MENU
klinika

Nga Guardiola tek Klop dhe Simeone

Trajnerët që nuk janë shkarkuar kurrë…

02.02.2023 - 12:10

“Për një trajner, shkarkimi është pjesë e punës së tij”. Kjo është një frazë që nuk ka trajner që nuk e ka dëgjuar. Ose le të themi më mirë që pjesa më e madhe e trajnerëve e kanë dëgjuar.

Sepse po të pyesni Guardiolën, për shembull, ai mund të ketë një mendim ndryshe. Që nga dita e parë që ka nisur punën si trajner, Pep nuk e njeh fjalën shkarkim. Trajnerët në fakt kanë qenë me mijëra në historinë e topkëmbës, por vetëm pak prej tyre nuk kanë njohur shkarkim gjatë karrierës sportive. Bota ka njohur trajnerë të mëdhenj ende aktivë si Ançeloti, Murinjo apo të tjerë që janë tërhequr si Van Gal, Kapelo, Del Boske e shumë të tjerë,. të cilët pavarësisht arritjeve nuk kanë mundur të ruajnë besimin e klubeve ku kanë drejtuar. Por, nëse kthejmë kokën pas, ka dhe mjaft raste të njohura trajnerësh që nuk janë shkarkuar gjatë karrierës së tyre në stol. Pep Guardiola që e përmendëm më lart është një ndër ta.

Që kur e nisi karrierën si trajner në Akademinë e Barcelonës për të vijuar me ekipin e parë të Barçës, Bajernin e deri më tani te Siti ai nuk e njeh fjalën shkarkim. Ashtu si ai, një tjetër trajner që nuk e ka përjetuar shkarkimin është ishtrajneri i Realit të Madridit, Zinedin Zidan. I treti në listë, gjithashtu i lidhur me futbollin spanjoll është Diego Pablo Simeone, trajneri i Atletikos së Madridit. Ish-trajneri i Spanjës, Luis Enrike, gjithashtu nuk është shkarkuar asnjëherë (Barça B, Roma, Selta Vigo dhe Barcelona). Trajnerë të tjerë që nuk kanë njohur shkarkim janë dhe Marselo Gajardo, legjenda e Mançester Junajtidit, Sër Aleks Ferguson, trajneri aktual i Francës, Deshamp, tekniku i Liverpulit, Jyrgen Klop.