MENU
klinika

Analiza

A ka dështuar Erdogan-i?

02.03.2023 - 17:25

Tërmetet që goditën 10 provinca në jug të Turqisë më 6 shkurt, shënojnë katastrofën humanitare më të madhe në historinë moderne të vendit. Qytete plot gjallëri u rrafshuan me tokën, kështjellat e lashta u shkatërruan dhe mijëra godina banimi dhe tregtare u shembën. Përveç shumë viktimave edhe në Sirinë fqinje, më shumë se 44.000 njerëz ishin konfirmuar të vdekur në Turqi deri më 24 shkurt. Më shumë se 100.000 njerëz mbetën të plagosur dhe miliona të tjerë janë aktualisht të pastrehë. Një e gjashta e popullsisë turke – më shumë se 13 milionë njerëz – mendohet se janë prekur direkt nga tërmetet.

Ofrimi i ndihmës për zonat e goditura është shqetësimi më i emergjent i qeverisë turke. Por kjo fatkeqësi natyrore paraqet jo vetëm një sfidë logjistike por edhe politike. Veprimet po vëzhgohen me kujdes, ashtu si edhe neglizhenca dhe korrupsioni që lejoi ndërtimin e kaq shumë ndërtesave nën standarde dekadat e fundit.

Recep Tayyip Erdogan, president i Turqisë që nga viti 2003, përballet tani me provën më të rëndësishme të karrierës së tij. Në pamje të parë kjo situatë është diçka e njohur për të. Në vitin 1999, një tërmet vrau afro 19.000 njerëz dhe nxori në pah kufizimet e kontratës sociale midis qytetarëve të Turqisë dhe shtetit të tyre paternalist.

Ajo fatkeqësi natyrore, e pasuar me një krizë ekonomike, shkaktoi një pakënaqësi të madhe në mesin e qytetarëve duke nxitur rrëzimin e regjimeve laike dhe shpesh jo-liberale që kishin mbizotëruar që kur vendi doli nga rrënojat e Perandorisë Osmane në vitin 1922.

Erdogan dhe partia e tij politike islamike do të ngjitej në pushtet dhe do ta transformonte Turqinë. Por tani zhvillimet janë kundër Erdogan. Ky tërmet mund të ketë thuajse të njëjtin efekt si ai i afro 25 viteve më parë, duke sjellë rrëzimin e një rendi politik të kalcifikuar. Tërmeti i vitit 1999 ndihmoi në ngjitjen e Erdogan në pushtet, ndërsa tërmeti i këtij viti mund t’i japë fund sundimit të tij. Turqia ka një traditë të gjatë të qeverisjes paternaliste, nga lart-poshtë, e rrënjosur tek një përpjekje modernizuese e udhëhequr nga shteti në kohën e Perandorinë Osmane gjatë shekullit XIX.

Shteti në Turqi mban nofkën ‘devlet baba’ (shteti baba), në krahasim me shtetin, që njihet si ‘ana vatan’ (mëmëdheu). Në këtë traditë politike, shteti është si një baba i disiplinuar që kujdeset për pasardhësit e tij, qytetarët. Ai është i ashpër dhe zemërgur, por nga na tjetër i udhëheq qytetarët dhe iu plotëson nevojat.

Udhëheqësit turq kanë këmbëngulur prej kohësh që e dinë se çfarë është e mirë për njerëzit. Në fillim sulltanët e ndjerë osmanë; më pas, themeluesi i Turqisë moderne të shekullit të njëzetë, Mustafa Kemal Ataturk, dhe pasardhësit e tij, të njohur si Kemalistët; dhe tani Erdogan.

Në këmbim të kujdesit të tyre, këta liderë e kanë bërë të qartë se populli duhet t’u bindet pushtetit të tyre. Pasi e çliroi Turqinë nga pushtimi aleat në fund të Luftës së Parë Botërore, Ataturk e propagandoi këtë kontratë shoqërore paternaliste. Ai bëri përpjekje të mëdha për të formuar shtetin dhe shoqërinë sipas imazhit të tij laik dhe nacionalist.

Kontrata atërore e Ataturkut me qytetarët mbeti në fuqi edhe pas vdekjes së tij në vitin 1938. Madje edhe pasi Turqia u bë një demokraci shumëpartiake në vitin 1950. Partitë kemaliste, si në të majtë po ashtu edhe në të djathtë, e përjetësuan atë formë sundimi. Për dekada gjatë dhe pas Luftës së Ftohtë, ‘devlet baba’ laik i Turqisë shihej si i gjithëfuqishëm, i fuqishëm dhe i plotfuqishëm.

Qytetarët nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të frikësoheshin. U desh një fatkeqësi natyrore për ta tronditur deri në palcë shtetin kemalist. Tërmeti shkatërrues i vitit 1999, rrëzoi zonat industriale në periferitë e Stambollit. Shteti nuk po shihej gjëkundi teksa mijëra të plagosur dergjeshin nën rrënoja, duke pritur për ndihmën që nuk u erdhi kurrë.

Në disa raste u deshën ditë apo edhe javë që të mbërrinte ndihma e qeverisë në disa komunitete. Një krizë e rëndë ekonomike vitin e ardhshëm, vuri gozhdën e fundit në arkivolin e ‘devlet baba’ kemalist. Qytetarët turq ndiheshin jo vetëm të braktisur nga shteti, por nuk kishin më frikë prej tij. Tashmë dera ishte e hapur për Erdoganin.

