MENU
klinika

Investitorët duhet të kenë kujdes

Sulmi i ri mbi globalizimin

04.02.2023 - 10:54

Ministrat e Tregtisë zakonisht nuk janë dramatikë. Megjithatë, ministri i Koresë së Jugut, Ahn Duk-geun, është i alarmuar. “Bota është në prag të hapjes së kutisë së Pandorës”, paralajmëroi ai muajin e kaluar.

“Nëse Bashkimi Europian ndjek politikat industriale proteksioniste të Amerikës, Japonia, Koreja, Kina dhe çdo vend, do të përfshihet në këtë garë shumë të vështirë për të shpërfillur rregullat e tregtisë globale”. Sistemi ndërkombëtar i tregtisë dhe investimeve, i negociuar me përpikëri gjatë dekadave, do të përmbyset.

William Reinsch, i cili dikur mbikëqyrte kontrollet e eksporteve të Amerikës, si nënsekretar i Tregtisë, është po aq i prerë. Amerika ka dashur gjithmonë të ruajë përparësi teknologjike ndaj fuqive të tjera ekonomike, thotë ai.

Megjithatë, këto kohë, ajo po e ndjek këtë qëllim në një mënyrë të re: “Ne kemi kaluar nga një politikë ‘vrapo më shpejt’ në një politikë ‘vrapo më shpejt dhe pengo të tjerët që janë në garë’. Fuqitë e Mëdha po shënojnë përparime ekonomike, të paktën në fushat e industrisë që ato i përcaktojnë si strategjike. Perspektiva për zhvillimin global, duket e zymtë.

Në një fjalim në shtator, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Amerikës, Jake Sullivan, shpalosi parimet themelore të kësaj qasjeje. Thjesht mbajtja e një epërsie teknologjike ndaj Kinës dhe rivalëve të tjerë, nuk është më e mjaftueshme, argumentoi ai.

Në vend të kësaj, Amerika duhet të kërkojë “përparësi sa më të madhe të jetë e mundur” në prodhimin e çipave, llogaritjen kuantike, Inteligjencën Artificiale, bioteknologjinë dhe energjinë e pastër. Për këtë qëllim, Amerikës i duhet jo vetëm të tërheqë njerëz të zgjuar dhe të nxisë risinë, por edhe të pengojë përparimet teknologjike në vende si Kina dhe Rusia.

Zoti Sullivan përshkroi dy mënyra kryesore për të siguruar supremacinë amerikane: përdorimin e subvencioneve dhe formave të tjera të politikës industriale, për të larguar zinxhirët e furnizimit nga rivalët gjeopolitikë dhe kontrollin më të rreptë të investimeve dhe të eksportit, për të mbajtur teknologjinë e përparuar larg duarve jo miqësore.

Amerika, dikur përkrahësi më i fortë në botë i tregtisë së lirë dhe ekonomive të hapura, po miraton dhe përforcon politika të tilla, ndërsa vendet e tjera po imitojnë qasjen e saj. Rezultati është rritja e pengesave për tregtinë dhe investimet ndërkombëtare, në një kohë kur të dyja tashmë ishin në stanjacion.

Entuziazmi i papritur për politikën industriale në Amerikë dhe gjetiu, është pjesë e një prirjeje më të gjerë. Në vitin 2022, Kongresi miratoi dy projektligje të shtrenjta, që synojnë të forcojnë industrinë vendase, në emër të sigurisë kombëtare, krijimit të vendeve të punës dhe dekarbonizimit.

Akti i çipave, i cili ofron 52 miliardë dollarë stimuj financiarë për industrinë e gjysmëpërçuesve, po përpiqet të ndryshojë një rënie prej shumë dekadash në pjesën që zë Amerika në prodhimin e çipave.

Akti i Reduktimit të Inflacionit (IRA) do të shpenzojë afro 400 miliardë dollarë për të rritur energjinë e pastër dhe për të ulur varësinë nga Kina në zinxhirë të rëndësishëm furnizimi, si për shembull, për bateritë për automjetet elektrike.

