çdo patronazhisti socialist. Lidhja qëndron te shikimi, vlerësimi dhe në fund raportimi që i bëjnë realitetit politik. Ndryshe nga z Bumçi, një patronazhist nuk gënjen kur raporton. Pra nuk gënjen as veten, as partinë për hir të rezultateve që do udhëheqësi. Patronazhisti e di se puna e tij në fund do të matet me rezultatin dhe nuk mund të japë të dhëna e shifra të gabuara, pra një situatë të fryrë, manipuluar apo tjetërsuar që dëmton partinë.
Ndërsa z Bumçi ndryshe nga patronazhist gënjen dhe veten dhe partinë. Madje arrin deri në pikën sa gënjeshtrën e realitetit poktik të partisë së tij e beson dhe mbron edhe në publik, në media e takime me njerëz. Ajo që e bën më paradoksale situatën është fakti që ky proces vetsugjestioni të gënjeshtërt vijon në mënyrë të vazhdueshme. Pra z Bumçi dhe shumë kolegë të tij, besojnë dhe raportojnë një tablo politike që është minimalisht jashtë realitetit. Madje kur i tregon ose i flet për realitetin ata jo vetëm se pranojnë, por të kundërshtojnë madje edhe të sulmojnë me tezën se çdo kush që mendon ndryshe i bën opozitë, opozitës dhe se kritikët janë gjithnjë palë ose bëjnë lojën e kundërshtarit. Ndërsa një patronazhisti po t’i thuash që ke probleme me ata votues, zonën apo detyrën që mbulon ai e pranon dhe nis ta korrigjojë. Dhe pranimi i realitetit është një dallim i madh. Psh edhe pse kreu një protestë para selisë së qeverisë, krejtësisht dëshpëruese në pjesëmarrje, z Bumçi e komentoi si një nga protestat më të mëdha në Evropë. Butafori totale. SIgurisht nuk është ai fajtori që ndodhet në këtë pozitë, ku duhet të shohë me shkëlqim situatën edhe kur PD qeveris edhe kur PD bën opozitë. Është tipologjia dhe mendësia politike që zakonisht predominon në ambiente politike tipikisht me mentalitet komunist ku dështimet, shiten si suksese dhe kritikët si dashakeqës dhe shërbëtorë me ose pa qëllim të kundërshtarit. Ndërsa një patronazhisti kjo gjë si shkon në mendje ta bëjë.
Ai punon me devocion dhe raporton e pranon gjithnjë realitetin, pasi nëse do të gënjente, partia së cilës i shërben, do të humbiste pushtetin e për rrjedhojë patronazhisti dhe sivëllezërit e motrat e tij vendin e punës. Ndaj çdo vlerësim i situatës duhet parë me syrin real. Mbi këtë devizë ecin kundërshtarët e z Bumçi. Prandaj ka një diferencë të madhe në mënyrën sesi shohin realitetin elektoral dy forcat kryesore politike e për pasojë prandaj fituesi dhe humbësi tanimë dihet pa filluar ndeshja elektorale. Ata që i mëshojnë idesë së blerjes së votave thjeshtë sa justifikojnë veten te vetja dhe familja e tyre politike për humbjen e radhës. Jo se votat nuk blihen. Ky është një fenomen që dihet dhe e bën kush te mundet në pozitë dhe opozitë. E në këtë rast pushteti është më i avantazhuar. Por kjo sërish nuk e justifikon humbjen. Baza e fitores dhe e humbjes së zgjedhjeve qëndron diku tjetër. Te strategjia dhe njerëzit e angazhuar. Socialistët nisin të punojnë për zgjedhjet e ardhshme që të nesërmen e zgjedhjeve që përfundojnë edhe pse sapo janë shpallur fitues, ndërsa demokratët dhe opzoitarët merren me çdo gjë e çdo kënd përveç vetes dhe problemeve që kanë. Asnjëherë faktori apo problemi nuk është vetja por tjetri. Edhe sot pas kaq shumë vitesh në opozitë PD nuk pranon problemet e saj në vizionin poktik. Dhe ato janë të thjeshta për t’u identifikuar por mesa duket tanimë shumë të vështira për t’u pranuar.
