Një vilë e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave është zbuluar nga policia e Fierit duke vënë në pranga tre persona.
Sipas njoftimit të policisë, është arrestuar në flagrancë pronari i vilës 3-katëshe, E. M. alias Xh. G., 44 vjeç, i cili kishte përshtatur 5 dhomat e njërit kat, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Gjithashtu, janë arrestuar edhe dy punonjës së OSHEE të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Nga operacioni janë sekuestruar 181 bimë narkotike të cilat ishin kultivuar në vazo që u gjetën brenda ambienteve të përshtatura me llamba, dhjetëra llamba dhe pajisje të tjera elektrike që ishin instaluar në 5 ambientet e banesës.
Policia po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Njoftimi i policisë:
Fier/Kontrolle intensive nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në terren dhe në banesa në ambientet e të cilave dyshohet se kultivohen bimë narkotike, me anë të llambave.
Si rezultat i kontrolleve, bazuar dhe në inteligjencën policore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Vila”, Policia zbulon një vilë të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.
Arrestohet në flagrancë pronari i vilës 3-katëshe, i cili kishte përshtatur 5 dhomat e njërit kat, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Vihen në pranga edhe faturisti dhe elektricisti i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sekuestrohen 181 bimë narkotike të cilat ishin kultivuar në vazo që u gjetën brenda ambienteve të përshtatura me llamba, dhjetëra llamba dhe pajisje të tjera elektrike që ishin instaluar në 5 ambientet e banesës.
Gjithashtu, u bë bllokimi i vilës 3-katëshe në ambientet e së cilës ishin kultivuar bimët narkotike.
Në vijim të punës për goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike në ambiente të hapura e të mbyllura, si rezultat i kontrollit të imtësishëm të territorit, mbështetur në inteligjencën policore se në fshatin Dërmënas, në vilën e shtetasit E. M. kultivoheshin bimë narkotike, është organizuar dhe finalizuar nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, operacioni policor i koduar “Vila”.
Në kuadër të këtij operacioni, në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– E. M. alias Xh. G., 44 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Ky shtetas është pronari i vilës në të cilën Policia zbuloi 5 ambientet e përshtatura për kultivim të bimëve narkotike;
-K. G., 40 vjeç, banues në Fier, me detyrë faturist i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”
-B. F., 47 vjeç, banues në Fier, me detyrë elektricist i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon dhe hetimi pasuror ndaj pronarit të vilës, shtetasit E. M.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.