Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave, tregojnë se në muajin Janar 2023 numërohen 84 aksidente rrugore nga 107 të ndodhura në muajin Janar 2022. Kjo tregon se numri i aksidenteve rrugore është ulur me 21,5 %.
Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 119 persona nga 147 persona të aksidentuar në muajin Janar 2022.
Aksidentet rrugore, në 79,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 33,3 % të numrit të aksidenteve gjithsej.
Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i aksidenteve rrugore për këtë grup-moshë është ulur me 9,7 %.
Në muajin Janar 2023, duke iu referuar të dhënave të Aksidenteve sipas ditëve të javës, rezulton se gjatë ditës së Martë ka ndodhur numri më i lartë i aksidenteve, duke përbërë 26,2 % ndaj numrit gjithsej të aksidenteve.
Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur gjatë harkut kohor 08:00-12:00 duke përbërë 23,8 % të numrit gjithsej të aksidenteve në muajin Janar 2023.
Aksidentet rrugore, në 20,2 % të rasteve, në muajin Janar 2023 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur me 15,0 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.