MENU
klinika

Ishte shpallur në kërkim për aferën e inceneratorëve

Si u lokalizua Stela Gugallja në Vjenë

08.02.2023 - 11:35

Stela Gugallja, e konsideruar si një prej personave të rëndësishëm të aferës së inceneratorëve, mësohet se është në proces ekstradimi nga Vjenë në drejtim të Tiranës.

Ajo, në fakt, rezulton e shpallur në kërkim bashkë me dy emra të tjerë të rëndësishëm të skandalit të inceneratorëve, që i ka kushtuar shtetit qindra miliona euro, në fakt me firmat e zyrtarëve më të lartë të qeverisë shqiptare. Por nga të dhënat zyrtare bëhet me dije se Stela Gugallja është paraqitur në Gjykatën e Vjenës, ku edhe ka deklaruar për vendbanimin e saj dhe më pas është larguar.

Fillimisht u bë me dije se ajo ishte arrestuar, pasi ndaj saj prej shumë kohësh SPAK ka deklaruar zyrtarisht se është lëshuar për të një urdhërarrest ndërkombëtar por autoritetet vjenezë nuk e kanë ndaluar e për pasojë Gugallja ka vazhduar e qetë në punën e saj. ‘Panorama’ pyeti zyrtarisht Policinë e Shtetit nëse ajo ishte vënë nën ndonjë masë për llogari të prokurorisë së Posaçme apo të Policisë së Shtetit, por u bë me dije se ajo nuk është e arrestuar dhe madje as e ndaluar. Po përkundër këtij fakti saktësohet se në drejtim të autoriteteve të drejtësisë së Vjenës në Austri janë nisur dokumentet për të mundësuar ekstradimin, ndërkohë që nga SPAK u bë me dije dje se ishte lokalizuar vendndodhja e saj.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pohoi të martën se ishte njoftuar se në Gjykatën e Vjenës në Austri është duke u kryer procedura e ekstradimit të Stela Gugalles, njëra prej administratoreve të kompanive koncesionare të inceneratorëve, që kërkohet nga Shqipëria për veprën penale të korrupsionit. Sipas SPAK-ut, procedura për ekstradimin nga Austria në Shqipëri e kësaj shtetaseje po kryhet në zbatim të urdhrit të kërkimit ndërkombëtar.

“Për këtë qëllim i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë gjithë dokumentacioni i nevojshëm për procedurën e ekstradimit”, u tha zyrtarisht nga SPAK. Çështja për aferën e inceneratorit të Elbasanit, për të cilën akuzohet Gugallja, është dërguar për gjykim nga Prokuroria e Posaçme. Së bashku me Gugallen, nën akuzë janë edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka; ishdeputeti socialist Alqi Bllako, gjashtë zyrtarë të tjerë si dhe biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Po ashtu, nën akuzë penale janë edhe kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. Sipas hetimit të prokurorisë, të akuzuarit dyshohen se kanë dhënë koncesion në kundërshtim me ligjin, kanë lëshuar dhe pranuar fatura për punime të paqena dhe kanë transferuar paratë e përfituara përmes një rrjeti kompanish false.

Sipas akuzës, zyrtarët e qeverisë përdorën një metodë prokurimi të paparashikuar në legjislacionin për inceneratorin e Elbasanit, ndonëse ishin vënë në dijeni për këtë nga Agjencia e Prokurimeve Publike. Zyrtarët që morën pjesë në procedura, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri e Serafin Papa janë nën akuzën e abuzimit të detyrës, ndërsa ishministri Koka është nën akuzë të trefishtë për abuzim me detyrën, korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Biznesmenët Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto janë nën akuzë për korrupsion aktiv e pastrim parash. Mërtiri përshkruhet nga Prokuroria si “pronari faktit i shoqërisë ‘Albtek Energy’”, kompani që zyrtarisht është nën pronësinë e partneres së tij, Stela Gugallja.

Tabaku: SPAK të ndjekë paratë!
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, me anë të një postimi në “Facebook”, ka reaguar në lidhje me çështjen e inceneratorëve dhe hetimin mbi këtë aferë. Tabaku shkroi se këshilla e saj për SPAK-un ka qenë të ndiqnin paranë, pasi sipas saj, ajo do i dërgonte te të gjithë ata që bashkëpunuan për aferën e inceneratorëve në vend: “Ndiqni paranë ishte këshilla ime për SPAK-un në fund të prezantimit të raportit të Komisionit Hetimor të Inceneratorëve prej mbi 100 faqe.

Ndiqni paranë dhe lidhjet e parave ishte ajo çfarë përsërita në 12 paditë që kam dërguar në SPAK për aferën 430 mln euro. Paraja do t’ju dërgojë te të gjithë ata që bashkëpunuan për aferën e 430 mln eurove. 3 inceneratorë janë 1 aferë e madhe, që duhet hetuar si një grup i strukturuar kriminal! Asnjë person me pushtet nuk mund dhe nuk duhet mbrojtur. Asnjë njeri i përfshirë në këto afera korruptive nuk ka përse e bën gjumin e qetë, ndërsa abuzon me paratë dhe djersën e shqiptarëve. Ata kanë pritur për një kohë të gjatë dhe kërkojnë fundin e pandëshkueshmërisë dhe drejtësisë selektive të atyre që nuk e bëjnë gjumin e qetë, sepse kanë frikën e SPAK-ut, pasi kanë abuzuar me pushtetin e tyre. Koha që të japim mesazh për këdo pushtet politik që ka përdorur gjysmë të vërtetat për të sulmuar kë përpiqej të zbulonte dhe dëshmonte për të vërtetën. Koha që t’i shkojmë deri në fund betejës për të ndëshkuar korrupsionin e inceneratorëve. Në krahun e një drejtësie që lufton për interesin e qytetarëve”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Njihet për administrimin e aseteve të skemave piramidale

Kush do të menaxhojë kompaninë e inceneratorëve të sekuestruar nga SPAK!

"Nuk mbaron me Lefter Kokën, por ja kush është problemi"

A do ketë arrestime të tjera? Paralajmërimi i Artan Hoxhës