Nuk është vetëm Amerika ajo që po përpiqet të nxisë industrinë vendase në kurriz të rivalëve të huaj. Sipas OKB-së, më shumë se 100 shtete që përbëjnë mbi 90% të PBB-së së botës, kanë miratuar strategji formale industriale.

Shpenzimet për subvencione në vendet e G7-ës, janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit, nga 0.6% e PBB-së në vitin 2016, në 2% në vitin 2020.

Pjesërisht, kjo është një përgjigje ndaj pandemisë: për shembull, Bashkimi Europian miratoi një paketë për rimëkëmbjen, që përfshin më shumë se 850 miliardë dollarë shpenzime, duke përfshirë shumë ndihma për bizneset. Por megjithëse shpenzimet për subvencione kanë rënë që nga kulmi i tyre në vitin 2020, ato mbeten mbi nivelet para Covid-19.

Firmat shumëkombëshe që po mendojnë të largohen nga Kina, në disa raste po paguhen për t’u zhvendosur. Japonia ofroi stimuj financiarë për zhvendosje të tilla në buxhetin e saj në vitin 2020. India po përpiqet të joshë firma në 14 industri të ndryshme, duke ofruar deri në 26 miliardë dollarë stimuj financiarë të lidhur me prodhimin. Politika të tilla mund të bëhen të zakonshme nëse tregtia fillon të copëtohet dhe firmave u kërkohet të zgjedhin një anë.

Një arsye tjetër për oferta të tilla janë subvencionet, të cilat synojnë të kundërshtojnë stimujt e ofruar nga vende të tjera. Pagesa prej 52 miliardë dollarësh për prodhuesit e çipave sipas Aktit të Çipave të Amerikës, tingëllon shumë bujare, por është veçse një pjesë e vogël e shumës prej 371 miliardë dollarësh të destinuar për industrinë e gjysmëpërçuesve në dekadën e ardhshme në shtatë shtetet më bujare, sipas bankës UBS.

(Kina, BE-ja, India, Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani janë shpenzuesit e tjerë të mëdhenj.) Para pak ditësh, Tajvani miratoi ulje të reja tatimore për prodhuesit e tij të çipave.

Bateritë për automjetet elektrike, 70% të të cilave prodhohen në Kinë, janë një tjetër magnet për subvencione dhe forma të tjera të mbështetjes shtetërore. Që nga viti 2020, Indonezia ka ndaluar eksportin e nikelit për të nxitur prodhimin e baterive në vend. Australia dhe Kanadaja po shpenzojnë me miliarda dollarë për të nxitur minierat për përpunimin e xeherorëve.

Një element polemik i Aktit të Reduktimit të Inflacionit në Amerikë, është një kredi tatimore prej 7,500 dollarësh për konsumatorët amerikanë që blejnë automjete elektrike.

Gjysma e kredisë është e disponueshme nëse pjesët përbërëse të baterisë së një automjeti janë prodhuar ose montuar në Amerikë; gjysma tjetër bazohet në origjinën e mineraleve të baterisë. Montimi përfundimtar i automjetit duhet të kryhet gjithashtu në Amerikë.

Automjetet e huaja elektrike që nuk plotësojnë asnjërin nga këto kushte, do të jenë jashtëzakonisht të pafavorizuara. Për shembull, kompania Hyundai, është një prodhues makinash koreanojugor, që shet më shumë makina në Amerikë se Tesla.

Automjetet e saj nuk kualifikohen për kredi, sepse montohen jashtë vendit. Kompania po ndërton një fabrikë me vlerë 5.5 miliardë dollarë në Amerikë, por nuk do të fillojë prodhimin deri në vitin 2025. Edhe atëherë, nuk është e qartë nëse makinat e Hyundai-t do të kualifikohen për kredinë e lidhur me mineralet, pasi autoritetet amerikane nuk e kanë publikuar ende rregulloren e hollësishme për burimet e pranueshme.

