MENU
klinika

Analiza

Si po përplasen superfuqitë në një botë pa udhëheqës…

04.02.2023 - 12:30

Javën e kaluar, udhëheqësit e politikave dhe biznesit në Takimin e 53-të Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, diskutuan mbi rreziqet globale të këtij viti. Ja cili është qëndrimi ynë mbi rreziqet destabilizuese që duhen parë me vëmendje.

Përplasja e superfuqive në një botë pa udhëheqës

Mund të pritet rigjallërimi i konkurrencës së fuqive të mëdha që do të kufizonte përparimin në trajtimin e sfidave globale. Mbështetja SHBA-BE ndaj Ukrainës dhe kundër Rusisë do të vazhdojë, por mund të ketë fërkime të përsëritura në aleancën perëndimore (mbi ndihmën dhe subvencionet).

Konkurrenca SHBA-Kinë do të vazhdojë mbi teknologjinë (veçanërisht mikroçipat), sigurinë (Tajvan, Paqësor), naftën dhe energjinë e gjelbër (mineralet e tokës së rrallë). Vini re partneritetin në zhvillim Kinë-Rusi që kërkon të rishkruajë një rend të brishtë të pas Luftës së Ftohtë. Po ashtu mund të ketë tension midis Indisë dhe Kinës në kufi dhe Oqeanin Indian.

Më shumë qytetarë kundërshtojnë qeveritë e tyre

Ukraina na ka kujtuar se ia vlen që të luftohet për demokracinë, por rënia globale e demokracisë vazhdon. Studimi ynë që nga viti 2017, ka identifikuar një krizë të përsëritur të legjitimitetit politik, në të cilën qytetarët kanë sfiduar status quo-në politike.

Sipas barometrit “Edelman Trust 2023”, nga 32.000 të anketuar në 27 vende të anketuara, qeveria shihet si “joetike dhe e paaftë”. Këtë vit, tendosja antiqeveritare do të vazhdojë, me shqetësim shtesë për manipulimin e perceptuar elektoral në vende si Brazili, Nigeria, Turqia, Mianmari, Tajlanda, Pakistani dhe Zimbabve.

Cilat janë rreziqet globale për këtë vit?

Një eksod refugjatësh për shkak të ndryshimeve klimatike

Krijimi i Fondit të Humbjeve dhe Dëmtimeve gjatë samitit të klimës COP27 ishte historik. Vendet në zhvillim do të paguhen për katastrofat natyrore që kanë pësuar si pasojë e ndryshimet klimatike, të cilat nga ana e tyre janë nxitur nga emetimet e mëdha të karbonit në atmosferë nga vendet e zhvilluara.

Megjithatë, ne nuk e kemi të qartë se kush do të kontribuojë në këtë fond, apo se kur qëllimi për të mbajtur ngrohjen globale nën 1.5 gradë Celsius do të bëhet realitet. Shtyrja për pas luftës në Ukrainë për energjitë e rinovueshme dhe skemat për kapjen e karbonit të tepërt në atmosferë janë pozitive në terma afatgjatë. Por tani për tani, prisni më shumë fatkeqësi (veçanërisht në vende si Sahel) dhe më shumë refugjatë për shkak të krizës së klimës, ndërsa qeveritë do ta kenë të vështirë ta adresojnë këtë problem.

Kriza e ripërtërirë globale e ushqimit

Inflacioni arriti kulmin në vitin 2022, por Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që çmimet e ushqimeve do të “mbeten të larta” për shkak të luftës në Ukrainë. Shumë vende do ta ndiejnë këtë rritje edhe këtë vit. Ndërsa për rajone të caktuara, veçanërisht në Afrikë, Banka Botërore parashikon një pasiguri ushqimore më të madhe që mund të çojë deri në uri.

Prodhimi i ushqimit do të pengohet nga çmimet e larta të plehrave kimikë. Por kërcënimi i vërtetë për sigurinë ushqimore do të vijë nga ndryshimet klimatike, të cilat nuk mund t’i ndalë dot asnjë qeveri, ose të paktën jo brenda këtij viti. Ndaj duhet pritur zi buke në zona të ndryshme, refugjatë, dhe ndoshta më shumë rekrutime terroristësh, sepse grupet ekstremiste do të nxitojnë të shfrytëzojnë dëshpërimin e njerëzve të uritur.

Ekstremizmi do të vazhdojë thellohet

Ndërsa qeveritë u japin përparësi rreziqeve më emergjente (veçanërisht atyre ekonomike), do

të vazhdojë të përhapet urrejtja e dhunshme – offline dhe online (përfshirë hapësirën e decentralizuar). Grupet ekstremiste islamike (dhe grupi mercenar rus Vagner) do të përhapen më tej në pjesë të Afrikës dhe Azisë Jugore.

Ekstremistët e ekstremit të djathtës do të forcohen në Brazil, SHBA dhe Europë. Ekstremizmi budist mund të rritet ndjeshëm përpara zgjedhjeve parlamentare në Mianmar. Po ashtu vlen të përmendet rritja e ekstremizmit hindu brenda dhe jashtë Indisë. Dhe mund të shfaqet dukshëm një formë më e dhunshme e aktivizmit mjedisor, siç është eko-terrorizmi?

SHBA

Po fillon gradualisht fushata për presidencialet e 2024-ës, dhe në një mjedis kaq shumë të polarizuar, situata mund të përkeqësohet. Ish-presidenti Donald Trump mund të jetë një “barrë” për republikanët, dhe rikthimi i tij në hapësirën publike mund të nxisë dhunë tani që do të rihapet llogaria e tij në “Facebook”. Dhe mos harroni, recesionin e afërt ekonomik.

Kina

Dhjetori 2022 ishte befasues. Qytetarët protestuan kundër politikës “Zero COVID-19”, dhe qeveria u dorëzua befas (edhe pse më vonë pretendoi se ndryshimi i politikës ishte miratuar para protestave). Rezultati ishte shkatërrues. Për shkak të mosveprimit të qeverisë, qytetarët po u drejtohen për ndihmë grupeve dhe kompanive bazë. Kontrata sociale është më e dobët: A do të tërhiqen qytetarët për çështjet e tjera?

Rusia

Shumë gjëra mund të shkojnë keq, dhe ato mund të çojnë në rënien e regjimit të presidentit Vladimir Putin. Vazhdojnë të qarkullojnë zërat për kancerin e tij në gjak (madje edhe nëse ai është ende gjallë siç vuri në dyshim kohët e fundit presidenti ukrainas Volodimir Zelenski). Ekonomia ruse mund të jetë treguar elastike vitin e kaluar, por ajo ka filluar të “kalbet” për shkak të sanksioneve dhe po shkon drejt një “varfërie të pabesueshme”.

Iran

Protestat për të drejtat e grave që nisën në shtator 2022 vazhdojnë ende (madje po protestojnë edhe burrat), dhe kanë evoluar në një lëvizje më të gjerë kundër regjimit. Por ajo që mund të bëhet më destabilizuese në vitin 2023 është brenda vetë regjimit. Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei, 83 vjeç, është i sëmurë dhe po rriten shqetësimet për një krizë që mund të shoqërojë zgjedhjen e pasardhësit.

Ngjarje tronditëse

Disa rreziqe nuk mund të parashikohen, por janë ende të mundshme. Pesë ngjarje tronditëse mund të ndikojnë mbi stabilitetin global këtë vit: një katastrofë natyrore apo një sulm kibernetik që shkatërron një qendër financiare globale; një sulm ekstremist i ekstremit të djathtë që mund të ketë sukses në një qytet të madh të Europës Perëndimore; Irani mund të prodhojë armën e tij bërthamore (me mbështetjen e Rusisë) pasi të jetë tërhequr nga negociatat për ta ripërtërirë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Ndërkohë, Turqia dhe Greqia hyjnë në një luftë midis tyre në Detin Egje ose Mesdheun Lindor; ndërsa Rusia sulmon territorin e NATO-s – me apo pa dashje – duke çuar në shpërthimin e Luftës së Tretë Botërore.

Pse lëvizja mund të rrisë tensionet mes dy vendeve

SHBA zhvendos sistemin raketor Typhon pranë Kinës

Gratë snajperiste poshtëruan iranianët

Kush fshihet pas Kupolës së Hekurt?

Pse “dragoi” ka në dorë rrjedhën e luftës?

Rusia mund të tërhiqet nga Ukraina, falë Kinës

Teherani kërcënon me një armë të re

Hakmarrja e Izraelit ndaj Iranit nuk do të vonojë

Franca dhe Gjermania dalin jashtë loje

Veriu i Evropës merr në dorë “frenat” e NATO-s