Ndryshimet e mëdha që po ndodhin në sistemin global, po i detyrojnë të gjitha vendet të ripërcaktojnë pikëpamjet e tyre strategjike si dhe modelet e rritjes ekonomike. Por ndërsa ndryshimet po prekin çdo vend, Bashkimi Europian përballet me një sfidë shumë më serioze, e cila mund të rrezikojë vetë ekzistencën e tij.
Kjo nuk është hera e parë që BE-ja gjendet në një udhëkryq. Krizat globale priren që ta zhytin bllokun në një spirale ekzistenciale që mund të vërë në pikëpyetje prioritetet, strukturën dhe qëllimin e ekzistencës së tij. Nëse Europa do të mbetet një lojtare e madhe në skenën globale, varet nga reagimi i saj ndaj një grumbulli të paprecedentë emergjencash.
Më e spikatura prej tyre është padyshim lufta në Ukrainë, e cila na ka dhënë një kujtesë të fortë se BE-ja duhet të zhvillojë sa më shpejt identitetin e saj të sigurisë për të mbrojtur kufijtë e vet. Por po aq emergjente janë edhe çështje të tjera. Rivaliteti në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës po e rivizaton hartën e fuqisë globale.
Ndërsa bota po ndahet gjithnjë e më shumë në blloqe konkurruese, Europa duhet të vendosë nëse do të bashkohet tërësisht me SHBA-në apo do të ruajë një pjesë të vogël të autonomisë së saj politike. Në lidhje me ndryshimet klimatike, BE-ja u pozicionua si një përcaktuese e agjendës globale, pasi SHBA-ja u tërhoq në vitin 2020 nga Marrëveshja e Parisit për klimën.
Por tani që Amerika është rikthyer plotësisht në luftën kundër ndryshimeve klimatike, dhe po investon shumë në subvencionet e energjisë së pastër, Europa duhet që të ripërcaktojë qëndrimin e saj. A do të zhvillojë blloku versionin e vet të Aktit të Reduktimit të Inflacionit të administratës Bajden dhe a do të nisë një garë subvencionesh me SHBA-në dhe Kinën?
Apo do të ecë përpara mbi “ADN”-në e vet dhe do të kundërpërgjigjet me instrumente të tregtisë dhe konkurrencës? Deklaratat e fundit të liderëve europianë sugjerojnë se ata janë të prirur drejt së parës. Sido që të jetë, ata duhet të vendosin në kohën e duhur. Europa e ka rishpikur veten 2 herë më parë, dhe situata aktuale është shumë e rëndësishme për të tentuar një rishpikje të tretë.
Në mesin e viteve 1980, kur stanjacioni ekonomik dhe papunësia e lartë i nxitën ekonomistët dhe politologët (sidomos në të djathtën amerikane) të shpikin termin “eurosklerozë”, presidenti i atëhershëm i Komisionit Europian, Zhak Delor, nisi që të hartonte plane për një kontinent të integruar ekonomikisht.
Këto plane u bënë programi i Tregut të Përbashkët, dhe hodhën bazat për krijimin e eurozonës. Globalizimi rezultoi të ishte një tjetër pikë kthese. Në fillimin e viteve 2000, Ministri britanik i Financave, Gordon Braun, vuri në dyshim mençurinë e ndjekjes së integrimit europian kur e gjithë bota tashmë po integrohej me shpejtësi.
Ndërsa Rusia dhe Kina kishin hyrë në ekonominë globale duke iu bashkuan Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Organizatës Botërore të Tregtisë, integrimi rajonal dukej si diçka e tejkaluar. Reagimi i BE-së ndaj sfidës së Braun ishte rishpikja e vetes si një hartuese dhe diktuese e standardeve globale.
Gjatë 20 viteve të fundit, politikëbërësit europianë kanë marrë një rol udhëheqës në hartimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, duke eksportuar standardet rregullatore për kontabilitetin, sigurinë, privatësinë dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Siç u shpreh në një rast “Wall Street Journal”, “BE-ja u bë rregullatori i botës”, duke përdorur rregulloren e saj si një formë të ushtrimit të fuqisë së butë.