Qeveritë e tjera ka të ngjarë t’u përgjigjen me më shumë subvencione politikës favorizuese të Amerikës ndaj prodhuesve vendas. Në dhjetor, ministrat e Financave të Francës dhe Gjermanisë, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, bënë thirrje për një version europian të Aktit të Reduktimit të Inflacionit.

Margrethe Vestager, kryetarja e Konkurrencës e BE-së, e cila kontrollon subvencionet brenda bllokut, duket e hapur ndaj idesë së zgjatjes së afatit të zbutjes së rregullave të nisur nga pandemia, me synimin për t’u mundësuar shteteve anëtare të kundërshtojnë sfidën konkurruese të paraqitur nga politika amerikane.

Shkalla e mundshme e shpenzimeve është tronditëse. Nëse shtatë ekonomi të tjera të orientuara nga tregu (Australia, Britania, Kanadaja, BE-ja, Japonia, India dhe Koreja e Jugut), miratojnë subvencione po aq të mëdha sa ato të Amerikës – pra sa rreth 2% e PBB-së – fatura totale në tetë shtetet do të ishte 1.1 trilionë dollarë.

Në industritë që po marrin më shumë ndihma, efekti është edhe më i theksuar: subvencionet për gjysmëpërçuesit arrijnë në më shumë se 60% të shitjeve vjetore të industrisë. Tatimpaguesit perëndimorë po shpenzojnë shumë para për ta bërë një pjesë shumë të rëndësishme të ekonomisë botërore, shumë më pak efikase.

Investitorët duhet të kenë kujdes

Shqyrtimi i investimeve është një politikë tjetër që zoti Sullivan e mbështet si një mjet për të ruajtur përparësinë teknologjike të Amerikës. Shitja ndaj ofruesit me çmim më të lartë nuk është aq e thjeshtë sa dikur, veçanërisht nëse ai ofrues është kinez. Unctad, një agjenci e OKB-së që ndjek politikat e investimeve në mbarë botën, numëroi një numër rekord masash të reja që kufizojnë investimet e huaja në vitin 2020 (shih grafikun 1).

Unctad llogarit se 63% e flukseve globale të investimeve, iu nënshtruan një regjimi kontrolli vitin e kaluar, nga 52% në vitin 2020.

Komiteti për Investimet e Huaja në Shtetet e Bashkuara (CFIUS), një organ i ngarkuar me identifikimin dhe bllokimin e marrëveshjeve që mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare, është modeli për shumë prej këtyre regjimeve të reja.

Në vitin 2018, legjislacioni i ri zgjeroi juridiksionin e CFIUS-it mbi transaksionet që përfshijnë teknologjinë dhe infrastrukturën “kritike” dhe të dhënat e ndjeshme personale. Një urdhër i lëshuar nga zoti Biden në shtator, e udhëzon komitetin të përqendrojë vëmendjen në sigurinë e zinxhirëve të furnizimit dhe udhëheqjen teknologjike.

Midis viteve 2017 dhe 2021, CFIUS hetoi 661 transaksione, mbi dy herë më shumë se në pesë vitet e mëparshme. Edhe pse ai bllokon relativisht pak investime të drejtpërdrejta, shumë marrëveshje anulohen nën vëzhgimin e tij, përpara se të arrihet një vendim përfundimtar (shih grafikun 2).

ByteDance, kompania që ka në pronësi TikTok, një aplikacion videosh, mbetet e bllokuar në negociata të tilla prej më shumë se dy vjetësh, pasi Donald Trump lëshoi një urdhër, të anuluar më vonë, duke kërkuar heqjen e biznesit amerikan të TikTok.

