Atentati në mbikalimin e Fushë-Krujës me 91 plumba ndaj Briland Martinaj, Diklen Vatës dhe Besmir Hoxhës, do kalojë për hetime më të avancuara në prokurorinë e posaçme SPAK.
Sipas informacioneve, bëhet me dije se grupi i hetimit që heton këtë çështje, përgjatë këtyre 7 muajve ka konstatuar elementë të përfshirjes së një grupi kriminal.
Autorët kanë vepruar me role të ndara nga njëri-tjetri. Por në bashkëpunim mes tyre, kanë pasur si qëllim realizimin e atentatit me armë që solli vrasjen e 3 personave në 17 korrik të 2022.
Gjatë një analize hetimore të zhvilluar në muajin Janar 2023, grupi i hetimit diskutoi për kalimin e dosjes në SPAK.
krimi i rëndë siç është “Vrasja në rrethana cilësuese ndaj 1 ose më shumë personave”, është kryer në format e grupit kriminal, akuza këto që i ka si kompetencë lëndore prokuroria SPAK, tha një burim pranë prokurorisë.
Ngjarja vijon të jetë pa autor, ndërsa dyshimet janë përqendruar tek disa persona në zonën e Tiranës dhe Laçit, të cilët janë duke u verifikuar.
Dhjetëra persona janë marrë në pyetje dhe një sërë veprimesh hetimore, janë kryer, por deri tani nuk kanë sjellë asnjë rezultat.
Ndërsa kohët e fundit është identifikuar dhe një punonjës policie i komisariatit të Kurbinit, që dyshohet si i implikuar në këtë krim.
Deri në këtë fazë të hetimit ndaj këtij punonjësi policie, nuk është marrë asnjë masë ndaluese nga prokuroria por dhe asnjë masë për përjashtimin e tij nga radhët e policisë.