1) Së pari PD është krijuar si një forcë politike e qendrës së djathtë dhe sillet si një parti e majtë. Gjithë leksiku dhe retorika politike janë majtiste, dhe për ta betonuar këtë pozicion denatyral ka dalë tani teza e revolucionit që është mekanizmi i shpikur nga e majta dhe ka në substancë përmbysjen e sistemeve ose pushteteve me forcë e dhunë. Ndërkohë PD u krijua si një forcë politike e djathtë, parti që do të kishte në themelin dhe filozofinë e saj vetëm votën e lirë, por votën e manipulon edhe kur zhvillon zgjedhje brenda strukturave të saj.
2) PD humbi rrugës edhe parime të tjera thelbësore. Nuk mbështeti pronarët e ligjshëm dhe shtesat e përndjekura nga diktatura dhe regjimi komunist por thjeshtë i përdori ata si demagogji. Prona nuk shkoi kurrë të pronari i ligjshëm dhe pronarët e ligjshëm u rraskapitës dyerve të drejtësisë për shkak të legjislacionit të gabuar dhe vendimeve të korruptuara të drejtësisë që tjetersuan në mënyrë masive gëzimin e së drejtës së pronësisë nga pronarët legjitimë.
3) PD ka militantë e mbështetës plot, por ata nuk dinë çfarë është e djathta nga pikëpamja politike dhe filozofike. Ata thjeshtë janë tifozë dhe admirues të udhëheqësit njësoj si Z Bumçi e shumë të tjerë si ai. Militantët presin marrjen e pushtetit për të kapur vende pune në tatime, dogana e institucione të tjera për të marrë një rrogë e përfitime ekstra nën dorë, ndërsa puthadorët presin t’i përfshijë kryetari të lista e preferuar e deputetëve apo kabinetit qeveritar.
4) PD vazhdon me të njëjtën skemë politike për 33 vjet. Armiku përballë, protesta, mohim i të drejtave politike, kundërshtar manipulator, skenarë komlotesh kundër saj, ku në mënyrë të vazhdueshme implikohen edhe ndërkombëtarët. Pra psikoza se PD gjendet nën rrethim të vazhdueshëm është përmanente.
5) Pika e pestë dhe ndoshta më e rëndësishmja është se prej krijimit të saj PD vetëm ka humbur vlera intelektuale dhe i ka zëvendësuar ato me njerëz mediokër. Përfshiu brenda saj ish-komunistë dhe u pushtua nga mendësia komuniste e të bërit politikë. Edhe të rinjtë që kanë aderuar më vonë në PD flasin si komunistë tipikë Sot PD është e pushtuar nga mediokriteti dhe shterpësia, nga mungesa e kreativitetit dhe gjetjes së alternativave që zgjojnë interes dhe risi për publikun. Më shumë se frustrimi që i krijon Rama në mandatin e tretë të tij në qeveri, frustrimi buron nga padija e një sjelljeje dhe strategjie politike. PD kapet pas skandaleve që i shpërthejnë qeverisë, por nuk ka vetë një kauzë dhe frymë që të ngjallë interes per votuesit. PD dhe për rrjedhojë dhe opozita nuk përfaqëson tanimë interesat e gjëra të njerëzve, por vetëm interesat e një grupi që synon pushtet për veten e vet e që sa vjen e tkurret nga padituria dhe pamundësia për ta marrë këtë pushtet.
Kokluzioni është i thjeshtë. Përsa kohë në PD do të vazhdojë kjo status quo, duke sugjestionuar veten në mënyrë revolucionare e duke mos kuptuar se kundërshtari mundet duke pranuar dhe ndryshuar problemet e vetes, vështirë se suksesi do të arrihet nga qëllimi. Mbetet që suksesi dhe ardhja në pushtet t’i ngelen rastësisë ose ndodhive të papritura në oborrin e qeverisë. Dhe një shprehje popullore e Shqipërisë së Mesme thotë:
kjo dro ndodh, dro s’ndodh…Hë për hë revolucioni vazhdon!