BE u bëri thirrje vendeve anëtare të krijojnë ose të forcojnë mekanizmat e shqyrtimit në vitin 2020. Pothuajse të gjitha shtetet tani kanë një mekanizëm të tillë. Vetëm në vitin 2021, tre shtete anëtare vendosën regjime të reja dhe gjashtë prej tyre shtrënguan ligjet ekzistuese.

Viti i kaluar ishte jashtëzakonisht i ngarkuar për mbikëqyrësin gjerman, i cili ndërhyri në blerjen e kompanisë Heyer Medical, një firmë mjekësore-teknologjike në pronësi të Elmos, një prodhues i çipave të automobilave.

Udhëzimet e shumëpritura për regjimin e kontrollit të Francës, të lëshuara në shtator, nuk e kufizuan diskrecionin e jashtëzakonshëm që u jepet rregullatorëve për të rishikuar transaksionet.

Regjimi i shqyrtimit i Britanisë nisi analizimin e marrëveshjeve një vit më parë dhe tashmë ka bllokuar ose zhbërë katër (tre prej të cilave përfshijnë një blerës kinez të një firme ose teknologjie gjysmëpërçuese).

Me siguri do të vendosen edhe më shumë kufizime në të ardhmen. Në dhjetor, Kanadaja njoftoi legjislacionin për të forcuar procesin e rishikimit të investimeve, disa javë pasi urdhëroi tre investitorë kinezë të largoheshin nga minierat e saj të litiumit. Një regjim i ri për të kontrolluar investimet e huaja në Holandë, pritet të hyjë në fuqi këtë vit.

Megjithëse numri i marrëveshjeve të bllokuara nga regjimet e shqyrtimit të investimeve është relativisht i ulët, shtrirja e tyre, dhe si rrjedhim efekti që ato kanë në vendimmarrjen e korporatës, është i madh.

Rregulloret priren të zbatohen vetëm për industritë “strategjike”, por ato zakonisht përcaktohen shumë gjerësisht. Industritë që përbëjnë 60% të vlerës së bursave të Amerikës bien nën përgjegjësinë e mundshme të CFIUS, duke gjykuar nga marrëveshjet e dorëzuara në vitin 2021.

17 industritë e mbuluara nga regjimi britanik, përbëjnë 35% të firmave të mëdha të listuara në Britani. Në vitin 2021, 29% e investimeve të huaja të referuara për shqyrtim në Europë, iu nënshtruan një analize të hollësishme.

Zoti Sullivan dëshiron të shkojë më larg.

“Ne po përparojmë në formulimin e një qasjeje për të adresuar investimet jashtë vendit në teknologjitë e ndjeshme. Ekziston një konsensus i gjerë në Uashington se kapitali amerikan nuk duhet të rrisë aftësitë teknologjike të konkurrentëve tanë”, tha ai. Që nga viti 2000, për shembull, kapitalistët amerikanë kanë investuar më shumë se 50 miliardë dollarë në Kinë.

Tashmë janë vënë disa kufizime: Ligji i çipave i ndalon firmat, të cilat marrin subvencione, që të bëjnë investime të mëdha që mund të jenë përfituese për industrinë gjysmëpërçuese të Kinës.

Megjithatë, një regjim gjithëpërfshirës mund të çojë në ndryshime të mëdha në shpërndarjen e 171 miliardë dollarëve në vit për Investimet e Huaja Direkte në projekte të reja. Komisioni Europian ka thënë se edhe ai do të marrë në konsideratë shqyrtimin e investimeve jashtë vendit në vitin 2023.

Politika e tretë që përmendet nga zoti Sullivan, ka të bëjë me kontrollet e eksportit, të cilat kufizojnë transferimin e mallrave dhe shërbimeve në vende, kompani dhe njerëz të caktuar.

Qeveritë perëndimore i kanë përdorur ato gjerësisht kundër Rusisë që nga pushtimi i Ukrainës, duke frenuar qasjen ruse në të gjitha llojet e mallrave, nga çipat te kimikatet. Synimi nuk është vetëm të pengohet makina luftarake e Rusisë, por edhe të dëmtohen industritë kritike, si përpunimi i naftës.