Por ky lloj i fuqisë së butë funksionon vetëm në një botë të qeverisur nga rregulla. Zhozef S.Nie Jr. i Universitetit të Harvardit, që e prezantoi këtë koncept në fund të viteve 1980, shpjegoi se ndryshimi midis fuqisë së fortë dhe të butë është se e para është e këmbyeshme, pra e transferueshme nga sfera në sferë, ndërsa e dyta jo.
Pra fuqia ushtarake mund t’i ndihmojë vendet që të fitojnë fuqi ekonomike dhe anasjelltas. Por fuqia rregullatore nuk përkthehet në fuqi ushtarake apo edhe ekonomike. Është kjo arsyeja pse BE-ja duhet ta rishpikë sërish veten e saj. Në një botë ku autokratët dhe mbështetësit e tyre po shpërfillin gjithnjë e më shumë rregullat që qeverisin rendin liberal të dominuar nga Perëndimi, BE-ja nuk mund të mbështetet më në vendosjen e rregullave për të ndjekur qëllimet e saj strategjike.
Ajo ka nevojë për një qëllim dhe identitet të ri. Për këtë qëllim, Marko Buti dhe Marçelo Mesori kanë propozuar një draft që përpiqet të pajtojë agjendat e politikës së brendshme dhe të jashtme të BE-së. Ata argumentojnë se unioni duhet të bazohet tek avantazhet e saj krahasuese, dhe të fokusohet në ofrimin e të mirave publike europiane.
Ky koncept ka shumë kuptim. Ai është mjaftueshëm i gjerë për t’u zbatuar për mbrojtjen, sigurinë, energjinë dhe veprimin kundër ndryshimeve klimatike. Po ashtu është në përputhje me parimin e subsidiaritetit të BE-së, që thotë se vendimet duhet të merren nga shtetet anëtare sa herë që ato janë të mjaftueshme për të arritur objektivat e përbashkët.
Po ashtu, ai do t’u jepte mundësinë politikëbërësve të kalonin nga mjetet e centralizuara te nismat lokale kur është e nevojshme, dhe kjo gjë mund të shërbente si një matës praktik për të vendosur se çfarë konsiderohet si centralizim i tepruar i pushtetit. Për më tepër, qytetarët mund të kuptojnë lehtësisht pse disa veprime përfshihen në juridiksionin e BE-së, ndërsa të tjerat mbeten përgjegjësi e shteteve anëtare.
Por edhe nëse do të miratonte këtë kornizë të re, BE-ja do të duhej ende të bënte disa zgjedhje të vështira. Arsyeja pse BE-së i mungon një politikë e përbashkët në fushën e mbrojtjes, nuk është se shtetet anëtare nuk po arrijnë që ta kuptojnë se do të ishte më mirë të vepronin së bashku. Por sepse ata nuk i besojnë njëri-tjetrit, dhe besojnë edhe akoma pak tek institucionet e BE-së.
Po ashtu, vendet europiane e pranojnë se një politikë e përbashkët energjetike është në interesin e tyre të përbashkët. Por arsyeja pse nuk kanë arritur të bien dakord për një të tillë, është se ndryshojnë shumë prioritetet e tyre kombëtare. Zbavitja e fundit e BE-së mbi huamarrjen emergjente për të zbutur ndikimin e pandemisë e COVID-19 na ofron një shembull me rëndësi mbi gjendjen aktuale të integrimit europian.
Në vend se t’u drejtoheshin nismave të përbashkëta, shumica e parave që u mblodhën përmes programit të emergjencës u transferuan në shtetet anëtare individuale. Parimi i subsidiaritetit duket se favorizon miratimin e qasjes europiane të të mirave publike. Por vendet europiane duhet të kapërcejnë rezervat individuale dhe të mësojnë të punojnë së bashku. Rruga drejt një modeli të ri europian mund të vizualizohet që tani, por ajo do të jetë e gjatë dhe e vështirë.
Jean Pisani-Ferry, bashkëpunëtor i think-tankut “Bruegel” me seli në Bruksel, dhe anëtar i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare.