MENU
klinika

Analiza e The Washington Post

Ky është agimi i epokës ‘Zeitenwende’

01.02.2023 - 10:30

Çfarë duhet të presim në 2023: Do të jetë viti i parë pas Zeitenwende. Kjo është Fjala zyrtare e Vitit e Gjermanisë për vitin 2022.

Do të thotë “pikë kthese” ose “revolucion”. Kancelari gjerman Olaf Scholz e përdori termin në fjallimin drejtuar Bundestagut pas sulmit të Presidentit rus Vladimir Putin ndaj Ukrainës në shkurt.

Më shumë nga sa e kuptoi Scholz në atë kohë, kjo fjalë nënkupton fillimin e një epoke të re në historinë globale.

Rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989 dhe rënia e mëvonshme e Bashkimit Sovjetik i dha fund Luftës së Ftohtë dhe shkaktoi një diagnozë të rreme të “fundit të historisë”. Sulmet e Al-Kaedës kundër SHBA-së më 11 shtator 2001, dukej se nxorën në pah një “përplasje qytetërimesh”.

Lufta e agresionit të Putinit i ndryshon të gjitha këto perceptime.

Në një farë pike, mizoritë e Putinit në Ukrainë na kthejnë në epokat e mëparshme, Në kohët kur perandoritë bënin luftëra të kolonizimit dhe pushtimit për të rritur sferat e tyre të ndikimit. Në shekullin e 19-të, plejada të tilla çuan në një realizëm mbizotërues në politikën botërore, i cili konsideronte një “ekuilibër fuqie” si të vetmin qëllim të arritshëm.

Në mënyrë të ngjashme, realizmi i ri i epokës post-Zeitenwende do të sillet rreth përpjekjeve për trekëndëshim midis SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, dhe gjeometrisë më komplekse që përfshin Evropën dhe fuqitë e mesme si Turqia, India, Australia dhe Indonezia.

Ajo që në fakt ka vdekur është idealizmi që do të donte të pretendonte se Kombet e Bashkuara, Organizata Botërore e Tregtisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe institucione të tjera globale mund të zëvendësojnë rregullat dhe arsyetimin për fuqinë ushtararake.

Në këtë botë të guximshme, fuqia ushtarake do të ushtrojë edhe një herë përparësinë e saj në çështjet ndërkombëtare, me fuqinë ekonomike, politike dhe “të butë” që do të rreshtohen si shoqërues të saj.

Kjo do të rrisë profilin e ushtarakëve – siç janë SHBA-të – dhe do të ulë atë të ‘zemërbutëve’, duke përfshirë Bashkimin Evropian tregtar dhe post-heroik. Kjo është arsyeja pse anëtarët e BE-së si Suedia dhe Finlanda do t’i bashkohen NATO-s në vitin 2023.

Në një botë të balancimit dhe ribalancimit të pushtetit, aleancat kanë më shumë rëndësi, jo më pak.

Mund të duket se ekzistenca e armëve bërthamore e bën shekullin e 21-të të ndryshëm nga epokat e mëparshme të Realpolitikës, pasi mund të përmbysin në çdo moment të gjithë tryezën e lojërave. Por armët bërthamore vetëm rrisin rrezikun e dështimit; nuk e ndryshojnë logjikën e sistemit.

Jo vetëm SHBA-ja, por edhe Kina, India dhe fuqitë e tjera, në fakt, e kanë frenuar tashmë Putinin nga qëndrimi i Dr. Strangelove.

The Zeitenwende: Has Germany Changed? - CEPA

Në këtë kuptim cinik, një “rend i ri i vjetër” i bazuar në balancën e pushtetit mund të rezultojë ende i qëndrueshëm.

Dallimi kryesor midis kësaj epoke të Realpolitikës dhe atyre të mëparshme – nga e Tukididit te ajo e Metternich-it dhe e Bismarkut – është përkundrazi ekzistenca e një eksternaliteti të ri dhe apokaliptik. Ky është ndryshimi antropogjen i klimës, me të gjitha efektet e tij anësore – nga pandemitë zoonotike te përmbytjet, zjarret, thatësirat, zitë e bukës dhe të tjerat.

Në një botë ideale – domethënë në një botë të qeverisur nga idealizmi politik – njerëzimi, përballë një kërcënimi të përbashkët, do të linte mënjanë betejat e tij të brendshme dhe do të bashkohej kundër armikut.

Nën flamurin e OKB-së ose ndonjë strukture tjetër ndërkombëtare, bota do të bashkëpunonte për të ndaluar emetimin e gazrave serrë dhe për kaosin e krijuar tashmë.

Pas Zeitenwende, mjerisht, ajo botë idealiste është zhdukur.

Ne do të jemi kaq të zënë me balancimin e fuqisë, sa nuk do të bashkëpunojmë për shumëçkaa, ose për asgjë. 2023 është viti i parë i pjesës tjetër të jetës sonë.

Burimi: The Washington Post

Përktheu dhe përshtati: Konica.al