Zoti Sullivan krenohet se kontrolle të tilla e kanë katandisur keq ushtrinë ruse.

Amerika ka mbajtur prej kohësh një listë të kompanive që duhet të kërkojnë leje për të blerë mallra me përdorime të mundshme ushtarake. Numri i firmave kineze në këtë “listë entitetesh” u rrit nga 130 në vitin 2018, në 532 në vitin 2022.

Kina përbën më shumë se një të katërtën e firmave në listë, llogariti vitin e kaluar Carnegie Endowment for International Peace. 36 emra të tjerë u shtuan në listë në dhjetor, duke përfshirë Yangtze Memory Technologies, një prodhues i çipave në bisedime për të furnizuar Apple.

Një rregullore tjetër amerikane, rregulli i produkteve të huaja direkte, përpiqet të kufizojë shitjet e artikujve të bazuar në teknologjinë amerikane, edhe nëse ato janë projektuar dhe prodhuar jashtë vendit, duke vendosur gjoba për firmat e përfshira.

Ky instrument me ndikim të gjerë ishte i suksesshëm në uljen e prodhimit të telefonave inteligjentë nga kompani kineze Huawei.

Në tetor, Departamenti Amerikan i Tregtisë njoftoi kontrollet e eksportit për çipat e avancuar të përdorur për të fuqizuar superkompjuterët dhe algoritmet e inteligjencës artificiale.

Rregullat e reja ndalojnë shitjen te kompanitë kineze të çipave më të fuqishëm dhe softuerit, si dhe pajisjeve të nevojshme për prodhimin e tyre. Kufizime të ngjashme në fusha të tjera të teknologjisë së lartë priten këtë vit.

Kufizimet e shpallura në tetor zbatojnë rregullin e produkteve të huaja direkte në një shkallë të jashtëzakonshme. Nuk bëhet asnjë dallim midis firmave private kineze dhe ndërmarrjeve shtetërore.

Meqenëse prodhimi i përparuar i çipave kërkon mbështetje të vazhdueshme teknologjike në formën e përditësimeve të softuerit, pjesëve zëvendësuese dhe këshillave inxhinierike, të cilat gjithashtu mbulohen nga rregullat, “në një periudhë afatshkurtër, kufizimet mund të ndryshojnë aftësinë e Kinës në çipat më të avancuar”, thotë Gregory Allen, studiues në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Banka Barclays, llogarit se kontrollet mund të ulin rritjen vjetore të PBB-së së Kinës me 0.6 pikë përqindje.

Kufizimet janë aq të rënda sa që Amerika mund ta ketë të vështirë t’i bindë aleatët të miratojnë masa ekuivalente. Megjithatë, pa një bashkim të tillë, ato nuk do të funksionojnë. Vende të tjera me industri të përparuara gjysmëpërçuese – veçanërisht Holanda dhe Japonia – mund të ulin efektivitetin e masave amerikane, duke i ofruar Kinës alternativa.

Politikanët amerikanë e kanë provuar këtë më parë në industrinë e satelitëve. Pasi Amerika imponoi kontrolle të gjera të eksporteve kundër Kinës në vitin 1999, firmat në Europë nisën të ndërtonin satelitë pa pjesë përbërëse amerikane, për të shmangur kufizimet e reja. Kompanitë amerikane humbën të ardhurat, por Kina nuk humbi qasjen në satelitë modernë.

Prodhuesit e huaj të çipave e kanë të vështirë të heqin dorë nga shitjet në Kinë, tregu më i madh në botë për gjysmëpërçuesit. Amerika po i bën trysni Japonisë dhe Holandës që të ndjekin shembullin e saj, pa ndonjë rezultat deri tani.

Firmat e mëdha gjysmëpërçuese po ankohen: shefi i TSMC-së, prodhuesi më i madh në botë i çipave me kontratë, thekson se kontrollet do të ulin produktivitetin e industrisë dhe do ta bëjnë atë më pak efikase.

