MENU
klinika

kush rrezikohet nga britanikët

Londra paralajmëron se do shpallë “non grata” të tjerë politikanë dhe biznesmenë shqiptarë

03.02.2023 - 14:24

Britania e Madhe duket e vendosur për të goditur të korruptuarit dhe inkriminuarit, ndërsa ka paralajmëruar do të sjellë një valë të dytë shpalljesh “non grata”, ku subjekt pritet të jenë politikanë, biznesmenë dhe të gjithë ata që sipas Londrës, minojnë sundimin e ligjit në Shqipëri dhe jovetëm. Gazeta “Sot” zbuloi pak javë më parë nga burime konfidenciale se disa biznesmenë, pronarë mediash, deputetë, ish-presidentë, ministra dhe ish-ministra në Shqipëri janë pjesë e “listës së zezë” së Anglisë. Madje mësohet se disa ish-ministra të qeverisë “Rama” dhe të Partisë Demokratike, tashmë e kanë marrë njoftimin nga Londra se janë shpallur “non grata”. Ata akuzohen për korrupsion, për pastrim parash, përfshirja në afera dhe blerje votash. Por nuk ndalet me kaq, pasi deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka bërë dje të ditur gjatë një prononcimi për mediat se shpalljet ‘non grata’ do të vijojnë. Zoti Alibeaj pohoi para gazetarëve se ka zhvilluar një vizitë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa mes të tjerash zbuloi se atje i është thënë se do të shpallen ‘non grata’ të gjithë ato që minojnë demokracinë. “Ata do vijojnë me procedurën e shpalljes non grata të gjithë personave që marrin pjesë në minimin e demokracisë. Unë protestoj gjithmonë, bazuar në ligj, mbi fakte dhe e kam bërë këtë gjithmonë, në mënyrën më serioze. Do jem gjithmonë atje ku kërkohet goditja e drejtpërdrejtë e kryeministrit. Do ta shohim këtë punë, e kam dhënë përgjigjen, sot jemi për një çështje të rëndësishme”, deklaroi Alibeaj. Kjo do të thotë se të rrezikuar janë shumë zyrtarë, ish-zyrtarë të lartë dhe politikanë, të përfshirë në afera korruptive dhe kriminale. Kujtojmë se deri më tani nga politikanët kryesor, Britania ka shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha, vendim ky që u zbulua vitin që shkoi.

Ambasadori britanik paralajmëroi tjetër “listë të zezë”
Por më herët gjatë disa intervistave për mediat shqiptare, edhe ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith ka paralajmëruar tjetër “listë të zezë”, ku të rrezikuar janë politikanë, biznesmenë, madje kushdo që është përfshirë në krim e korrupsion në Shqipëri dhe jovetëm. “Ju e keni parë artikullin e Sir Stuart Peache të dërguarit special të kryeministrit për Ballkanin Perëndimor disa javë më parë ku u njoftua vala e parë e personave që u ndalohet hyrja nga Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria. Vala e parë përfshinte disa persona të një profili të lartë nga Shqipëria me lidhje korruptive dhe në kriminalitet të cilët nuk janë të mirëseardhur të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ne do të vijojmë të ndërmarrim veprime të ngjashme në lidhje me këtë. Ne nuk i publikojmë emrat për disa arsye ligjore. Ndjesë që nuk mundem të flas për numrin e tyre apo emrat e këtyre individëve. Është në dorë të individëve të vetë-deklarohen. Kjo nuk është për një individ. Kjo është për ti dhënë fund pa-ndëshkueshmërisë, vendosjen përpara përgjegjësisë dhe ndaluar ata me lidhje kriminale përfshi korruptive të cilët ndjehen se nuk i gjen asnjë pasojë”, deklaroi ai.

Britania hetime të forta për “non gratat”
Më tej gjatë prononcimit të tij ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith zbuloi se Londra dhe institucionet ligjzbatuese angleze kryejnë një gamë të gjerë hetimesh, përpara se të shpallin dikë “non grata”. Kërkohet kohë për të arritur disa standarde e më pas mbërritur në vendimmarrje. Këto lloj ndalesash ndërmerren nga Sekretarja e Punëve të Brendshme ndërsa sanksionet anti-korrupsion nga Sekretari punëve të Jashtme dhe më gjerësisht për ato që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë nga prokurorë të pavarur. Ju do të shikoni më shumë rreth kësaj më vonë këtë vit e më tutje. Kjo do jetë diçka që do të bëhet rutinë. Sapo prova dalin në dritë, raportime të gazetarëve apo nga të tjerë ne do të shikojmë se çfarë veprimesh do të marrim të ndihmojmë qëllimin final në dhënien fund pa-ndëshkueshmërisë”, nënvizoi ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith.