MENU
klinika

Analiza

Si ta kuptojë Ukraina se është koha për bisedime…

02.02.2023 - 20:01

Më 24 shkurt, do të shënohet përvjetori i parë i luftës në Ukrainë, që ende nuk po sheh një fund në horizont. Kostot e saj po rriten. Evropa po përballet me një krizë të rëndë refugjatësh. Dhjetëra mijëra ushtarë kanë vdekur, ndërsa në total, bashkë me civilët viktimat janë me qindra mijëra.

Planet e shpallura ditët e fundit për t’i siguruar Ukrainës tanke perëndimore, tregojnë se Amerika, Gjermania dhe të tjerët po përgatiten për një luftë shumë më të gjatë. Por në një konflikt të gjatë, do të humbasin jetën shumë më tepër njerëz.

Udhëheqësit perëndimorë do të bënin një gabim të madh nëse nuk nxisin negociatat që do t’i japin fund luftimeve, edhe pse ata vazhdojnë që ta mbështesin Ukrainën. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, ka thënë se është pro bisedimeve për paqes, por vetëm pasi Ukraina të rifitojë një pjesë domethënëse të territorit të humbur.

Ai dëshiron të rimarrë jo vetëm atë që humbi Ukraina në vitin 2022, por edhe atë që humbinë 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë dhe pushtoi disa pjesë të rajonit të Donbasit. Unë e simpatizoj dëshirën e Ukrainës për të luftuar derisa të dëbojë të gjitha forcat ruse nga i gjithë territori ukrainas.

Jam i sigurt që udhëheqësit ukrainas shqetësohen se bisedimet e paqes do t’i demoralizojnë trupat e tyre në front, të cilët po luftojnë me kaq shumë guxim. Kauza e tyre është e drejtë. Por synimet e tyre në këtë luftë janë jorealiste. Tanket perëndimore janë një simbol i përkushtimit të aleancës SHBA-BE, dhe ato me siguri që do të përmirësojnë shanset e Ukrainës për të çarë linjat ruse.

Bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës do të shpëtonin

Por ato nuk do të ndryshojnë rrënjësisht balancat në fushën e betejës. Me pak fat, tanket mund ta inkurajojnë Vladimir Putinin që t’i konsiderojë më seriozisht negociatat. Por ai nuk ka ende luksin që të tërhiqet pa pasur mundësi t’u tregojë rusëve asnjë lloj arritjeje nga lufta e tij, sado modeste të jetë ajo.

Duke pasur parasysh se sa shumë po rrezikon ai me këtë luftë, dështimi i tij – për të mos fillur pastaj një humbje më të madhe që përfshin Krimenë apo territorin tjetër që Rusia e pushtoi në vitin 2014 – do të rrezikonte shpërthimin e një revolte nga brenda elitave të Rusisë, e cila me siguri që do ta destabilizonte regjimin e tij.

Po ashtu, kjo është një kryqëzatë tejet personale për Putinin, që ndoshta e sheh atë si “kurorën” e mbretërimit të tij të gjatë. Synimet e Ukrainës në këtë luftë duken jorealiste edhe sepse zotit Putin nuk do të mbetet pa para. Kina e mbështet atë politikisht, teksa po blen naftën dhe gazin rus.

Dhe sanksionet nuk e kanë gjymtuar ekonominë ruse siç shpresohej fillimisht në Perëndim. Trupat e tij janë ende duke u paguar, ndërsa ushtria ruse po qëndron përgjithësisht në pozicionet e veta. Llogoret e saj mund të shihen nga fotot satelitore, të endura si fije përgjatë vijës së frontit në lindje dhe në jug.

Gjithashtu, Putin ka thirrur në armë një ushtri të madhe rezervistësh dhe ka zbuluar metoda të reja për të rimbushur arsenalin e Rusisë. (Kremlini ka kuptuar se si të prodhojë raketat brenda vendit, pavarësisht sanksioneve, ndërsa ka blerë armë nga Irani dhe Koreja e Veriut).

Bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës do të shpëtonin

Pa një rritje edhe më të madhe të mbështetjes nga Perëndimi, Ukraina nuk mund të arrijë dot objektivat e saj më madhorë. Kjo është arsyeja pse ajo ka kërkuar jo vetëm tanke, por edhe avionë luftarakë f -16, dronët “Grey Eagle”, raketa me rreze të gjatë veprimi ATACM dhe municione thërrmuese.

Ndoshta në një konflikt Ukraina mund të arrinte ta rimerrte rajonin e Donbasit. Por mund të ketë sulme të reja ruse ndaj Kievit dhe Perëndimit i mungon interesi jetik që do të justifikonte rreziqet e përshkallëzimit, kostot ushtarake, politike dhe njerëzore që vijnë nga mbështetja e synimeve më të mëdha të Ukrainës.

Në SHBA, Kongresi ka miratuar tashmë mbi 100 miliardë dollarë mbështetje ushtarake dhe financiare për Ukrainën. Por mbështetja publike për masa të tilla po dobësohet. Një sondazh i publikuar në dhjetorin e vitit të kaluar nga këshilli i Çikagos, zbuloi se pjesa e amerikanëve që besojnë se Uashingtoni duhet të mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa duhet” ra në 48 për qind, nga 58 për qind në korrik.