E njëjta gjë është e vërtetë për të gjitha pengesat e reja për tregtinë dhe investimet ndërkombëtare. Ndërsa logjika e efikasitetit dhe avantazhit krahasues përqendrohet te siguria dhe nacionalizmi ekonomik, investimet do të dyfishohen dhe kostot do të rriten.

Rezultati do të jetë fatura më të larta për taksapaguesit dhe konsumatorët dhe si rrjedhojë, ulja e prosperitetit.

Investimet e Huaja Direkte tashmë kanë rënë nga kulmi prej 5.3% e PBB-së globale në vitin 2007, në 2.3% në vitin 2021. Marrëveshjet që vazhdojnë të realizohen janë më të kufizuara nga ligjet rregullatore.

Në vitin 2022, një blerësi kinez iu lejua të merrte vetëm 25% të një porti në Hamburg, në vend të 35% që ishte planifikuar. Në vitin 2021, gjysma e të gjitha miratimeve të investimeve ndërkufitare në Francë, erdhën me kushte të bashkangjitura.

Ndërkohë, programet e subvencioneve po ndryshojnë shpenzimet kapitale. Në industrinë e gjysmëpërçuesve, që është e njohur për ciklet e lulëzimit dhe rënies, rreziku i mbifurnizimit është i madh.

Më shumë se 40 projekte të reja gjysmëpërçuese janë shpallur në të gjithë Amerikën që nga mesi i vitit 2020, sipas Shoqatës së Industrisë së Gjysëmpërçuesve, duke përfshirë fabrikat në Arizona që do të ndërtohen nga Intel dhe TSMC, me një kosto të vlerësuar prej 60 miliardë dollarësh.

Sipas një raporti nga Banka Goldman Sachs, rreth 164 miliardë dollarë shpenzime u nevojiten këtë dekadë firmave amerikane dhe europiane për të lokalizuar zinxhirin e furnizimit për bateritë e automjeteve elektrike.

Konsumatorët duhet të kenë kujdes

Si programe të izoluara, këto plane rrisin investimet në ekonomitë kombëtare; por në nivel global, ato shkaktojnë rritje të madhe të kostove. Sipas llogaritjeve të The Economist, dyfishimi i stokut ekzistues në botë të investimeve në gjysmëpërçues, energji të pastër dhe bateri, do të kushtonte midis 3.2% dhe 4.8% të PBB-së globale.

Dhe kjo do të shoqërohet me shkallëzimin e mëtejshëm në ndërhyrjet e qeverisë: në fund të fundit, nëse asnjë kompani vendase nuk mund të sigurohet për trajtim të barabartë dhe qasje të hapur në treg kur operon jashtë vendit, ka më shumë kuptim që të gjitha vendet të ushqejnë dhe të mbrojnë industritë në atdhe.

Shtete si Kina dhe Rusia, paraqesin një kërcënim të thellë për rendin e tanishëm global. Kufizimi i eksporteve të gazit nga Rusia në Europë, në përgjigje të mbështetjes europiane për Ukrainën, nxjerr në pah rreziqet e varësisë nga vende të tilla për importe thelbësore.

Dëshira e demokracive perëndimore për të penguar ekonomikisht kundërshtarët e tyre, me synimin për të pakësuar rreziqe të tilla, është krejt e kuptueshme.

Por kjo do të ketë kosto të mëdha. Për më tepër, politikat ekonomike, të cilat miratohen në emër të sigurisë kombëtare dhe konkurrencës, janë aq gjithëpërfshirëse dhe të ngathëta, sa që po i dëmtojnë aleatët po aq sa armiqtë e tyre.

Nuk dihet nëse kjo mendësi mund të ketë sukses për ta bërë botën më të sigurt për demokracinë. Por, pa dyshim, që do ta bëjë atë më të varfër.

Marrë nga Monitor.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN