MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Tumoret e zemrës, shkaqet dhe trajtimi

07.02.2023 - 11:58

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Tumoret e zemrës, shkaqet dhe trajtimi

Mjeku: Tumoret e zemrës janë në përgjithësi shumë të rallë. Në shumicën dërmuese të rasteve (75%) ata janë beninj edhe rallë janë malinj. Tumori më i shpeshtë i zemrës është miksoma, që përbën 50% të tumoreve beninje.

Miksomat e zemrës
Këto tumore nuk japin shenja fillimisht dhe kanë një ecuri tepër të ngadaltë për shumë vite, prandaj dhe diagnostikimi i hershëm i tyre përbën një sfidë për mjekun. Ka raste kur këto paraqiten në anëtarët e së njëjtës familje dhe atëherë quhet miksomë familjare. Në 80% të rasteve ato ndodhen në atriumin e majtë të zemrës. Paraqitet më shumë tek femrat në raport pothuaj 3 : 1 me meshkujt.

Shkaku i vërtetë i kësaj sëmundje është akoma i paqartë, por transmetimi nga prindi tek fëmija bëhet me rrugë gjenetike në rastet e miksomave familjare.

Simptomat
Simptomat e miksomave variojnë nga shumë të lehta ose jo specifike deri në vdekjen e papritur. Njëkohësisht varen nga lokalizimi i miksomës në zemrën e majtë ose të djathtë. Këto simptoma i ndajmë në tre kategori.
Simptomat e insufiçencës së majtë të zemrës që paraqiten kur miksoma është në zemrën e majtë.
Vështirësi në frymëmarrje gjatë aktivitetit fizik, që mund të përparojë deri në edemë pulmonare.
Mund të kemi gjithashtu të gjitha simptomat e stenozës mitrale, nëse miksoma bllokon kalimin e gjakut nëpër këtë valvulë.
Aritmi të ndryshme.
Marrje mendsh.
Simptomat e insufiçencës së djathtë të zemrës që paraqiten kur miksoma është në zemrën e djathtë.
Lodhje e përgjithshme ose debolesë.
Edema të gjymtyrëve të poshtme.
Distension abdominal ose ndryshe fryrje e barkut për arsye të grumbullimit të ujit në të. Kjo nuk ndodh shpesh por kryesisht në rastet e lëna pas dore.
Simptomat e lidhura me embolat e miksomës. Emboli është një pjesë e vogël e miksomës që mund të shkëputet nga ajo dhe nëpërmjet gjakut të shkojë në vënde të ndryshme të organizmit duke bllokuar një arterie të caktuar dhe duke krijuar kështu ishemi të ndryshme. Në varësi të arteries që bllokohet mund të kemi ishemi cerebrale, ishemi të veshkave, ishemi të gjymtyrëve të poshtme, ishemi të shpretkës etj.

Diagnoza e miksomave të zemrës
Metoda më e thjeshtë për diagnostikimin e miksomës është ekokardiografia ose EKO-ja. Nganjëherë kur pamja nuk është e qartë ose për arsye të dyshimeve (gjë që ndodh jo shpesh) mjeku mund të bëjë EKO transezofageale. Kjo e fundit ka saktësi 100%.

Trajtimi i miksomave të zemrës
I vetmi trajtim i miksomës së zemrës është ai kirurgjikal. Operacioni është i një rrezikshmërie të ulët për të sëmurin (rreth 2%) dhe rezultatet janë shumë të favorshme. Operacioni konsiston në rezeksionin e miksomës nga zemra.

Gjithmonë ekziston mundësia e përsëritjes së miksomës tek i njëjti i sëmurë. Kjo mundësi është afërsisht 2%, por në rastet e miksomave familjare arrin deri në 20%. Megjithatë përsëritja ndodh pas shumë vitesh. Shumë rrallë përsëritet brenda 5 viteve pas operacionit.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.