Dhe do të mbeten dallimet midis aleatëve të NATO-s lidhur me sa larg do të vazhdohet të shkohet në këtë luftë. Për me tepër, rreziku i përshkallëzimit në një luftë më të gjerë dhe më shkatërruese do të vazhdojë për sa kohë që vazhdojnë luftimet. Sigurisht, një konflikt i gjatë që do të shterojë burimet e pakta evropiane, dhe do të pengojë rikthimin në shtëpi të miliona refugjatëve dhe do ta dobësojë klimën ekonomike.

Kërcënimi bërthamor i Putinit është i dënueshëm dhe egoist. Por një qasje e përgjegjshme ndaj luftës do të thotë të merret seriozisht mundësia që ai të përdorë armë bërthamore. Sepse në këtë luftë ai ka shumëçka për të humbur. Kjo është arsyeja pse nevojitet një rrugë diplomatike shumë më e fortë, edhe pse do të vazhdojmë të ruajmë presionin ndaj Rusisë.

Ata që janë në favor të vazhdimit të luftës, ndoshta besojnë se ka një alternativë ushtarake ndaj negociatave, që e zgjidh konfliktin themelor midis Rusisë dhe Ukrainës. Në fakt nuk ka. Është e vërtet që do të ishte mirë nëse Ukraina do të çlironte disa territore të tjera. Por me çfarë kostoje, dhe për çfarë përfitimi strategjik?

Edhe në skenarin e pamundur kur Perëndimi do ta mbështeste Ukrainën deri në fund dhe për shumë vite, që mund ta detyronte në fund Rusinë të largohej nga i gjithë territori ukrainas, Moska mund ta rifillonte luftën në një moment tjetër. Një operacion i ndryshimit të regjimit në Moskë mund ta parandalojë këtë, por do të ishte shumë i rrezikshëm.

Diplomacia në këto momentet do të kërkojë bisedime të vështira për ta bindur Ukrainën të adoptojë një qasje më realiste ndaj qëllimeve të saj të luftës. Tanket perëndimore që pritet ti dërgohen Ukrainës do ta bëjnë më të vështirë këtë gjë. Por po ashtu do të forcojnë aftësinë e Perëndimit dhe të drejtën e tij për ta bërë këtë.

Nga ana tjetër, një hapje më e madhe publike ndaj negociatave midis liderëve perëndimorë mund ta ndihmojë Zelensky-n të bindë qytetarët ukrainas dhe shërbimet e tij të sigurisë.

Putin është një autokrat, dhe nuk është e sigurt nëse ai do të hynte apo jo në bisedime me një farë serioziteti.

Por vendimi i aleancës perëndimore për të dërguar tanke në Ukrainë, mund ta inkurajojë atë që ta bëjë këtë. Shqetësimi se një zgjidhje e negociuar do ta “shpërblente” Putinin dhe do të inkurajonte ndoshta sulmin e Kinës ndaj Tajvanit, është i tepruar. Nëse negociatat do të ngrinin linjat e betejës aty ku janë tani, Putin do të kishte paguar një çmim shumë të lartë për përfitime shumë të kufizuara.

Shumë kritikë të negociatave e kundërshtojnë në parim idenë e diplomacisë me një njeri si Putin. Por fuqitë perëndimore duhet rregullisht të negociojnë edhe me kundërshtarët, përfshirë më të përbuzurit, kur ajo u shërben interesave kombëtare dhe parandalon dhunën dhe vuajtjet njerëzore.

Në fillim diplomatët duhet të synojnë objektiva modestë, duke filluar me armëpushime të kufizuara. Nëse arrihet një armëpushim, mund të zhvillohen më vonë negociatat më të gjera mbi dallimet më të thella. Edhe një fund i përkohshëm i luftimeve, do të ofronte një shans për ftohjen e emocioneve, shpëtimin e jetëve njerëzore dhe kursimin e burimeve.

Po ashtu, bisedimet ofrojnë shanse më të mira për rindërtimin e Ukrainës pas konfliktit. Dhe këtu do të qëndrojë fitorja e vërtetë e Ukrainës ndaj Rusisë: të bëhet një demokraci dinamike dhe e mirë-integruar në Evropë. Ky proces ka tashmë të ngjarë të zgjasë deri në vitet 2030.

Por mund të zgjasë edhe për shumë vite të tjera nëse vazhdon lufta, gjykuar nga precedentët historikë në Ballkan, Irak dhe Afganistan. Negociatat mundet që të dështojnë, por palët që do të përfshiheshin në to nuk mund ta dinë vërtet këtë derisa të përpiqen.

Nga ana tjetër bisedimet mund të kenë në fillim sukses, por mund të prodhojnë një paqe që do të prishet brenda pak viteve, siç ndodhi me Marrëveshjet e Minskut që i dhanë fund luftës së 2014-ës. Edhe pse i papërsosur, edhe ky rezultat do të ishte më i mirë se shumë vite luftime. Një konflikt tjetër i ngrirë është më i preferueshëm sesa një luftë e pafundme, që e vë Evropën, Ukrainën dhe tek e fundit gjithë botën në rrezik për vitet në vijim.

Christopher S.Chivvis, është drejtor i Programit Amerikan në think-tankun “Carnegie Endowment”. Gjatë viteve 2018-2021, ai ka qenë Oficeri Kombëtar i Inteligjencës Amerikane për Evropën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kreu i CIA-s për bisedimet e paqes mes Rusisë e Ukrainës

“Kremlini nuk është serioz për negociatat”