Në vitin 2001, i ndihmuar nga popullariteti i tij pas një periudhe të suksesshme si kryebashkiak i Stambollit në mesin e viteve 1990, Erdogan krijoi Partinë e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Në nëntor 2002, partia e tij fitoi zgjedhjet kombëtare dhe Erdogan u bë kryeministër i Turqisë në marsin e vitit 2003. Pjesërisht duke garantuar një rritje ekonomike dhe duke nxjerrë shumë qytetarë nga varfëria, dhe pjesërisht duke goditur kundërshtarët politikë, Erdogan e ka çimentuar që atëherë reputacionin e tij si një udhëheqës autokratik dhe i plotfuqishëm, të cilin qytetarët duhet ta kenë frikë dhe respekt në të njëjtën kohë.

Pra ai po mishëron një version të ri të ‘devlet baba’. E paraqet veten si një figurë patriarkale dominuese por punëtore, e cila ashtu si Ataturk, dëshiron që qytetarët të ndjekin modelin e jetesës që u imponon ai. Natyrisht, në dallim nga paraardhësit e tij kemalistë, ai është tejet konservator dhe nuk njeh asnjë ndarje midis devotshmërisë së ngurtë islamike dhe politikës.

Erdogan quhet edhe reis (kapiten), një term që i referohet origjinës së familjes së tij nga bregu i Detit të Zi. Por kjo nofkë nënvizon edhe pozicionin e tij të padiskutueshëm si njeriu në krye të Turqisë. Pasagjerët duhet ta dëgjojnë kapitenin, pasi mirëqenia e tyre varet nga ai.

Por Erdogan mund të mos jetë në gjendje që t’i rezistojë vorbullës së ardhshme. Tërmeti i 6 shkurtit është një fatkeqësi me përmasa historike. Ai vrau më shumë njerëz sesa lufta turke për pavarësi një shekull më parë.

Ndoshta çdo qeveri do ta kishte të vështirë të përballej si duhet me një fatkeqësi të tillë. Por sipas çdo lloj standardi, përgjigja fillestare e qeverisë së Erdogan ishte e ngadaltë dhe e rastësishme. Presidenti do të mbahet përgjegjës për manipulimin dhe shkatërrimin e institucioneve kryesore të vendit, përfshirë agjencitë e tij të ndihmës, gjatë dekadës së fundit, duke zëvendësuar drejtuesit e tyre me njerëz besnikë dhe duke i bërë ato jofunksionale.

Epoka e Erdogan në Turqi është shënuar nga bumi i ndërtimeve. Blloqe të mëdha apartamentesh kanë zëvendësuar shtëpitë private në shumicën e qyteteve, dhe horizontet e qyteteve të mëdha historike, si Stambolli dhe Izmiri, kanë ndryshuar përtej njohjes. Tashmë presidenti turk po përballet me kritika të ashpra edhe për bashkëpunimin e tij në lejimin e ndërtimeve të dobëta në vitet e fundit.

Shumë qytetarë do të arrijnë në përfundimin se Erdogan ka dështuar në detyrat e tij dhe për këtë arsye nuk duhet pasur më frikë. Që gjatë fundjavës së kaluar, mijëra njerëz që ndiqnin ndeshjet e futbollit e kritikuan administratën e Erdoganit dhe kërkuan dorëheqjen e tij.

Erdogan është një politikan i talentuar dhe do të bëjë çmos që t’i shmanget valës së pritshme të pakënaqësisë. Për ta shfajësuar veten dhe për të mbrojtur reputacionin e tij,

do të pretendojë se tërmeti ishte një akti i Zotit dhe përtej kontrollit të tij, dhe do të përdorë ndikimin e tij mbi rreth 90 për qind të mediave turke për t’i bindur qytetarët se numri i lartë i vdekjeve ishte i pashmangshëm duke pasur parasysh shkallën e tërmetit.

Po ashtu ai mund të përpiqet ta transferojë fajin tek kompanitë e vogla të ndërtimit, duke e vënë theksin tek neglizhenca individuale dhe sjellja e keqe për ta shfajësuar qeverinë e

tij nga përgjegjësia. Megjithatë, asnjë nga këto veprime nuk mund të mjaftojë për ta izoluar atë nga zemërimi i popullatës.

Në kundërpërgjigje, Erdogan do të ndryshojë qëndrimin dhe do të synojë sërish të frikësojë qytetarët, duke u përpjekur të shfaqet si një lider i fortë. Kreu i opozitës kryesore, Partia Popullore Republikane, Kemal Kilicdaroglu, është zotuar t’i japë fund korrupsionit që çoi në ndërtimin e shumë ndërtesave të papërshtatshme dhe që shkaktoi kaq shumë viktima.

Erdogan mund t’i kthehet masave autokratike për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme. Duke perceptuar një rënie të popullaritetit të tij, ai mund të vendosë edhe shtyrjen e zgjedhjeve.  Kjo gjë bie ndesh me kushtetutën, por Erdogan mund të përdorë kontrollin e tij mbi institucionet kryesore si Këshilli i Lartë i Zgjedhjeve për të vonuar votimin.

Ose mund të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme, pasi ajo të përfundojë në maj. Turqia mund të jetë duke përjetuar një pikë kthese historike në lidhje me modelin e saj tradicionalisht paternalist të qeverisjes nga lart-poshtë. Në vend që të prodhonte një qeveri tjetër paternaliste, ky tërmet mund të ndihmojë në ri-balancimin e marrëdhënieve të pabarabarta në Turqi midis shtetit dhe shoqërisë.

Soner Cagaptay është drejtor i Programit të Kërkimeve Turke në Institutin e Uashingtonit. Ai është autor i  librit “Një sulltan në muzgun e tij:Erdogan përballë forcave të papërmbajtshme të Turqisë”.

Burimi: Foreign Affairs